Tre persona, mes tyre një polic, dyshohen për grabitje dhe shantazhe – Prokuroria hap hetim

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar urdhër për fillimin e procedurës hetuese kundër tre personave, mese të cilëve edhe një polic, të dyshuar për grabitje dhe shantazh. Nga prokuroria sqarojnë se dy persona akuzohen se më 23 prill, në mënyrë të paligjshme ia kanë hequr lirinë një personi, kështu që e kanë thirrur të dalë me arsyetimin se kanë nevojë për ndihmë dhe më pas e kanë futur me forcë në veturë dhe janë nisur drejt urës në rrugën Belasica në Shkup.

    Nga prokuroria sqarojnë se automjeti drejtohej nga personi i tretë i cili është punonjës policie dhe ndaj tij procedura është e ndarë dhe do të zhvillohet nga Departamenti për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me uniformë dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve pranë prokurorisë për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    “Përderisa polici ishte duke vozitur, dy të dyshuarit e tjerë e kanë kërcënuar viktimën dhe i kanë shkaktuar plagë me thikë në këmbë dhe shpatull. Kur kanë hyrë nën urë, e kanë nxjerrë me forcë nga vetura dhe të tre e kanë sulmuar fizikisht me shqelma dhe grushta në të gjithë trupin, duke i shkaktuar lëndime të rënda. I kanë marrë rreth 8.000 denarë, aq sa i dëmtuari ka pasur me vete për momentin dhe më pas e kanë lënë të shkojë me kërcënimin se nëse deri më 1 maj nuk i paguan 10.000 euro do ta vrasin atë dhe babain e tij”, thonë nga Prokuroria.

    Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit, ndërsa njëri prej tyre është aktualisht në arrati. Hetimi është në proces dhe organet e drejtësisë po punojnë për të zbardhur të gjitha detajet e këtij ngjarjeje të rëndë kriminale.

    Lajmi Paraprak

    Fillon shpërndarja e materialit zgjedhor për zgjedhjet e dyfishta

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski në Gostivar: të rinjtë e dijnë se çdo herë kam qenë bashkëpunëtori i tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë