Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në një intervistë për Kanal 5, tha se MPB-ja nuk ishte as e informuar e as përgjegjëse për përdorimin e piroteknikës në diskotekën “Puls” në Koçan, e cila deri më tani zyrtarisht është shkaku i zjarrit tragjik në të cilin jetën humbën 62 persona. Toshkovski tha se tragjedia ka zbuluar një sistem të ndërtuar me korrupsion ndër vite, por gjatë natës fatale, në lidhje me përdorimin e piroteknikës, ai theksoi se Ministria e Brendshme nuk mund të reagonte pa u njoftuar paraprakisht.
“Dispozitat ligjore përcaktojnë që, Ministria e Brendshme të lëshojë miratim, pëlqim e kështu me radhë, dikush duhet ta kërkojë më parë atë. Në situatën konkrete, askush nuk e ka paraqitur një kërkesë të tillë, as ata që i kanë përdorur e as menaxherët e klubit”, deklaroi Pançe Toshkovski, MPB.
Në një intervistë për televizionin Alsat ditë më parë, prokurori i shtetit tha se hetimi për zjarrin do të përfundojë brenda afatit ligjor, deri më 17 qershor. Sa i përket pyetjes se përse Prokuroria nuk ka reaguar për keqpërdorimet në diskotekë në të kaluarën, Kocevski e drejtoi gishtin pikërisht te Ministria e Punëve të Brendshme.
“Prokuroria Publike nuk është organ preventiv, prokuroria është organ represiv, që do të thotë se prokuroria, pas informacioneve të marra, nuk mund të shkojë dhe të kërkojë leje nëse diskoteka ose jo, kjo është kompetencë e institucioneve të tjera. Informacioni i marrë është institut krejt tjetër, pasi të ndodhë diçka, atëherë prokuroria vepron. Pra, informacioni i marrë në këtë rast, që prokuroria të reagojë nëse ka miratim ose nuk ka miratim për diskotekën, nuk është kompetencë e saj, por janë kompetente institucionet e tjera”, tha Ljubço Kocevski, Prokuror i Shtetit.
Hetimi për zjarrin në Koçani po udhëhiqet nga një ekip prej 13 prokurorësh, dhe deri tani janë të dyshuar gjithsej 68 persona fizikë dhe tre subjekte juridike. Hetimi i zgjeruar përfshin tre ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, ish-ministra të Ekonomisë dhe persona të tjerë nga kjo ministri, si dhe drejtorë aktualë dhe ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ish-drejtorë të Inspektoratit të Tregut. /Alsat/