Ulet prodhimtaria bujqësore, shkak ikja e të rinjve nga vendbanimet rurale

    Maqedonia e Veriut pritet të sigurojë një pjesë të madhe të grurit për nevojat e veta nga prodhimi vendor si dhe të importojë pjesën e mbetura nga rajoni, mirëpo sivjet pritet që të konsumojmë bukë më të shtrenjtë. Sipas të gjitha gjasave, rritja e çmimit të grurit edhe para korrjes dhe bashkë me kostot e rritura që kanë mullinjtë për energji elektrike si dhe transport këtë vit, nuk premtojnë çmim të ulët të miellit. Edhe fermerët presin para korrjes çmim më të lartë të blerjes së rendimenteve së tyre, sepse kishin edhe kosto më të larta të prodhimit. Rritja e kostos së prodhimtarisë bujqësore dhe shtrenjtimi i naftës do të shtrenjtojë edhe prodhimet e ndryshme bujqësore përfshi edhe drithërat. Këtë e tregon edhe rritja nga 12 denarë që kërkohej për çmimin grumbullues të grurit në vitet e kaluara në 22 denarë që kërkohet sivjet për shitblerjen e grurit.

    GRURI NGA 12 NË 22 DENARË

    Në fillimet e korrjes së grurit për bukë, nga Shoqata e Bujqve të Maqedonisë kërkojnë që çmimi grumbullues të jetë nga 20 deri 22 denarë, ndërsa shtojnë se përderisa po zgjat grumbullimi do të rritet çmimi i bukës që ka arritur 35 denarë e tutje, ata do të kërkojnë çmim më të lartë edhe për grurin. Ato kërkojnë përskaj subvencioneve shtesë për mbjelljet e vjeshtës, edhe mbështetje për naftën e gjelbër.

    “Nëse nga një kilogram miell prodhohen tre bukë apo sipas çmimit prej 40 denarë për bukë kushtojnë 120 denarë, ku një e treta dihet të shkojë për fermerët, mullisët dhe fermerët. Njëherësh nga tregtarët kërkojmë pagesë me avans për grurin, për shkak se mjetet nevojiten për plehrat artificial, naftën“, thotë Petar Stojkovski nga Shoqata e Bujqve. Nga ana tjetër, nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thonë se ushqimi dhe sidomos kulturat e drithërave për çdo ditë po shtrenjtohen, ndërsa rritja e çmimeve të derivateve të naftës dhe plehrave artificial po ndikojnë edhe në rritjen e çmimit prodhues të grurit për bukë.

    “Vlerësojmë se mjetet financiare nga Fondi Intervenues të dedikuara për kulturat e drithërave janë të mirëseardhura dhe do të zbusin pasojat në pjesën e prodhimtarisë, megjithatë në këtë drejtim kryesorja do të jetë çmimi shitblerës. Ne disa vite propozojmë  të realizohet grumbullim intervenues nga Rezervat e shtetit në kohën e korrjes që kërkon ndryshime ligjore. Edhe këtë vit nevojitet intervenim, për shkak se çmimi prodhues për shkak të rritjes tejet të madhe të harxhimeve është ndërmjet 22 dhe 23 denarë për kilogram. Në rast se nuk i fitojmë këtë, në vitin e ardhshëm në Maqedoninë e Veriut nuk do të ketë prodhim të grurit”, thotë Memet Sinani, anëtar i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë.

    SIVJET MBI 255 MIJË TONË GRURË VENDOR

    Në ndërkohë vlerësohet se sivjet do të kemi mbi 255 mijë tonë grurë vendor, ndërsa pjesa tjetër do të importohet nga jashtë. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se po punohet maksimalisht që Maqedonia e Veriut të jetë sa më pak e varur nga importi i kulturave strategjike. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se pasi qeveria në muajin prill e miratoi Planin Kombëtar për prodhimin e ushqimit me masa konkrete për përkrahje të drejtpërdrejtë të fermerëve dhe prodhimit vendor, është rritur interesimi i fermerëve për t’i shfrytëzuar këto masa është rekord.

    Ministri i Bujqësisë Ljupço Nikollovski thotë se po e rrisim përkrahjen për fermerët përmes këtij Fondi intervenues nga 400 në 900 milionë denarë. Ne i motivojmë ata për rendimente më të larta. Fermerët marrin ndihmë shtesë prej 40 për qind për blerjen e plehut për misër dhe grurë, si dhe 2500 denarë për hektar për luledielli dhe elb. Është paraparë 400 denarë për hektar subvencionim intervenues për blerjen e plehrave të lëngëta me gjethe, thotë Nikollovski.

    Ai shton se përmes Planit Nacional dhe Fondit Intervenues po ndahen edhe 50 për qind të naftës së gjelbër dhe 40 për qind për plehrat artificial që do të vazhdojë si përkrahje dhe në vjeshtë. Do të jepen edhe 100 euro shtesë subvencione për rritjen e rendimenteve të misrit, lulediellit dhe grurit. Duke shtuar se grumbullimi i grurit nga rezervat e shtetit do të varet nga rishikimi i buxhetit ku për këtë janë parashikuar 4 milionë euro shtesë.

    MULLISËT RRITEN HARXHIMET GJITHANDEJ

    Nga Industria e Mullisëve thonë se po rriten çmimet e rrymës dhe naftës, po ju rriten harxhimet e përditshme, ndërsa edhe fermerët po kërkojnë çmime më të larta të grumbullimit të grurit si rrjedhojë e rritjes së harxhimeve, andaj edhe mendojnë për çmime më të larta të miellit dhe bukës.

    Ndryshe, nga Federata e Fermerëve thonë se prodhimtaria vendore prej 240 mijë ton grurë në vit nuk kënaq nevojat e vendit të këtij prodhimi strategjik për shtetin. Për çdo vit për bujqit në vend një problem i madh është edhe çmimi më lartë i prodhimit se ai i shitblerjes.

    Në periudhën 2007-2018, grumbullimi i grurit merkantil, apo grurit për kokë shënon trend të rënies së vazhdueshme, ndërsa po shënohet rritje e importit. Njëherësh, në këtë periudhë importi i grurit merkantil dhe miellit në mesatare ka qenë 110.130 ton, që paraqet 32 për qind të nevojave të industrisë së miellit, tregojnë analizat e Odës ekonomike të Maqedonisë.

    Gjithashtu, në 21 vitet e fundit prodhimtaria po shënon ulje në mesatare për 20 për qind, ku rritje më të madhe kishte në vitin 2004 me 356.825 ton grurë të prodhuara dhe deri në 200.112 ton të prodhuara në vitin 2015 ku kemi një dallim prej 44 për qind. Agronomët thonë se kjo rënie madhe përkundër kushteve klimatike tregon se bujqit nuk tregojnë interesim dhe nuk kanë mundësi për investime më të mëdha, ku çmimet edhe më tej janë të ulëta.

    Njohësit e bujqësisë thonë se ikja e të rinjve nga vendbanimet rurale, leverdia e ulët për tu marrë me bujqësi, por edhe tkurrja e tokës bujqësore, për shkak të përdorimit të saj për ndërtim kanë ulur prodhimtarinë bujqësore si dhe të drithërave në Maqedoninë e Veriut në periudhën e kaluar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nikolloski: Jo qeveri me BDI-në, por do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve

    Lajmi i rradhës

    Afati për paraqitjen e pjesëmarrësve në zgjedhjet për Këshillin e Komunës së Tetovës deri më 14 korrik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë