Fjala e palës mbrojtëse e kompanise UPC:
Përqindja e rritjes së vëllimit të punimeve nuk e kalon kufirin ligjor të lejuar prej 30%, ndërsa ekspertët theksuan se përllogaritjet e mëparshme, të përfshira në gjetjet e tyre, kanë qenë të gabuara.
Ekspertët vërtetojnë se raporti i dorëzuar është i saktë.
UPC sqaroi akuzat e pabaza dhe me motiv politik ndaj kompanisë që po kryen ndërtimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës.
Procedura gjyqësore deri tani ka treguar qartë se aktakuza ndaj klientëve tanë, Sejdi Shahsivari dhe Urban Plan Construction UPC DOOEL Tetovë, është e ndërtuar mbi supozime të gabuara dhe interpretime të pasakta të fakteve.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor u vërtetua se klientët tanë kanë vepruar vetëm si kontraktorë të punimeve, duke realizuar ndërtimin në përputhje me kontratën, projektin dhe udhëzimet e investitorit dhe mbikëqyrësit profesional. Ata nuk kanë pasur asnjë rol në procedurën e prokurimit publik dhe as në vendimmarrjen institucionale për projektin.
Është gjithashtu një fakt i padiskutueshëm se faza e parë e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë është ndërtuar realisht dhe ekziston në terren.
Veçanërisht domethënëse është se ekspertët e angazhuar nga prokuroria, gjatë dëshmisë së tyre në gjykatë, korrigjuan disa nga konstatimet mbi të cilat ishte ngritur aktakuza dhe pranuan se përllogaritjet e mëparshme kanë qenë të gabuara.
Këto zhvillime tregojnë qartë se baza mbi të cilën është ngritur aktakuza është seriozisht e kontestueshme. Presim që gjykata, në bazë të provave dhe fakteve të paraqitura gjatë procedurës, të konstatojë gjendjen reale dhe të konfirmojë se klientët tanë kanë vepruar plotësisht në përputhje me ligjin.






