Associated Press
Çdo ditë, tragete të të gjitha formave dhe madhësive lundrojnë nëpër ujërat e Stambollit, duke e bërë detin të shkumojë forma të ndryshme.
Anijet që bartin pasagjerë janë më shumë se një mjet transporti.
Po aq të paharrueshme sa horizonti i qytetit historik, dhe po aq të rregullta sa klithmat e pulëbardhave, ato janë të rrënjosura në identitetin e Stambollit.
Bartin jo vetëm njerëz, por edhe historitë e tyre.
Dyzet milionë udhëtarë të përditshëm, turistë, shitës dhe të tjerë përdorin linjat e qytetit çdo vit, sipas shifrave zyrtare.
Udhëtimet mund të zgjasin prej 10 minuta deri në disa orë, varësisht destinacionit.
Për disa pasagjerë, tragetet përbëjnë udhëtime të hijshme drejt punës, duke u shndërruar, nganjëherë, në zyra të përkohshme, ku telefonat cingërojnë, llaptopët gumëzhijnë, ndërsa zërat garojnë për t’u dëgjuar me zhurmën e motorëve.
Për të tjerë, anijet mundësojnë një ikje lundruese, një largim të shkurtër nga vrulli i përditshmërisë në një qytet plot gjallëri të 16 milionë njerëzve.
“Udhëtimi me traget më rimbush energjinë e harxhuar”, thotë Ali Akgun, i cili jeton në Stamboll që gati 50 vjet. “E dua detin”.
Tragetet bëjnë dhjetëra rrugë nëpër Detin e Marmarasë, një hapësirë ujore plotësisht turke, si dhe nëpër Bosfor, ngushticën që i ndan dhe i lidh Evropën dhe Azinë.
Në vizitën e saj të parë në Stamboll, Leila Bihi, nga Maroku, po përjeton udhëtimin e saj të parë me traget ndërmjet kontinenteve.
“Është tashmë goxha e veçantë të shkosh nga njëri breg [i Bosforit] në tjetrin”, thotë ajo. “T’i shikosh monumentet moderne dhe antike gjatë ezanit. Ta kujton tërë qytetin, historinë e tij, anën mistike të tij”.
Për shumë shekuj, Perandoria Osmane, paraardhësja e Turqisë moderne, kishte përdorur rrugë detare jo vetëm për udhëtime, por edhe për ekspedita ushtarake.
Kryeqyteti i saj, Konstandinopoja, ishte qendër e madhe tregtie, për shkak të vendodhjes së tij strategjike, i rrethuar nga rrugë vitale ujore.
Kjo lidhje e fortë me detin vazhdon në Stamboll, ku uji ka qenë gjithmonë më shumë se një peizazh i bukur.
Ajo është e gërshetuar në strukturën e qytetit shekullor, duke i dhënë formë karakterit të tij dhe jetës së banorëve të vet.
“Unë mendoj se është skena më e bukur në botë”, shprehet Ramin Kargozari, një muzikant që e siguron jetesën duke i rënë kitarës gjatë udhëtimeve me traget. “Të bësh muzikë në ujë, në një traget, është gjë e mrekullueshme”. /REL/