U mbajt Raundi Rajonal i Olimpiadës së Ekonomiksit në pesë qytete të RMV

    Ditë më parë u mbajt raundi rajonal i Olimpiadës së Ekonomiksit, me pjesëmarrje të 27 shkollave të mesme dhe 256 nxënës nga 8 qytete të vendit, të cilët garuan në pesë rajone testimi. Ky aktivitet organizohet nga Instituti Alternativa Liberale (LAI), Economic Fundamentals Initative nga SHBA-ja dhe Instituti për Edukim Ekonomik INEV nga Republika Çeke, të cilat kanë për qëllim promovimin e edukimit ekonomik tek të rinjtë e vendit, njofton Nistori.

    Olimpiada e Ekonomiksit përbëhet nga katër raunde: shkollor, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Nxënësit më të mirë nga raundi i djeshëm rajonal do të kalojnë në nivel kombëtar, i cili do të mbahet në 24 Qershor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Raundi kombëtar do të jetë ngjarje një-ditore me fjalime të stilit TEDx midis dy fazave të testimit. Të gjitha shkollat pjesëmarrëse, studentët e universiteteve dhe publiku i gjerë janë të ftuar të marrin pjesë në këtë aktivitet.

    Pesë qytetet e testimit rajonal janë Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari dhe Struga, me universitete partnere duke përfshirë Universitetin e Tetovës, Universitetin Nënë Tereza në Shkup dhe Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Partner i raundit kombëtar është Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.

    Përveç testimit, në çdo rajon është organizuar punëtori e hapur e bazuar në librin “EKONOMIKSI I MENDIMIT PRAKTIK”, ku folësit diskutuan tema të ndryshme që lidhen me ekonominë. Nxënësit dhe pjesëmarrësit kishin mundësi të mësojnë nga ekspertë të fushës dhe të fitojnë njohuri mbi çështjet ekonomike të botës reale.

    “Ju urojmë të gjithë nxënësve pjesëmarrës dhe profesorëve të tyre sukses dhe duam t’u kujtojmë të gjithëve se pjesëmarrja në këtë olimpiadë është e rëndësishme. Edhe nëse nuk kalojnë në raundin tjetër, njohuritë e marra nga pjesëmarrja do të jenë të dobishme për ta. ”, tha koordinatori i garave rajonale z. Avni Arifi.

    Olimpiada e Ekonomiksit promovon edukimin ekonomik, një aftësi thelbësore për të rinjtë që do të jetë e dobishme gjatë gjithë jetës së tyre. Përkrahja e donatorëve, mbështetësve dhe institucioneve akademike ofron siguri të mëtejshme se kjo iniciativë është në rrugën e duhur.

    Tre nxënësit me pikët më të larta në çdo rajon do të marrin dhurata nga mbështetja bujare e donatorëve tanë. 50 nxënësit më të mirë nga garat rajonale do të kalojnë në raundin kombëtar, ku pesë nxënësit më të mirë do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në garat ndërkombëtar që do të mbahen në Bratislavë në shtator 2023.

    “Pasi këto gara planifikohen të organizohen çdo vit, inkurajojmë posaçërisht profesorët të angazhohen me nxënësit e tyre për pjesëmarrje më masive në Olimpiadën e Ekonomiksit duke marrë parasysh edhe faktin se mundësi të tilla në gjuhën shqipe janë shumë të rralla. Presim angazhim më të theksuar nga shkollat e mesme ekonomike, të cilat në krahasim me shkollat e tjera të mesme, nuk janë aq aktive edhe pse garat në fushën e tyre përkatëse” – theksoi drejtori i Institutit Alternativa Liberale, z. Orhan Ceka.

    Olimpiada e Ekonomiksit është pjesë e Programit për Edukim Ekonomik, i cili zbatohet nga Instituti Alternativa Liberale në partneritet me Economic Fundamentals Initative. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Xhamia e Ibrit, simboli që pret t’i rikthehet Mitrovicës

    Lajmi i rradhës

    Wagner thotë se Moska i premtoi municione

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë