Uji në fshatrat Poroj, Xhepçisht, Reçicë e Madhe dhe në një pjesë të Reçicës së Vogël nuk i plotëson kushtet për përdorim si ujë i pijshëm. Këtë e bëri të ditur NPK “Sharri”, pas analizave të kryera për cilësinë e ujit, përcjell Nistori.
Sipas njoftimit, ndalesa në Reçicë të Vogël përfshin zonën nga varrezat e fshatit deri në Reçicë të Madhe.
“Pas analizave të kryera për cilësinë e ujit, është konstatuar se uji nuk plotëson kushtet për përdorim si ujë i pijshëm”, njoftoi NPK “Sharri”.
Për shkak të rezultateve të analizave, banorëve u është bërë thirrje që të mos e përdorin ujin për konsum deri në një njoftim të ri.
“Ndalohet përdorimi i ujit për pije deri në një njoftim të mëtejshëm nga institucionet kompetente”, thuhet në njoftim.
Nga NPK “Sharri” sqarojnë se ndërmarrja nuk është përgjegjëse për furnizimin me ujë të këtyre fshatrave, pasi ato nuk janë të lidhura me sistemin e ujësjellësit të qytetit të Tetovës që menaxhohet nga kjo ndërmarrje.
“NPK ‘Sharri’ nuk është kompetente për furnizimin me ujë të këtyre fshatrave, pasi këto vendbanime nuk furnizohen me ujë nga sistemi i ujësjellësit të qytetit të Tetovës, i cili menaxhohet nga NPK ‘Sharri’. Për rrjedhojë, përgjegjësia për furnizimin dhe menaxhimin e ujësjellësit në këto fshatra është në kompetencë të strukturave përkatëse lokale”, theksohet në njoftim.
Megjithatë, ndërmarrja u bën thirrje banorëve që ta respektojnë ndalesën për shkak të rëndësisë së situatës dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
“Banorët këshillohen të respektojnë ndalesën dhe të mos e përdorin ujin për konsum, deri në sigurimin e rezultateve që konfirmojnë se uji është i sigurt për pije”, thuhet më tej.
NPK “Sharri” udhëzon banorët që, për informacione të mëtejshme rreth gjendjes së ujit dhe sistemeve të furnizimit, t’u drejtohen institucioneve dhe bashkësive lokale kompetente. /Nistori/






