Ademi: BDI-ja e gatshme të flasë për një Njësi Zgjedhore, me prag prej 5%

    Më në fund BDI-ja deklarohet e gatshme të diskutojë dhe të pranojë modelin me një njësi zgjedhore, shumë kohë pasi kjo parti kishte qenë ithtare e modelit aktual dhe kundërshtarja kryesore e ndryshimit të modelit zgjedhor. Nga kjo parti thonë se do ta bëjnë vetë këtë propozim në grupin e punës për ndryshimet në legjislaturën zgjedhore.

    “Edhe mund të flasim për një njësi zgjedhore por me kompromis sigurisht se edhe e logjikshme është që të kemi një prag prej 5% dhe lista të hapura për deputetë. Kështu mendojmë se kontribuojmë në rritjen dhe përmirësimin e cilësisë në përfaqësim në Kuvend por ama kësisoj kontribuojmë edhe në sigurimin e një stabiliteti politik në Kuvend. Ne do ta propozojmë në grupin punues. BDI-ja do ta propozojë për diskutim”, tha Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

    Nënkryetari i BDI-së Ademi thotë se ndryshimet duhet të miratohen me konsensus. Cilatdo ndryshime për të cilat do të ketë marrëveshje, Ademi thotë se duhet të zbatohen në kohë, në përputhje me rekomandimet e ODIHR-së.

    “Është e rekomandueshme që propozimi të miratohet të paktën gjashtë muaj para ditës së zgjedhjeve. Ne kemi zgjedhur edhe kryetar të grupit punues. Unë pres që të kemi diskutime intensive dhe cilësore në mënyrë që këto afate të arrihen dhe t’u përmbahemi”, u shpreh Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

    Të mërkurën e kaluar për herë të parë u mblodh grupi i punës që do të hartojë Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari i grupit të punës, Aleksandar Novakovski, tha se prioritet është zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR për kodin zgjedhor dhe se paralelisht do të punohet për një kod të ri zgjedhor, ose eventualisht ndryshimin e modelit zgjedhor. Partitë politike nuk kundërshtojnë zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së. Ato rekomandime nuk kundërshtohen as nga VMRO-DPMNE-ja e cila për momentin refuzon të jetë pjesë e këtij grupi të punës.

    Megjithatë partitë kanë pasur shpesh qëndrime të ndryshme për modelin zgjedhor, respektivisht numrin e njësive zgjedhore. Ndërkohë që tashmë janë bërë në një mendje LSDM, VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja dhe partitë më të vogla në koalicion me partitë e mëdha, duke u deklaruar të hapur të flasin për modelin me një njësi, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa kanë qëndrime të tjera, ASH-ja kërkon tetë kurse Besa tre njësi zgjedhore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tre nxënëse në Shkup kërcënuan nëpërmjet TikTok-ut një nxënëse tjetër

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e para për çmimet më të shtrenjta të energjisë për familjarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë