Dibranët e kanë përshëndetur paralajmërimin e qeverisë shqiptare se tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbërit do të hapet më 14 mars. Kryetari i Komunës Dibër, Hekuran Duka, duke komentuar përfundimin e tunelit të Murrizit në Rrugën e Arbërit, me çka nga Dibra për në Tiranë do të udhëtohet për vetëm 60 minuta tha se efektet e kësaj rruge do t’i ndjejë edhe Komuna Dibër. Duka për gazetën Koha deklaroi se vet fakti që ka një rrugëtim të shkurtër nga Dibra për në kryeqendrën shqiptare, flet qartë se pritet zhvillim i Komunës Dibër në shumë sfera.
“Sigurisht që për qytetarët e Dibrës, hapja e Rrugës së Arbërit, e veçanërisht përurimi i tunelit të Murrizit përbën një ngjarje tejet të rëndësishme, madje historike. Kjo, sepse Dibra dhe e gjithë krahina e saj, dikur e izoluar nga aspekti infrastrukturor, tashmë shndërrohet në një zonë atraktive për shumë investitorë nga fusha të ndryshme – ekonomike, turizmi, kultura e të tjera”, tha kryetari i Dibrës, Hekuran Duka.
Përfundimet e punëve në tunelin e Murizit, që sipas qeverisë të Shqipërisë, do të përfundojnë në mujain mars, do të mundësojë një frekuentim masiv në rrugën Dibër-Tiranë. Nga ky shkurtim i rrugës do të përfitojnë të gjithë. Fakti që ka një rritje të frekuencës në vendkalimin kufitar “Bllatë” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në afërsi të Dibrës, viteve të fundit, tregon qartë për efektet që jep Rruga e Arbërit.
Me këtë zhvillim, Dibrës deri-diku i kthehet shkëlqimi i dikurshëm, i cili për vite me radhë ishte zbehur, duke e lënë këtë trevë në harresë. Rruga e Arbërit dhe tuneli i Murrizit janë jetike për mirëqenien e dibranëve, dhe ne kemi fatin të përjetojmë këtë arritje madhështore. Efektet në Dibër do të ndjehen si në sferën e biznesit, tregtisë, turizmit e tjerë. Lajmin e kanë përshëndetur edhe biznesmenët dibranë, të cilët janë të bindur se biznesi në të dyja anët e kufirit do të ketë efekte pozitive. Tanimë edhe pse nuk kishin përfunduar punimet tërësisht në Rrugën e Arbërit, frekuenca në kufi u trefishua, thonë biznesmenët dibran. Pa përfunduar tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbërit – deri në Tiranë nga Dibra arrihej për 90 minuta, ndërsa tani me përfundimin e tunelit, do të udhëtohet për 1 orë.
Edhe pushteti vendor i Peshkopisë në anën tjetër të kufirit i ka përshëndetur aktivitetet të përshpejtuara rreth përfundimit të tunelit të Murrizit, si pjesë e Rrugës së Arbërit. Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Rahim Spahiu, ka përsëritur vlerësimin se Rruga e Arbërit ka një domethënie të madhe për Krahinën e Dibrës, në të dy anët e kufirit.
Ndryshe, zëvendëskryeministrja shqiptare dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku pas kontrollit në punime, deklaroi se me lëshimin në përdorim të tunelit të Murrizit, më 14 mars, që është pjesë e autostradës “Rruga e Arbrit”, nga vendkalimit kufitar “Bllatë” i Dibrës deri në Tiranë do të arrihet për një orë. Sipas saj, me lëshimin në përdorim të tunelit, e tërë autostrada do të jetë në funksion, në gjatësi prej 74 kilometrave, përkundër mbi 180 sa ishte më parë.