Komisioni Europian ka planifikuar investime të reja në energjinë e pastër, në një shumë deri në 487 milionë euro, si pjesë e një pakete të veçantë që përfshin tri shtete të Ballkanit Perëndimor. Lajmi është bërë i ditur pas takimit të mbajtur në Shkup mes Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke shfrytëzuar parafinancimin e vënë në dispozicion për përfituesit që kanë përfunduar të gjithë punën përgatitore, Komisioni Europian i ka propozuar Bordit Operacional të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) një paketë investimi prej 87.7 milionë eurosh.
“Kjo pritet të mobilizojë një total prej 487.3 milionë eurosh për tetë investime të reja në energjinë e pastër në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi”- shkruan në njoftimin e KE-së, më 01.07.2025.
Aty nuk përfshihen si përfituese Kosova, Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Në energji elektrike në kuadër të kësaj pakete është paraparë ndërtimi i linjave ajrore, ndërtimi i nënstacioneve në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Në hidroenergji është paraparë rehabilitimi i hidrocentraleve në Shqipëri dhe Serbi.
Dhe, në ngrohje diellore: integrimi i energjisë së rinovueshme në Sistemin e Ngrohjes së Qarkut Novi Sad në Serbi.
“Këto investime do të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare përmes WBIF”- shkruan në njoftim.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës nëse ka ndonjë arsyetim se pse nuk është përfshirë Kosova, mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk janë përgjigur.
Në anën tjetër, Komisioni Europian ka bërë të ditur se gjatë takimit në Shkup me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka inkurajuar Kosovën të përshpejtojë procesin e miratimit për vënien në fuqi të marrëveshjeve të Instrumentit dhe Huasë për të zhbllokuar parafinancimin.
Komisioni ka deklaruar se mirëpret miratimin nga Bosnja dhe Hercegovina të një drafti të Agjendës së Reformës më 27 qershor. Ndërsa ka theksuar se deri më tani, pagesat e parafinancimit janë bërë për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Instrumenti për Reformë dhe Rritje (RRR), sipas të cilit partnerët kanë zhvilluar Agjenda Reformash, është një mjet dhe angazhim i përbashkët ambicioz për të zbatuar më shumë se 600 reforma ambicioze për të cilat BE-ja po ofron 6 miliardë euro si mbështetje financiare.
“Gjatë takimit, Komisionerja Kos kujtoi se ky instrument ka nevojë për drejtim dhe pronësi të qëndrueshme dhe të fortë nga udhëheqësit politikë për të siguruar zbatim të shpejtë dhe të plotë. Kjo do të përshpejtojë rritjen e partnerëve tanë dhe do të sigurojë që ata të përparojnë në rrugën e tyre të pranimit në BE”- shkruan në njoftim.
Që Kosova të përfitojë milionat e parë nga BE-ja nga Plani i Rritjes, që gjithsej deri në vitin 2027 janë 882 milionë, së pari duhet ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës. Pagesat e para të rregullta priten të ekzekutohen ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025 – pati thënë Komisioni Europian në një përgjigje për KALLXO.com në mars të vitit 2025.
Plani i Rritjes për Kosovën përfshin përfitimin e 882 milionë eurove që janë përcaktuar për Kosovën deri në vitin 2027.
“Komisioni dhe Kosova tani janë duke finalizuar hapat proceduralë të cilët duhet të lejojnë që lirimi i parafinancimit të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur në vitin 2025, në pritje të procesit të ratifikimit nga ana e Kosovës” – kanë thënë nga Komisioni Europian.
Ky institucion i BE-së konfirmon se Kosova ka bërë kërkesën për lirimin e parafinancimit deri në 7% të shumës totale të paraparë me këtë Pako (nga shuma fillestare treguese e financimit në dispozicion për secilin përfitues).
Sipas Komisionit, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro ofron një udhërrëfyes për të sjellë ekonomitë e këtyre vendeve më afër Bashkimit Europian përmes reformave dhe investimeve.
Në Kuvendin e Kosovës procedura për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare është e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligje specifike.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 18, specifikon se Kuvendi ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për çështje të caktuara me shumicë të cilësuar (dy të tretat e të gjithë deputetëve).
Gjithashtu, Ligji nr. 04/L-052 për marrëveshjet ndërkombëtare detajon procedurat e ratifikimit – duke përfshirë dorëzimin e marrëveshjeve në Kuvend me iniciativë të vet, ose pas propozimit nga Qeveria.
Megjithatë, në praktikë, Kuvendi ka hasur në vështirësi për të arritur kuorumet e nevojshme për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare – duke rezultuar me dështimin e miratimit të tyre në disa raste.