“Trauma, dhimbje dhe vuajtje”, hetimi zbulon keqtrajtimin e adoleshentëve në spitalet e shëndetit mendor

    Më shumë se 20 ish-pacientë kanë treguar se trajtoheshin më keq se kafshët gjatë kujdesit që morën në spitalet e shëndetit mendor për adoleshentët i administruar nga “The Huntercombe Group”, në Britani.

    Dëshmitë e mbledhura gjatë një hetimi nga Sky News ngritën pretendime për kufizim të tepruar dhe personel joadekuat, të cilët nuk u kujdesën siç duhet për të rinjtë.

    Pacientët përshkruan se ishin lënë në dhoma me gjak në mure dhe akuzojnë stafin se nuk i parandaloi ata që të mos e lëndonin veten.

    Nëna e një vajze, e cila dëshiron të mbetet anonime, tha se pacientët “trajtoheshin më keq se kafshët” dhe shumë prej tyre përjetuan trauma, dhimbje dhe vuajtje.

    Akuzat shtrihen në më shumë se një dekadë, duke ndikuar tek adoleshentët që trajtohen për probleme serioze të shëndetit mendor nga Grupi Huntercombe, i financuar nga NHS, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar na Britaninë e Madhe.

    Sky News ka paraqitur gjetjet e tij në Departamentin e Shëndetësisë, i cili i përshkroi akuzat shumë shqetësuese.

    Sky News kaloi muaj duke gjurmuar grupin, shumica e të cilëve nuk e njohin njëri-tjetrin, në një hetim të përbashkët me The Independent.

    18-vjeçarja Alice Sweeting, e cila ishte në njësinë Maidenhead të Huntercombe për 14 muaj deri në vjeshtën e vitit të kaluar, tha: Askush nuk do të përmirësohet në atë mjedis. Mendoj se është e tmerrshme. Nuk duhet të jetë e hapur.

    Të paktën tre nga ish-pacientët zbuluan se ata janë diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD) që kur u larguan nga njësitë.

    Amber Rehman, 18 vjeç, tha se koha që kaloi atje e përkeqësoi gjendjen e saj të shëndetit mendor.

    “Nuk ndalon. Unë thjesht dua të vazhdoj përpara”, tha ajo.

    Sky News ka parë rishikime të pavarura,  të porositura nga The Huntercombe Group – të cilat ngrenë shqetësime në kujdesin e tre prej të rinjve me të cilët ka folur. Dy nga raportet e përshkruajnë kufizim “shtrëngues” të të rinjve.

    Mund të zbulojmë gjithashtu se NHS i ka paguar Huntercombe Group afërsisht 190 milionë paund që nga viti 2015 për të ofruar shërbime spitalore për shëndetin mendor të adoleshentëve, pavarësisht kritikave të përsëritura në lidhje me standardin e kujdesit që pacientët kanë marrë në njësitë e tij.

    Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social tha: Akuzat për keqtrajtim që janë ngritur janë thellësisht shqetësuese.

    “Ne i marrim këto raporte shumë seriozisht dhe po hetojmë shqetësimet e ngritura dhe po punojmë me NHS England dhe CQC (Komisioni i Cilësisë së Kujdesit) për të siguruar që të gjitha mjediset spitalore të shëndetit mendor po ofrojnë standardin e kujdesit që presim”, shtoi ai.

    Ish-komisionerja e fëmijëve, Anne Longfield e cila kryeson një rishikim të pavarur të kujdesit të shëndetit mendor të spitalit në Angli, i përshkroi akuzat si “barbare” dhe i bëri thirrje CQC të riinspektojë njësitë “urgjentisht” dhe të flasë me të rinjtë që Sky ka intervistuar.

    Policia po heton vdekjen e pacientit

    Grupi Huntercombe u mor nën administrim nga “Active Care Group” në fund të vitit të kaluar. Dy muaj pas marrjes në dorëzim, një pacient vdiq në njësinë e grupit në Maidenhead, e quajtur Taplow Manor, ndërsa policia po heton aktualisht.

    Tre njësi të tjera të shëndetit mendor të fëmijëve që ishin pjesë e Grupit Huntercombe janë mbyllur.

    Dr. Sylvia Tang, e cila ishte CEO e Grupit Huntercombe që nga qershori 2020 dhe tani është CEO i Active Care Group, tha: Vdekja e një të riu në Taplow Manor në shkurt 2022 ishte një ngjarje tragjike dhe e trishtueshme.

    “Ne kemi marrë tashmë hapa për të bërë përmirësime në shërbim dhe mbetemi të përkushtuar për të ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët tanë. Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë për prindërit e të riut dhe të gjithë ata që janë prekur“, shtoi ajo.

    Pronarët e mëparshëm të The Huntercombe Group- Elli Investments Group i thanë Sky Neës: Na vjen keq që këto spitale dhe shërbime të kujdesit të specializuar, të cilat ishin në pronësi dhe menaxhuar në mënyrë të pavarur nga The Huntercombe Group, nuk arritën të përmbushnin standardet e pritshme për kujdes me cilësi të lartë.

    Një zëdhënës i NHS tha: NHS e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se të gjitha shërbimet duhet të ofrojnë kujdes të sigurt, me cilësi të lartë dhe të përmbushin angazhimet në kontratat e tyre. Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me CQC për të monitoruar, identifikuar dhe ndërmarrë veprimet e duhura aty ku është e nevojshme. /TCh/

    Lajmi Paraprak

    Hysni Ismaili zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Dibër, mollët kalben në pemë | Fermerët: Punuam kot, nuk po shiten

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë