Bërvenica në prag të zgjedhjeve, Arkini kërkoi mbështetje në Gurguricë, Jakupi në Çellopek

    Në prag të zgjedhjeve lokale të 18 tetorit në Komunën e Bërvenicës, subjektet politike shqiptare kanë intensifikuar aktivitetet në terren për të mobilizuar mbështetjen e qytetarëve. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në një takim me banorët e Gurguricës në mbështetje të kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahiji, ndërsa dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë vizituar shtabin zgjedhor të kandidatit Jakup Huseini në Çellopek, përcjell Nistori.

    Gjatë takimit në Gurguricë, Ahmeti, së bashku me përfaqësues të AKI-së, ka prezantuar programin dhe prioritetet e kandidatit Arkin Jahiji për drejtimin e Komunës së Bërvenicës. Në fjalimin e tij, ai ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të përgjegjshëm dhe zhvillimit të barabartë të vendbanimeve të komunës.

    “Bërvenica meriton përfaqësim dinjitoz, të denjë dhe të përgjegjshëm. Gurgurica dhe çdo vendbanim i komunës meritojnë një kryetar që i përfaqëson interesat e qytetarëve”, ka deklaruar Ahmeti.

    Ai ka shprehur bindjen se Jahiji përfaqëson alternativën e duhur për drejtimin e komunës, duke theksuar nevojën që qytetarët të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Gjatë fjalimit, Ahmeti ka bërë edhe kritika politike lidhur me zhvillimet e një viti më parë, duke pretenduar se vullneti i qytetarëve ishte tjetërsuar.

    Ndërkohë, në Çellopek, kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, ka pritur në shtabin e tij zgjedhor bashkëkryetarët e koalicionit, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin.

    Pas vizitës në shtab, përfaqësuesit e VLEN-it kanë zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me banorët, në kuadër të aktiviteteve të fushatës zgjedhore.

    Huseini ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke shprehur optimizëm për rezultatin e zgjedhjeve të 18 tetorit.

    “Me këtë përkrahje dhe këtë energji, po i numërojmë ditët deri te fitorja”, ka shkruar Huseini në njoftimin e tij, duke e cilësuar garën zgjedhore si mundësi për ndryshim në drejtimin e komunës.

    Takimet në Gurguricë dhe Çellopek pasqyrojnë angazhimin e dy koalicioneve për të siguruar mbështetje në vendbanimet e Komunës së Bërvenicës, ndërsa kandidatët po prezantojnë ofertat e tyre politike për drejtimin e pushtetit lokal.

    Më 18 tetor, qytetarët e Bërvenicës do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës. Rezultati i votimit do të përcaktojë se cilit kandidat do t’i besohet drejtimi i komunës në mandatin e ardhshëm.

    Lajmi Paraprak

    Dhjetëra mijëra hektarë të djegur në RMV, dyshime për zjarrvënie të qëllimshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë