Triumf bindës dhe rreziku nga pushteti absolut

    Ndërsa partitë në pushtet tani e kanë fuqinë dhe përgjegjësinë në të gjitha nivelet, opozitarët LSDM dhe BDI duhet të kthehen nga vetja në mënyrë që të rikthehen si lojtarë politikë pas humbjes në zgjedhjet lokale

    Partitë në pushtet arritën një triumf bindës në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, që u sjell atyre edhe një përgjegjësi të madhe në periudhën e ardhshme. Opozita, para së gjithash LSDM-ja, është dëmtuar rëndë. A mund të “shpërfytyrohet” pushteti me fuqinë absolute, për çka paralajmëroi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, por edhe si të kthehet opozita pas humbjes?

    Plot 65 nga gjithsej 81 vendet e kryetarëve të komunave në Maqedoninë e Veriut përfunduan në konton e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN. Këtu është edhe partneri i tretë qeveritar, ZNAM, që mbetet në krye të pushtetit lokal në komunën më të madhe të vendit, Kumanovë. Kjo do të thotë se partnerët qeveritarë, përveçse e kanë në duar pushtetin qendror, në katër vitet e ardhshme do të qeverisin edhe në nivel lokal në mbi 80 për qind të komunave dhe qyteteve të shtetit. “Këto ishin zgjedhje lokale dhe ndoshta bëhej fjalë për ofertë për probleme lokale, por është e qartë se me këtë fuqi gjithçka do të jetë në duart e VMRO-DPMNE-së dhe të VLEN-it, nga kanalizimi e deri te euro-integrimet. Mendoj se, pasi të bjerë kjo eufori, do të përballen me presionin e drejtpërdrejtë se gjithçka do të duhet ta zgjidhin ata”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) gazetari dhe analisti politik, Nazim Rashidi.

    Ai thekson se partitë nuk duhet ta konsiderojnë këtë vetëm si “rezultat të mirë për ta”, por duhet të mendojnë edhe për madhësinë e përgjegjësisë që e kanë dhe se tani “në thelb gjithçka do të varet nga veprimet e tyre më tej”. Nga 65 vendet e kryetarëve të komunave të të dy partive, 55 janë të VMRO-DPMNE-së, ndërsa 10 të VLEN-it.

    DOMINIM TASHMË I PARË, POR A ËSHTË MËSUAR LEKSIONI?

    Edhe pse me zgjedhjet lokale udhëheqja dhe bindshmëria e partisë në politikën maqedonase u rritën, megjithatë kjo nuk është aq ndryshe nga e kaluara, vlerëson analisti dhe drejtori i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), Aleksandar Krzhalovski.

    VMRO-DPMNE, krahasuar me zgjedhjet e kaluara kur kishte 42 kryetarë komunash, tani ka një rritje prej 13 vendeve të kryetarëve të komunave. Krzhalovski kujton edhe se dy cikle zgjedhore më parë shteti kishte përjetuar përvojë të ngjashme. Në vitin 2017, atëherë LSDM-ja në pushtet fitoi 57 kryetarë komunash, ndërsa VMRO-DPMNE vetëm pesë. “Gjërat ndryshojnë, veçanërisht tek ne shumë më shpejt sesa mendojnë të gjithë. Prandaj besoj se ai mësim është marrë dhe do të sillen më të kujdesshëm”, thotë Krzhalovski për REL.

    Si ai, ashtu edhe Rashidi shpresojnë se ekziston vetëdije te politikanët dhe se leksioni është mësuar, duke iu referuar edhe deklaratave të vetë politikanëve në natën zgjedhore. Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas shpalljes së fitores bindëse në raundin e dytë paralajmëroi për kujdes. “Çdo zgjedhje është mesazh dhe këto zgjedhje janë mesazh edhe për ne, të mos humbasim në fitore, por të mbajmë përgjegjësinë që na është dhënë nga qytetarët dhe ta arsyetojmë. Të ndryshohemi dhe të përmirësohemi”, deklaroi Mickoski natën e 2 nëntorit.

    SI TË “KTHEHEN” LSDM DHE BDI?

    Ndërsa partitë në pushtet tani e kanë fuqinë dhe përgjegjësinë në të gjitha nivelet, opozitarët LSDM dhe BDI duhet të kthehen nga vetja në mënyrë që të rikthehen si lojtarë politikë pas humbjes në zgjedhjet lokale. “Sigurisht duhet edhe vetë të bëjnë diçka që të kthehen në situatë konkurruese, nga reformat në parti. Me gjasë rishqyrtim i gjithçkaje që ka ndodhur në periudhën e kaluar – nga Marrëveshja e Prespës, nga Marrëveshja me Bullgarinë dhe Propozimi Francez, të shihet sa ndikuan ato në këtë rezultat të zgjedhjeve lokale, por edhe të zgjedhjeve parlamentare vitin e kaluar”, thotë Krzhalovski duke aluduar në LSDM-në.

    Por edhe BDI, siç thekson ai, është parti socialdemokrate sipas ideologjisë së saj dhe prandaj të dyja duhet të rishqyrtojnë nëse duan dhe si të kthehen te socialdemokracia. “Sigurisht duhet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe ta reflektojnë atë në strukturat e tyre partiake, të ketë hapje dhe demokraci të brendshme që njerëzit më të mirë të kthehen ose të mobilizohen të rinj në radhët e tyre”, shton ai.

    Rashidi, ndërkohë, thekson se të dyja partitë janë në pozita të ndryshme, por rezultatet janë alarm për të dyja, jo vetëm për zgjidhjet kadrovike, por edhe për politikat që ndiqen, sepse në skenë kemi edhe ndryshime gjeneratash.

    Socialdemokratët, siç thotë ai, ndoshta janë në njëfarë konsolidimi sepse edhe vetë theksojnë se kanë udhëheqje relativisht të re. Por, pavarësisht kësaj, duhet të përballen me rezultatet dhe të shohin ku gabuan dhe ku nuk ishin aq të zëshëm dhe nuk kritikuan mjaftueshëm, thekson ai. “Për BDI-në, kjo realisht do të duhet të jetë një moment i analizës serioze se ku do të shkojnë më tej. Që nga largimi i Izet Mexhitit dhe lëkundja e asaj që përfaqëson BDI-ja nuk ka një analizë serioze pse po ndodh kjo”, thekson Rashidi.

    Liderët si të LSDM-së ashtu edhe të BDI-së, Venko Filipçe dhe Ali Ahmeti, paralajmëruan ndryshime në kuadro. Filipçe edhe pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në të cilat partia fitoi vetëm gjashtë kryetarë komunash, ishte i prerë se nuk jep dorëheqje, por tha se rezultatet janë mesazh në cilin drejtim do të lëvizë partia. Mes socialdemokratëve dorëheqje ka dhënë tashmë njëra nga nënkryetaret, Ana Çupevska, ndërsa më herët është tërhequr edhe Gjorgji Galetanovski nga posti i njeriut të parë të organizatës qytetare në Shkup, ku partia nuk arriti të hyjë as në raundin e dytë në garën për kryetar të kryeqytetit.

    Në BDI tani për tani nuk ka dorëheqje, dhe Ahmeti në fjalimin e tij dërgoi mesazhe se rezultatet janë thirrje për forcimin e partisë, afrimin me qytetarët dhe rinovimin e radhëve partiake. BDI, e cila në këto zgjedhje e udhëhoqi koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), fitoi vetëm katër vende kryetarësh komunash.

    Zgjedhjet lokale të 19 tetorit – raundi i parë dhe të 2 nëntorit – raundi i dytë, ishin të tetat me radhë në shtet që nga pavarësia në vitin 1991. Ato u mbajtën më pak se dy vjet pasi në zgjedhjet parlamentare të majit 2024, VMRO-DPMNE pas shtatë vitesh në opozitë u kthye në pushtet në nivel qendror. Partia bëri koalicion me VLEN-in dhe ZNAM, duke i dërguar në opozitë LSDM-në, por edhe BDI-në që kishte qenë në pushtet rreth dy dekada. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Këshilli Gjyqësor ka nevojë për 300 punësime

    Lajmi i rradhës

    Shtrenjtime pafund të banesave  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë