Tragjedia në Koçan / Pritet të hapen edhe lëndë të tjera në Kuvend

    Komisioni i paralajmëruar anketues në Kuvend për tragjedinë në Koçan me shumë gjasa do të zgjerohet edhe me lëndë të tjera. Nisma fillestare arriti nga LSDM-ja dhe ishte konkretisht e orientuar për zjarrin në diskotekën në Koçan, por kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se përveç për Koçanin, duhet të flitet edhe për spitalin modular në Tetovë, fatkeqësinë në Llaskarcë, shitblerjen e “Soravia” dhe lëndë të tjera.

    “Ne çdoherë jemi në anën e drejtësisë dhe vlerësojmë se nëse kjo është e nevojshme, se të gjithë rastet duhet të kenë epilog të drejtë dhe të rregullt, pa drejtësi selektive”, tha Ilievski.

    Mbështetje për komisionin e tillë dha edhe grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së

    “Nuk kemi asgjë kundër Komisionit të tillë anketues, por do ta zgjerojmë me tragjeditë që kanë ndodhur, siç janë ajo në spitalin modularë, Llaskarca, Besa Trans… kështu që nuk kemi asgjë kundër”. tha Petrushevski

    Për rastin në Koçan paraprakisht BDI kërkoi edhe hetim ndërkombëtarë. Nga kjo parti thonë se qytetarët e meritojnë të vërtetën e jo lojëra politike dhe mbulim të skandaleve. Nga BDI kërkojnë përgjigje nga Qeveria dhe MPB për punën e agjencisë së sigirmit “Rubikon”.

    “Kjo agjenci, e afërt me partinë në pushtet, ishte përgjegjëse për sigurinë e kabaresë në Koçan natën kur ndodhi tragjedia që mori 59 jetë të pafajshme. Prandaj, qeveria ka për detyrë t’i japë publikut përgjigje të qarta. Kush janë klientët e tjerë të “Rubikon”? A kanë pasur kontrata të rregullta sigurie dhe sigurues të licencuar?”, deklaroi Mustafa

    Përndryshe për rastin në paraburgim mbeten më shumë pjesëtarë të sigurimit, nëpunës policor, por edhe ish funksionarë, mes tyre Kreshnik Bekteshi, Goran Trajkovski dhe kryetari i deritanishëm, Lupço Papazov. Nga të gjithë të dyshuarit për të cilët u kërkua masë paraburgimi, në arrest shtëpiak janë vetëm dy ish kryetarët e Koçanit, Ratko Dimitrovski dhe Nikollço Iliev, si dhe ish drejtorja e Inspektoratit të tregut. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Po premtohet disa herë me radhë, “One Stop Shop” pritet të fillojë më 14 prill

    Lajmi i rradhës

    Komunat e Shkupit prononcohen për problemet më të shpeshta që kanë ndërtesat e banimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë