Tragjedia në Tetovë | Dorëheqjet morale presin fundin e hetimeve

    Autoritetet në Maqedoninë e Veriut nuk po tregojnë se deri ku kanë arritur hetimet për zjarrin në spitalin e Tetovës, ku humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjerë u lënduan.

    Po ashtu, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev më 13 shtator deklaroi ashtu siç kishte shkruar dy ditë më herët në Facebook, se për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë dhe zëvendësit të tij, por edhe për drejtuesit e spitalit të Tetovës, do të vendosë pasi të përfundojnë hetimet për këtë rast.

    Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, dhanë dorëheqje për arsye morale.

    Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19.

    Në pyetjet e gazetarëve drejtuar kryeministrit Zaev se pse ai po shtyn pranimin e dorëheqjeve të zyrtarëve të lartë të sektorit të shëndetësisë, ai tha se për dorëheqjet do të vendosë pasi të ketë informacionet nga raportet e forenzikës, të ekspertëve dhe institucioneve përkatëse që zhvillojnë hetimet në këtë rast.

    “Tragjedi ndodhin në gjithë botën. Siç e kam thënë në kumtesën për media, e vlerësoj aktin e lart moral të ministrit, zëvendësministrit dhe drejtorëve të spitalit të Tetovës. Kjo si një akt, që mbi të gjitha është marr për shkaqe njerëzore, akt për shkaqe morale dhe etike… dhe ja ata kanë dorëzuar dorëheqjen. Nuk mendoj se e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqje për këtë”, u shpreh Zaev.

    Ai shtoi se ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij, por edhe drejtuesit e spitalit të Tetovës do të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre nga detyra.

    Por, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE  ka theksuar se deputetët e kësaj partia, që në mbledhjen e parë të kuvendit, do të kërkojnë shkarkimin e ministrit Filipçe dhe të zëvendësit e tij, nëse këta dy zyrtarë, deri më 14 shtator, nuk dorëzojnë dorëheqjet e tyre në kuvend.

    Njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri thotë për Radion Evropa e Lirë se pas zvarritjes për pranimin e dorëheqjeve fshihen kalkulime të partive në pushtet – Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim – që druajnë se këto dorëheqje mund të ndikojnë në humbjen e besueshmërisë te elektorati në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar që të mbahen më 17 tetor.

    “Dorëheqjet në këtë rast, në opinion mund të interpretohen ose kuptohen edhe si marrje e fajësisë. Pasi këto figura të rëndësishme në dikasterin e shëndetësisë, që dhanë dorëheqje, janë edhe figura kyçe në partitë e tyre politike në Lidhjen Social Demokrate, por edhe në Bashkimin Demokratik për Integrim. Këto dy parti tani po bëjnë kalkulime edhe në drejtim të mënjanimit të keqkuptimeve në opinion dhe synimit për ta pamundësuar opozitën që ta sulmojë pushtetin për tragjedinë që ndodhi në Tetovë”, thotë Neziri.

    Ndërkaq, Lubomir Gjurçevski, ish-zyrar i lart policor, njëherësh profesor për çështje të sigurisë, thotë se nuk ka kuptim që për përgjegjësi morale të pritet epilogu i hetimeve, pasi siç thotë ai, përgjegjësia morale nuk ka të bëjë me përgjegjësinë penale.

    “Nuk themi se me dorëheqje për arsye morale, në rastin konkret të ministrit të Shëndetësisë, ai ka edhe përgjegjësi penale. Por, nëse ka ndodhur diçka e keqe në sektorin e tij, do të thotë se diçka ka shkuar keq, këtu flasim për përgjegjësi morale, për etikë në punë”, thotë Gjurçevski.

    Lajmi Paraprak

    SPB-Tetovë: Emshiut në veturë i kanë ngjitur letër “Ke kujdes”

    Lajmi i rradhës

    Pandemia, si do të jenë gjashtë muajt e ardhshëm?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë