Tronditja nga tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan ende nuk është fashitur. Pas mbarimit të shtatë ditëve të zisë, tashmë po paralajmërohen protesta për të shprehur mllefin ndaj sistemit që po vazhdon të merr jetë njerëzish. Ndërsa qytetarët kërkojnë përgjegjësi, skena politike po zien nga akuzat dhe kundër-akuzat. Përderisa 59 viktima janë tashmë një fakt i hidhur, një pyetje po vlon në opinion: A do të ketë drejtësi të vërtetë apo ky rast do të shërbejë si një mjet për hakmarrje politike? Kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen se si i komenton paralajmërimet për protesta, tha se e mirëkupton nervozën e qytetarëve dhe protestat, por “nuk mund të justifikojë faktin që grupe të caktuara po keqpërdorin tragjedinë për të fituar pikë politike”. Ai tha se edhe ai vet është i nervozuar me këtë sistem, ndërsa paralajmëroi se do të vazhdojë luftën që, siç u shpreh, ka filluar nëntë muaj më parë.
Megjithatë edhe pse tregon mirëkuptim për protestat, ai nuk heziton që të njëjtat ti komenton si mundësi të grupeve të caktuara për të dobësuar VMRO-DPMNE-në. “Absolutisht i respektojë të gjithë ato që kanë vendosur që mllefin e tyre ta shprehin nëpërmjet mjeteve demokratike, e ato janë protestat, por nuk i justifikoj ‘shushunjat’ politike që nuk duan një qeveri të fortë të VMRO-DPMNE-së, e cila është mburoja që nuk do të lejojë shkatërrimin e Maqedonisë”, theksoi Mickoski.
Sipas kryeministrit, kjo qeveri ishte mburojë në shumë aspekte për të mos lejuar vazhdimin e poshtërimit, plaçkitjes dhe shkatërrimit kombëtar të Maqedonisë, por tha se asgjë nuk mund të bëhet brenda natës. “Pikërisht kjo është problemi për ata brejtës politikë, të cilët përmes këtyre protestave duan të fitojnë ndonjë pikë politike dhe shohin një mundësi. Unë absolutisht mbështes shprehjen e revoltës dhe zemërimit, sepse ende kemi shumë gjëra për të zgjidhur përpara, por do të luftojmë deri në atomin e fundit të energjisë që kemi, për të rregulluar diçka në emër të gjeneratave të ardhshme. Nga tani e tutje, unë vetëm do të dëshiroja që të gjithë të mbetemi të fokusuar dhe të bashkuar në zgjidhjen e problemeve”, theksoi kryeministri Mickoski.
BDI: NUK PO FAJËSOHEN PËRGJEGJËSIT E VËRTETË
Ndërkohë, partitë opozitare bëjnë thirrje për hetim transparent dhe të plotë të rastit, ndërsa bëjnë thirrje që të mos ketë drejtësi selektive. BDI vlerëson se që nga momentet e para të tragjedisë, përderisa qytetarët ishin në shok, krerët e pushtetit, në vend që të tregojnë dhembshuri nisën një ndjekje politike, përmes akuzave, kërcënimeve dhe propagandës.
“U ndërtua një narrativ sipas cilës licenca e dhënë vite më parë e ka fajin dhe u bë bazë për arrestimin e një ish-ministri – me pranga, kamera dhe ballina gazetash. Edhe pse të gjithë e dinë se licencat nuk janë të përhershme, nuk vazhdojnë automatikisht, të gjithë e dinë se kanë kaluar vite që kur kanë skaduar, dhe madje edhe ajo konkrete – e falsifikuara – kishte përfunduar tre ditë para tragjedisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga partia e Ali Ahmetit potencojnë se objekti ishte mbyllur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike disa muaj më parë, dhe shumë shpejt më pas ishte rihapur në mënyrë të paligjshme. Integristët shprehen se përderisa të gjithë e kanë ditur se objekti është frekuentuar nga të miturit, se ka tejkaluar rregullisht numrin e kapacitetit dhe se ka punuar në kundërshtim me ligjin, nuk kanë reaguar. Nga BDI parashtrojnë pyetje se përse institucionet shtetërore,policia, inspektorët nuk kanë reaguar.
“Ai vend nuk ishte një lokal i zakonshëm. Ai ishte vendtakimi joformal i gjithë elitës politike, kriminale dhe të biznesit të Koçanit dhe të rajonit përreth. Nga kryetarë komunash, deputetë dhe kryetarë degësh të partive, e deri te inspektorë, komandantë dhe funksionarë – të gjithë ishin mysafirë të rregullt, në lidhje të ngushta me pronarin dhe ekipin e tij; të gjithë e kishin të qartë se pas këtij objekti qëndronin njerëz të fuqishëm që e mbronin, dhe për këtë arsye askush nuk duhej të bëjë pyetje”, theksojnë nga BDI.
LSDM: HETIMI ËSHTË SELEKTIV
Nga ana tjetër, edhe nga LSDM shprehin shqetësime se ky rast po merr trajtën politike dhe se hetimi po bëhet selektiv. A është e vërtetë se: Asnjë nga komandantët, inspektorët dhe drejtuesit e BSP dhe MPB në Koçan dhe SPB Shtip, të cilët duhet të kishin dijeni për atë që po ndodhte, nuk janë në paraburgim? A është duke u zhvilluar hetim ndaj ndonjërit prej tyre? Dhe nëse jo, si është e mundur të mos hetohen personat që atë natë kanë qenë në pozita përgjegjëse, me detyrë dhe autorizim për të ndërhyrë por nuk e kanë bërë këtë? A është e vërtetë se të shtatë të punësuarit në MPB, të cilët aktualisht janë në paraburgim, nuk kanë qenë në pozita funksionale ditën e zjarrit në diskotekë?”, u shpreh nënkryetari I LSDM-së, Martin Kostovki nëpërmjet një pres konference.
Nga “Bihaçka” shprehen se Ligji për tubimet publike është i qartë dhe se në të nënvizohet se për cilat ngjarje publike është përgjegjëse policia.
“Sipas informacioneve, në këtë ngjarje kanë qenë të pranishëm 650 persona. Në përputhje me ligjin, policia ka pasur detyrimin të ketë njohuri operative për këtë ngjarje dhe ta siguronte atë, edhe nëse organizatori nuk e kishte njoftuar. MPB në Koçan nuk e ka bërë këtë. Nëse MPB do të kishte vepruar sipas ligjit, do të kishte siguruar praninë e Brigadës së Zjarrfikësve, Ndihmës së Shpejtë, një numër të mjaftueshëm të punonjësve të policisë dhe të gjitha masat e tjera të sigurisë për një ngjarje të tillë, duke bërë të mundur madje edhe parandalimin e tragjedisë”, theksoi nënkryetari I LSDM-së, Kostovski. Ai tha se bazuar në pamjet filmike shihet qartë se policia ka qenë e pranishme në objekt, gjë që ngre pikëpyetje tjera.
“A kanë kryer të gjithë përgjegjësit në MPB atë natë vepër penale përmes mosveprimit? A janë përjashtuar nga përgjegjësia zyrtarë, drejtues dhe komandantë që kanë qenë në detyrë atë natë?”, tha Kostovski. Nëse hetimi në vazhdim nuk i përfshin edhe ata, LSDM, me ekipin e saj ligjor, do të paraqesë kallëzime penale të përshtatshme. Përndryshe si pasojë e zjarrit që shpërtheu më 16 mars në diskotekën “Puls” në Koçan, humbën jetën 59 persona, ndërsa mbi 190 të tjerë u lënduan.
KATËR PACIENTË NË GJENDJE KRITIKE, TETË KTHEHEN NGA JASHTË
Pas të gjitha hulumtimeve të bëra, sot nga institucionet shëndetësore publike në Shkup pritet të lëshohen 16 pacientë nga tragjedia në Koçan. Siç paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ata do të vazhdojnë me mjekim në kushte shtëpiake. Tridhjetë pacientë do të vazhdojnë të mjekohen në institucionet shëndetësore publike të kryeqytetit. Ministri tha se në shtet për momentin po mjekohen 54 pacientë nga tragjedia në Koçan. 46 në institucionet shëndetësore publike, ndërsa tetë në spitale private.
Nga ata në shëndetësinë publike, 26 po mjekohen në Qendrën klinike “Nëna Terezë”, tre në KARMI, gjashtë në Kirurgjinë plastike, 11 në Toksikologji, nga dy në Pulmologji dhe kirurgjinë e fëmijëve dhe nga një në Kirurgjinë torakale dhe Oftalmologji. Nga dhjetë persona po mjekohen në SPQ “8 Shtatori” dhe Klinikën për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”. Jashtë vendit po mjekohen 115 pacientë. Ministri tha se katër persona të cilët janë në mjekim jashtë vendit, ndodhen në gjendje kritike. Këtë javë pritet që tetë prej atyre që janë jashtë vendit, të kthehen në klinikat te ne. /Koha/