Ministria e Shëndetësisë ditë më parë njoftoi se është në proces shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal në institucionet publike shëndetësore. Gjatë kësaj jave, qytetarët që janë paraqitur për vaksinim falas, do të njoftohen me mesazh SMS për termin e tyre të vaksinimit. Vaksinimi kundër gripit sezonal do të realizohet në 35 pika vaksinimi në të gjithë vendin, prej të cilave 5 në Shkup. Nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë njoftojnë se sikurse edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit janë të gatshëm që të fillojnë me realizimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. “Vaksinimi vlen për të gjithë pacientët me sëmundje kronike dhe sëmundje malinje, fëmijët që janë nën moshën 5 vjeçare, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe të gjithë personat mbi moshën 65 vjeçare duhet të vaksinohen kundër gripit sezonal për shkak se tek këto kategori njerëzish, gripi sezonal përveçse tek disa raste që mund të kalohet lehtë, por ka raste kur edhe mund të komplikohet gjendja shëndetësore. Prandaj, preferohet që kjo kategori të vaksinohen sepse me marrjen e vaksinës do të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga gripi sezonal”, deklaroi Naim Skenderi, epidemiolog.
Në Tetovë, vitin e kaluar janë vaksinuar rreth 4 mijë persona falas dhe 150 me pagesë. Nga ky repart shpresojnë se edhe këtë vit do të ketë fluks më të madh sikurse edhe viteve të kaluara për sa i përket interesimit për vaksinim.
“Vaksinat kundër gripit sezonal janë vaksina sezonale dhe mund të ndryshojnë nga viti në vit si rezultat i llojeve të ndryshme të virusit që qarkullojnë, prandaj si viteve të kaluara edhe këtë vit, vaksina do të jetë katër valente që është prodhim holandez. Sa i përket feedbeck-ut, çdo herë e më shumë ka persona që vijnë dhe shprehen të kënaqur për mbrojtjen që jep vaksina nga gripi sezonal. Pra, ata ose nuk janë infektuar, ose nëse janë infektuar e kanë kaluar lehtë gripin sezonal. Në fakt, ky edhe është qëllimi i këtij vaksinimi”, tha epidemiologu Naim Skenderi.
Nga qendra për Shëndet Publik në Tetovë, respektivisht nga reparti epidemiologjik, bëjnë të ditur se pas përfundimit të procesit të aplikimit nga ana e qytetarëve, do të fillojë vaksinimi. Gjithsej, në qendrën për Shëndet Publik ka katër pika të vaksinimi me qëllim që ky proces të realizohet pa probleme dhe shpejtë. Apelohet deri tek personat që janë pjesë e këtyre kategorive që të aplikojnë përmes sistemit vakcinacija.com.mk ose përmes mjekut amë. Koha






