TRANSFERET DHE KOALICIONIMET / Mes ideologjisë dhe klientelizmit!  

    Transformimet nga kritikë të zjarrtë në partnerë politikë, rirenditjet parazgjedhore, nënshkrimet e memorandumeve dhe marrëveshjeve të koalicionit, kalimi nga njëra anë në tjetrën, pushtojnë skenën politike ndërsa numërojnë ditët kur partitë politike duhet të finalizojnë listat e kandidatëve për deputetë. Afati për dorëzimin e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) skadon më 2 prill, pas së cilës do të duhet të konfirmohen zyrtarisht të gjithë emrat e kandidatëve nga gjashtë njësitë zgjedhore. Listat e plota do të tregojnë gjithashtu se sa vende u kanë dhënë partitë kryesore partnerëve të tyre më të vegjël.

    Rigrupimet, për disa analistë, tregojnë klientelizëm politik dhe për disa nga partitë më të vogla, respektim të parimit “gjithmonë me fituesin”. Ndërrimi i palëve në prag të zgjedhjeve të 8 majit shkaktoi edhe shkëndija në marrëdhëniet e kryeministrit Talat Xhaferi me drejtorin e Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov. Pas seancës së 26 marsit Qeveria njoftoi se në seancën e radhës do të “vendosin për zgjidhjen kadrore në QMK”, e cila vjen pasi Angellovi njoftoi se largohet nga koalicioni me LSDM-në dhe kalon në VMRO. Si arsye ai ka përmendur mospërmbushjen e kërkesës për dëmshpërblim familjarëve të “branitellave”.

    IDEOLOGJI APO KLIENTELIZËM

    Partia Dinjiteti i AngeLlovit është një nga shtatë partitë me të cilat opozita mburrej se po kalonin në anën e tyre. Prej tyre, pesë janë parti që ishin pjesë e koalicionit të LSDM-së, si Të bashkuar për Maqedoninë e Lube Boshkoskit dhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov. Të tjerët, si TMRO dhe Koncepti Maqedonas, vepruan në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim me parti të tjera më të vogla.

    Transferet e tilla nga një koalicion në tjetrin, sipas analistit Petar Arsovski, as nuk do t’i heqin votat e rëndësishme LSDM-së dhe as nuk do t’i sjellin ato në VMRO-DPMNE. “Arsyeja kryesore nuk është kjo. Ndër partitë më të vogla, arsyeja kryesore e riorganizimit është pragmatizmi, pra anojnë drejt fituesit dhe klientelizmit të pastër politik. Me partitë më të mëdha është më simbolike të krijohet përshtypja e një fronti të madh dhe një cunami se të gjithë u bashkohen atyre sesa nga kalkulimi se sa vota do të marrin nga partitë e vogla”, thotë Arsovski. Sipas tij, në raste të tilla nuk ka ideologji mes palëve, por vetëm klientelizëm.

    Ndërkaq, politologu Marjan Vuçkoviq thotë se nevoja për të paraqitur një koalicion të gjerë i ndihmon partitë në disa mënyra.

    “Në luftën për vota, të gjithë janë të rëndësishëm. Partitë e vogla zakonisht kanë një histori më të gjatë në skenën politike dhe një kredibilitet të caktuar tek një pjesë e elektoratit. Për ata që janë votues të pavendosur dhe do të shkojnë të votojnë, zakonisht vendosin të votojnë për fituesin – pra atë që ka një probabilitet më të madh. Pra, votuesit e paorientuar zakonisht llogaritin numrin e partive si pikë referimi për madhësinë e koalicionit, pasi nuk dihet saktë anëtarësia”, ka deklaruar Marjan Vuçkoviq, politolog.

    Lajmet për marrëveshjet e reja të koalicionit kanë ardhur edhe nga partitë e tjera këto ditë. Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen për Republikën e Re të Ivon Veliçkovskit. Bashkëpunimin me socialdemokratët e vazhdojnë edhe partnerët e mëparshëm, si PLD, RDM, PRSD, Partia për Lëvizjen e Turqve, POEN…

    BDI, nga ana tjetër, ka nënshkruar marrëveshje me Partinë Demokratike Turke. Dje u nënshkrua marrëveshja e koalicionit mes Unionit të Romëve të Kurto Dudushit dhe BDI-së. Në Frontin Evropian do të jenë edhe PDSH-në e Menduh Thaçit dhe Partinë Demokratike Evropiane të Arianit Hoxhës. Më herët kreu i partisë Ali Ahmeti zyrtarizoi bashkëpunimin me Lëvizjen Populli të deputetit Skender Rexhepi.  Ndërkaq dje Kuvendi i ASH-së së Ziadin Selës, dha dritë jeshile për tu bashkëngjitur Frontit Evropian të udhëhequr nga Ali Ahmeti.

    Kundër tyre, nga ana tjetër, është koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare, ku bëjnë pjesë Lëvizja BESA e Bilall Kasamit, Alternativa e Afrim Gashit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhiti dhe ASH e Arben Taravarit.

    SA DEPUTETË DO TË FITOJNË PARTITË E VOGLA?

    Partitë tashmë kanë promovuar kandidatët për të gjashtë njësitë zgjedhore, ndërsa në opinion veçmë u publikuan informacione se cilët emra do të zënë vendet më të ulëta në lista. VMRO-DPMNE pritet të prezantojë zyrtarisht listat e saj këtë fundjavë. Por nuk do të ketë vend për partnerët e rinj të koalicionit. Partia, siç u informua nga atje, do t’u japë vetëm tre vende kandidatëve nga partitë më të vogla që janë tradicionalisht në koalicion me të – dy për Partinë Socialiste të Maqedonisë të udhëhequr nga Lupço Dimovski dhe një për Partinë Demokratike të Serbëve në Maqedoni të udhëhequr nga Ivan Stoillkoviç.

    Ambienti politik dhe fakti që sondazhet e vendosin atë përpara rivalëve të saj, e vendosën atë në një pozitë më të rehatshme gjatë negociatave me partnerët më të vegjël për të ofruar vende në eshalonin e dytë dhe të tretë të pushtetit ekzekutiv pas formimit të qeverisë.

    Stojançe Angellov, si një nga partnerët e rinj të VMRO-DPMNE-së, pretendon se nuk ka kërkuar as deputet.

    “Gjatë bisedimeve me VMRO DPMNE-në, as nuk kemi kërkuar dhe as nuk na është ofruar deputet. Fokusi ynë si përfaqësues i mbrojtësve maqedonas që nga viti 2001 nuk është fitimi i një mandati parlamentar, por kërkimi i zgjidhjeve të problemeve të pjesëtarëve të forcave të sigurisë, pjesëmarrësve në mbrojtjen e Maqedonisë në vitin 2001, si dhe lufta për të drejtat e tyre”, tha Angellov.

    Dinjiteti si parti është formuar në vitin 2011 dhe ka performuar në mënyrë të pavarur në zgjedhjet e atëhershme. Një vit më pas, ai bëri koalicion me VMRO- Popullore, të Bashkuar për Maqedoninë dhe PLD-në, me të cilat mori pjesë në zgjedhjet e vitit 2016. Por në ndërkohë, pra nga fundi i vitit 2012, ai hyri në koalicion me LSDM-në, për t’u larguar në vitin 2013. Në vitin 2017, ai u rikthye në koalicionin e LSDM-së. Ky do të jetë koalicioni i tij i parë me VMRO-DPMNE-në. Për dallim nga Angellovi, Trajanov tashmë ka përvojë me këtë parti. Para se të hynte në koalicion me LSDM-në që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2016, ai ishte në ekipin e VMRO-DPMNE-së, koalicion të cilin e la në vitin 2015. Ai u largua nga koalicioni aktual i socialdemokratëve një vit më parë. Lube Boshkovski, nga ana tjetër, ishte ministër i Punëve të Brendshme nga VMRO-DPMNE, dhe pasi nuk gjeti gjuhë të përbashkët me ish-liderin e partisë Nikolla Gruevski, në vitin 2009 formoi partinë  “Të Bashkuar për Maqedoninë”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pse ndiheni të lodhur pasi keni ngrënë – Çfarë ndodh në organizëm

    Lajmi i rradhës

    Shenjat e mungesës së vitaminës A 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë