Turqia dhe Rusia arrijnë marrëveshje mbi eksportin e grurit ukrainas

    Një delegacion turk udhëtoi për në Moskë të mërkurën e 22 qershorit për të biseduar mbi mundësinë e rifillimit të eksporteve të grurit nga Ukraina përgjatë Detit të Zi.

    Në takimin që zgjati disa orë në Moskë, përfaqësuesit e ministrive të mbrojtjes të Turqisë dhe Rusisë arritën një marrëveshje për bashkëpunimin e mëtejshëm për kalimin e sigurt të anijeve tregtare turke dhe eksportin e grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi.

    Miliona tonë grurë dhe drithëra të tjerë janë bllokuar prej muajsh në portet e Ukrainës që nga nisja e pushtimit rus, duke sjellë shqetësime mbi krizën dhe rritjen e çmimeve në të gjithë botën.

    “Palët diskutuan për daljen e sigurt të anijeve tregtare turke dhe eksportin e grurit nga portet e Ukrainës, po ashtu edhe mbi lundrimin e sigurt në Detin e Zi”, – thuhet në deklaratën e ministrisë ruse pas takimit të së martës.

    Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur bllokimin e kalimit të anijeve me grurë ukrainas, duke fajësuar sanksionet perëndimore si shkak për krizën ushqimore.

    Turqia, e cila ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën dhe Kievin, ka ofruar të mundësojë kalimin e anijeve nga Ukraina bazuar në një plan të OKB-së që do të garantonte korridore të sigurta në Detin e Zi.

    Të mërkurën një anije mallrash turke u largua nga porti i Mariupolit, qytetit ukrainas të pushtuar nga Rusia, pas një raundi bisedimesh “konstruktive” me Moskën, shkruhet në deklaratën e ministrisë së mbrojtjes të Turqisë, pa specifikuar nëse po transportonte grurë.

    “Takimi në Moskë dha rezultatin e tij të parë konkret,” tha ministria turke në një deklaratë.

    “Vetëm pak orë pas përfundimit të takimit, anija turke e mallrave të thata, e cila priste prej ditësh, u largua nga porti ukrainas.

    Deklarata shtoi se ‘Azov Concord’ u bë anija e parë e huaj që u largua nga porti në Mariupol – një qytet i shkatërruar nga bombardimet ruse. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Si të trajtoni dhimbjen e dhëmbit gjatë natës

    Lajmi i rradhës

    Shkaqet ekonomike dhe politika po i largon të rinjtë nga vendi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë