
Një akt vandalizmi sot është vërejtur nga qytetarët e Tetovës, pasi rekuizitat për fëmijë në parkun afër stacionit të autobusëve janë demoluar nga persona të panjohur. Prindërit që frekuentojnë parkun me fëmijët e tyre e kanë denoncuar incidentin për portalin Nistori, duke shkaktuar indinjatë për këtë gjest.
Sipas dëshmitarëve, dëmet e shkaktuara përfshijnë shkatërimin e disa luhatëseve, rrëzimin e pajisjeve të tjera lojërash dhe vandalizimin e stolave për pushim.
Një prind për Nistorin thotë se kjo cenon edhe sigurinë e fëmijëve dhe se duhet vendosen kamerat e sigurisë për të parandalur incidente të ngjashme në të ardhmen.
Edhe pse komuna e Tetovës ka bërë paralajmërime të vazhdueshme për vendosjen e kamerave me qëllim ndjekjen dhe ndëshkimin e ndotësve të qytetit. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë zhvillim konkret në këtë drejtim, ku kamerat e sigurisë do të ishin të nevojshme edhe në këso raste. Pritet reagim nga ana e komunës dhe SPB Tetovë për zbardhjen e rastit. /Nistori/



