Deputetët nuk miratuan rendin e ditës në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Parlament, ku si pikë e vetme e rendit të ditës ishte iniciativa për mbajtjen e diskutimit për qasjen selektive në hetimin për tragjedinë në Koçan. Deputeti i Frontit Europian, Sadulla Duraku tha se mos-vendosja në rend dite e kësaj iniciative është dëshmi e madhe se pushteti po frikësohet nga e vërteta.
“Përmes kësaj iniciative, çdo institucion duhet të zbardh të vërtetën, për të gjithë qytetarët në Maqedoninë e Veriut, prandaj për shkak se pas kësaj qëndron e vërteta nuk e votuat rendin e ditës. E vërteta është se në Koçan, në atë diskotekë ishin të vrarë nga Mickoski dhe Toshkovski. E vërteta vret, por është më mirë për shtetin dhe qytetarët që këtë iniciativë ta vendosi në rend dite. Mickoski është indirekt i përfshirë në këtë rast, kurse Toshkovski dhe bashkëpunëtorët e tij janë drejtpërdrejtë të përfshirë në rastin Koçani. Mos e kërkoni unazën humbur në errësirë, por kërkoni aty ku është drita”, theksoi deputeti Sadulla Duraku. Me reagim të ashpër edhe deputeti tjetër i Frontit Europian, Blerim Bexheti.
“Do dëshmojmë se është rikonstruuar objekti në Koçan dhe pas rikonstruimit nuk është bërë asnjë veprim për të parandaluar funksionimin e tij”, theksoi Bexheti. “Respektoni rregulloret, mundësoni debat dhe të gjithë të njoftohen me atë që ka ndodhur në Koçan. Ju nuk mund ta mbroni njëri tjetrin dhe fajin ta hedhni diku tjetër. Mua më vjen keq që ju nuk votoni që të debatohet për rastin tragjik në Koçan”, theksoi Bexheti. Ndaj kësaj reagoi kryesuesi i këtij komisioni Ljupço Prenxhov. “Kërcënohuni diku tjetër, kërcënimet tek unë nuk kalojnë. E Dyta, prokurorin Kocevski ju e keni votuar”, tha kryesuesi i Komisionit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, njëherësh deputet i VMRO-DPMNE-së Ljupço Prenxhov.
Ndërkohë, hetimi i tragjedisë së Koçanit ka përplasur ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski me partitë politike opozitare LSDM-në dhe BDI-në, ku ky i pari akuzon opozitën për sulme të koordinuara, ndërsa partitë politike opozitare kërkojnë dorëheqje të parevokueshme të Toshkovskit, si njëri ndër përgjegjësit kryesor për mos-parandalimin e zjarrit që shpërtheu në diskotekën “Pulse”. Ministri Toshkovski nëpërmjet një reagimi në Facebook akuzoi se LSDM, BDI dhe partia “E Majta” kanë bashkuar forcat në përpjekje për të hedhur hijen mbi atë që populli maqedonas ka pritur për tre dekada, pastrimin e korrupsionit dhe dhënien fund të politikës së mosndëshkimit.
“BDI – partia që gjatë viteve të gjata të qeverisjes së bashku me LSDM-në krijuan një shtet të robëruar, me një sistem në të cilin krimi nuk ishte përjashtim, por rregull. Partia që la pas një djerrinë të një gjyqësori të korruptuar, një sistem arsimor jofunksional pa tekste, një sistem shëndetësor që prodhoi tragjedi në vend të ilaçeve, ajër të ndotur që helmon çdo qytetar dhe institucione të kapur nga ushtarët e partisë në vend të profesionistëve”, ka shkruar Pançe Toshkovski. Më tej ai hodhi edhe kritika ndaj LSDM-së. “Nga ana tjetër, LSDM-ja që flet për selektivitet dhe padrejtësi, duhet të kujtojë se gjatë qeverisjes së tyre shtatëvjeçare me BDI-në, vendin e tronditën tri tragjedi të mëdha në të cilat humbën jetën mbi 70 persona. Dhe tani mbani mend mirë: për të gjitha jetët e humbura, LSDM-ja nuk ka bërë asnjë kallëzim penal. Asnjë!”, është shprehur Toshkovski.
Sipas Toshkovskit, roli më interesant është ai i “të Majtës”, të cilët ai i quan “parazitë politikë që jetojnë dhe ushqehen me mllefin popullor të krijuar pikërisht nga partnerët e tyre aktualë, BDI dhe LSDM. “E Majta, e cila prej vitesh nuk e ka humbur rastin për t’u paraqitur si alternativë, në fakt është vetëm një vegël e të njëjtave struktura që i kanë grabitur Maqedonisë të ardhmen. Sot, kur sistemi po pastrohet përfundimisht, “E Majta” ka braktisur parimet e saj të supozuara dhe ka qëndruar në mbrojtje të njerëzve që akuzonte deri dje. Dhe jo sepse janë një parti e re me vizion, por sepse mbijetojnë më së miri në kohët kur sistemi tronditet dhe besimi i qytetarëve te institucionet vritet nga aleatët e tyre dikur të fshehtë, por tani të dukshëm” tha Toshkovski
Nga ana tjetër BDI dhe LSDM kërkojnë dorëheqje të menjëhershme të ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovski. BDI thekson se kur ndodh një tragjedi e madhe si një akt moral duhet të jepet dorëheqje për të shprehur respekt ndaj familjeve të prekura dhe qytetarëve në përgjithësi.
“Pas një tragjedie në të cilën humbën jetën mbi 60 të rinj – tragjedi që duhej të parandalohej drejtpërdrejt nga Ministria e Punëve të Brendshme – as ministri, as drejtori i Byrosë për Siguri Publike nuk kanë dhënë dorëheqje. Përkundrazi, me arrogancë mbulojnë dështimin e tyre. E njëjta figurë që duhej të parandalonte, sot e udhëheq “hetimin”, akuzon të tjerët dhe përmes presioneve politike mbi prokurorinë përpiqet të bëjë pazare për të shpëtuar veten”, theksojnë nga BDI.
Nga kjo parti morën shembull edhe tragjeditë e kaluara, në të cilat personat përgjegjës kanë dhënë dorëheqje.
“Në vitin 1993, kur ra një aeroplan mes Shkupit dhe Ohrit me qindra viktima, ministri Peshev dha dorëheqje. Kur u mbyt një anije me turistë bullgarë, ministri Janakieski bëri të njëjtën gjë – edhe pse dorëheqja nuk u pranua. Pas tragjedisë me spitalin modular në Tetovë, ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, dhanë dorëheqje – edhe pse të papranuara, ato ishin një akt përgjegjësie morale. Edhe kur drejtësia u përkul nën presion politik në rastin e vogëlushit Almir, ministri i Drejtësisë Bilen Salihu dha dorëheqje – si një akt i sinqertë përballë padrejtësisë”, theksojnë nga BDI, duke shtuar se me mos marrjen e përgjegjësisë qeveria aktuale po dëshmon se nuk është e përgjegjshme dhe se po flijon qytetarët dhe të vërtetën.
Edher LSDM kërkon dorëheqje të menjëhershme nga Toshkovski. Social-demokratët vlerësojnë se nëse opinioni e ndjek hetimin, krijojnë përshtypje se tragjedia nuk ka ndodhur tani, por në të kaluarën.
“Kanë kaluar plot 30 ditë nga tragjedia në Koçan, ndërsa Toshkovski ende nuk ka identifikuar asnjë fajtor mes eprorëve dhe zyrtarëve aktualë të MPB-së, të cilët kanë qenë drejtpërdrejt përgjegjës për sigurinë e qytetarëve. Në vend që sot të ankohet në Facebook se opozita e sulmon, si një minimum i ndjenjës së përgjegjësisë personale, duhet të japë dorëheqje. Para dorëheqjes, duhet t’i arrestojë të gjithë shtatë komandantët për të cilët të gjithë ekspertët juridikë në vend thanë qartë se kanë përgjegjësi direkte për ngjarjen”, theksoi Mile Talevski në press-konferencë nga selia e LSDM-së.
Ai më tej tha se “ndërkohë që zyrtarë të zakonshëm ndiqen penalisht dhe thirren për në pyetje, ndërsa hetimi është zgjeruar deri në vitin 2012, personat që realisht kanë pasur pushtet dhe detyrë për të parandaluar tragjedinë – mbeten të paprekur. Komandantë, shefa, persona nga Byroja për Siguri Publike, madje edhe policë që kanë qenë në vendngjarje atë natë, asnjëri prej tyre nuk është thirrur, as nuk po hetohet. Kjo është turp. Kjo është provë e drejtpërdrejtë për drejtësi selektive”, u shpreh Talevski.
Nga partia opozitare maqedonase shprehen se prova më e madhe për dështim moral është fakti se një këshilltare e VMRO-DPMNE-së në Këshillin Komunal të Koçanit dha dorëheqje, ndërsa ministri jo. Social-demokratët më tej theksojnë se reagimet e Toshkovskit nëpër rrjete sociale bëhen me qëllim për të heshtur të vërtetën dhe zërin kritik. LSDM nuk do të heshtë, i përcjellim Toshkovskit që shkrimet e tij në Facebook t’i mbajë për vete. As nuk do të na frikësojë, as nuk do të na heshtë. Do të vazhdojmë t’i hapim këto çështje dhe do të insistojmë në një hetim tërësisht të pavarur, jo-selektiv dhe të plotë. Do të kërkojmë të hetohet edhe përgjegjësia e atyre që kanë qenë në krye – sepse pikërisht ata e drejtojnë policinë që ka parë, ka ditur, por nuk ka bërë asgjë. Drejtësi për Koçanin nuk do të ketë derisa ata që kanë mundur ta parandalojnë tragjedinë të mos japin llogari”, tha deputeti Talevski në një pres konferencë nga LSDM. Sipas tij, është e pakuptimtë që funksionarët e VMRO-DPMNE-së trajtohen si të paprekshëm.
Përndryshe, deri më tani, Prokuroria ka identifikuar gjithsej 61 të dyshuar, mes të cilëve ish-ministra, drejtorë, zyrtarë policorë, inspektorë, kryetarë komunash, persona nga kabareja “Puls” dhe sigurimi i saj. Ministri pa Portofol, Shaban Saliu, inspektori i përgjithshëm i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, një inspektore tregtare nga Vinica dhe një udhëheqës në Ministrinë e Ekonomisë janë ndër katër personat ndaj të cilëve është caktuar paraburgim në kuadër të hetimit të zgjeruar për tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën 61 persona.
Arrest shtëpiak u është caktuar ish-ministrave të Ekonomisë, Bekim Neziri dhe Valon Saraçini, ndërsa ndaj ish-ministrit dhe ambasadorit aktual, Driton Kuçi, janë shqiptuar masa kujdesi. Nën arrest shtëpiak janë edhe drejtori aktual dhe ai i mëparshëm i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Selami dhe Adnan Xhaferovski. Institucionet që janë objekt hetimi përfshijnë Ministrinë e Ekonomisë, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim si dhe Inspektoratin Tregtar, me fokus në periudhën nga viti 2012 deri në ditën e tragjedisë, 16 mars 2025. Prokuroria vazhdon ta zgjerojë rrethin e përgjegjësve për tragjedinë. /Koha/