Në Gjykatën Themelore të Tetovës sot vazhdoi gjykimi për rastin e djegies së Spitalit Modular në Tetovë, ngjarje tragjike që ndodhi në shtator të vitit 2021 dhe që mori jetën e 14 pacientëve, përcjell Nistori.
Në këtë seancë u prezantuan dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria, ndërsa të akuzuar në këtë proces janë ish-drejtori mjekësor i spitalit Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik Artan Etemi dhe vetë institucioni – ISHP Spitali Klinik i Tetovës, si person juridik.
Besimi dhe Etemi përballen me akuzën për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa spitali akuzohet për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Procesi gjyqësor është duke u zhvilluar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Gostivar, e cila ktheu rastin për rigjykim në shkallën e parë.
Seanca e radhës është caktuar për datën 12 maj, kur pritet të lexohen fjalët përfundimtare nga palët.
Ngjarja vazhdon të mbetet një plagë e hapur për qytetin dhe familjarët e viktimave, ndërsa opinioni publik ndjek me vëmendje e ndjeshmëri rrjedhën e këtij procesi gjyqësor.