Tregtarëve u jepet një mundësi: shtyhet afati për prishjen e “Pazarit të grave” në Tetovë

    Shitësit e tezgave në të ashtuquajturin “Pazari i Grave” në Tetovë janë përballur me pasiguri serioze pasi nga Myftinia e Tetovës kanë pranuar një njoftim me të cilin u kërkohet lirimi i hapësirës. Fillimisht, sipas tregtarëve, afati i paraparë ka qenë vetëm një javë, gjë që ka shkaktuar revoltë dhe reagime të ashpra. Tregtarët thonë se në këtë treg ushtrojnë veprimtari tregtare prej më shumë se 30 vitesh dhe se largimi i menjëhershëm është i papranueshëm, veçanërisht duke pasur parasysh investimet e mëdha në mall dhe faktin se nga kjo veprimtari sigurojnë jetesën për familjet e tyre.

    “Jam këtu prej 30 vitesh dhe nga kjo tezge mbaj familjen. Kam mall të blerë në vlerë mbi 18 mijë euro, paguaj 50 euro qira në muaj, ndërsa kam punuar vetëm katër ditë këtë muaj. Nuk është problem pronësia, e dimë që është e BFI-së, por nuk mund të të thonë sot dil, nesër mbyll. Shteti duhet të ofrojë një zgjidhje, të paktën dy apo tre muaj afat dhe një vend alternativ”, shprehet një nga shitësit.

    Edhe tregtarë të tjerë vlerësojnë se vendimi është i pakuptimtë dhe i padrejtë, duke theksuar se tregjet janë pjesë e jetës urbane në çdo qytet.

    “Nuk dimë asnjë qytet në botë pa pazar. Këtu njerëzit kanë investuar në mall, në dyqane dhe kioska. Të thuash sot se javën tjetër gjithçka mbyllet është absurde. Çfarë ndodh me objektet, me familjet, me këtë strukturë ekonomike?”, thotë një tjetër tregtar.

    Sipas tyre, mbyllja e Tregut të Grave do ta bënte Tetovën një nga qytetet e rralla në vend pa një treg tradicional të këtij lloji, ku çdo të enjte grumbullohen shitës dhe blerës nga shumë qytete të Maqedonisë së Veriut.

    Pas reagimeve, Myftiu i Myftinisë së Tetovës, Selver Xhemaili, pas një takimi me tregtarët, sqaroi se është arritur një marrëveshje për shtyrjen e afatit.

    “Në bashkëbisedim me shitësit u dakorduam që ata që kanë mall aktiv të vazhdojnë ta shfrytëzojnë hapësirën deri në fund të muajit gusht, në mënyrë që ta shesin mallin. Ndërsa tezgave dhe kioskat që nuk janë funksionale do t’u kërkohet të largohen. Hapësira më pas do të shfrytëzohet për nevoja të tjera, si parking apo veprimtari të tjera, varësisht nga nevojat”, deklaroi Xhemaili.

    Ndryshe, çdo të enjte në Tetovë mbahet dita tradicionale e tregut, ndërsa përveç Pazarit të Grave, përgjatë trotuareve shpesh shihen edhe shitës të produkteve bujqësore dhe pajisjeve të ndryshme. Megjithatë, prej vitesh vazhdon debati nëse kjo formë e tregtimit në hapësira publike është e lejuar dhe si duhet të rregullohet institucionalisht. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Biznese të reja çdo ditë në RMV, mbyllje masive çdo vit!

    Lajmi i rradhës

    Skenarët për zhvendosjen e “Usjes” dhe rreziqet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë