Trashëgimia në RMV e brishtë

    “Trashëgimia e qëndrueshme” është tema e sivjetshme e Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore (22-28 shtator), që po zhvillohet në disa qytete në vend. Sipas koordinatorëve të programit kombëtar, Muzeu i Maqedonisë së Veriut, tema fokusohet në rolin aktiv të komuniteteve që ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të sigurt për trashëgiminë evropiane, në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve që ato sjellin. Java u çel të enjten me ekspozitën “Ditët evropiane të trashëgimisë kulturore në Ballkan” në Muzeun e Maqedonisë së Veriut, ndërsa do të pasohet gjatë këtyre ditëve aktivitete në tridhjetë muze të vendit, ku shoqata, shkolla dhe institucione nga katërmbëdhjetë qytete do të prezantojnë përmbajtje të ndryshme kulturore. Për vetë autoritetet shtetërore mbrojtja e trashëgimisë deklarohet se është vënë në fokus të prioriteteve, por edhe kritikave për neglizhencën institucionale në vite.

    Një pjesë e mirë e thesareve të trashëgimisë kulturore gjenden në rrezik, të destinuara të shkatërrohen nga abuzimet, kushtet klimatike, faktori njeri, kontestet pronësore dhe neglizhenca institucionale. Historiani i artit dhe anëtar i Këshillit për Trashëgiminë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve (AMSHA), Behixhudin Shehapi, vëren se pavarësisht përpjekjeve dhe strategjive kombëtare të hartuara mbetet shumë për të bërë. Kulturat e mbyllura deri tani duhet të afirmohen dhe ato nuk duhet të ndahen në të mëdha e të vogla, të një etnie apo të një tjetre.

    “Në përgjithësi promovimi i trashëgimisë kulturore njëidentitare nuk duhet të dominojë. Në strategjinë kombëtare të kulturës intenca është që trashëgimia të zhvillohet si multilaterale, participative… Sesa kjo ndikuar në kulturat e përkatësive të tjera etnike mbeten dilema dhe sa kemi arritur do ta tregojë koha. Java evropiane për trashëgiminë e vë theksin pikërisht këtu në afirmimin e multikulturalizimit dhe ndihmon në qëllimin e përbashkët për zhvillimin e një trashëgimie të qëndrueshme”, thotë Shehapi.

    Ai shton se ka shumë lokalitete arkeologjike e monumente të trashëgimisë që mbeten thjesht projekte të parealizuara. Mes tyre veçon lokalitetin arkeologjik të Gradecit në Gostivar, kalanë në Tetovë, kalanë në Shkup, e të tjera.

    Ditët Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, si nismë e përbashkët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, janë ndër ngjarjet kulturore më të festuara në Evropë. Mbi 50 mijë evente që do të zhvillohen këtë vit në të gjithë kontinentin, synojnë të njohin vlerën e trashëgimisë së përbashkët evropiane dhe nevojën e ruajtjes së saj për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

    Në muajin shtator në të gjithë Evropën zhvillohen një sërë aktivitetesh (ekspozita, punëtori, performanca, vizita të organizuara me guida), të cilat promovojnë trashëgiminë e qëndrueshme, ndërsa theksojnë rëndësinë e pasurive natyrore dhe biodiversitetit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Klasat në Dibër pa defektolog dhe logopoed

    Lajmi i rradhës

    SBAShK: Greva në arsim do të vazhdojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë