Sindikata e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë bisedimet me Qeverinë lidhur me rritjen e pagave në arsim dhe kopshte. Bisedimet do të vazhdojnë në orët e pasdites, përkatësisht në ora 18 në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, shkollat dhe kopshtet tashmë kanë nisur përgatitjet për grevën e përgjithshme të paralajmëruar nga SASHK-u më 11 prill. Sindikata e Arsimit fillimisht kërkon rritje të pagës për 18 % dhe atë që nga paga e muajit mars. Nga ana tjetër, kompetentët theksojnë se nuk mund të sigurojnë fonde, sepse një rritje e tillë do të nxisë inflacion. Ndërkohë, Ministrja e Punës dhe Politikës, Jovanka Trençevska tha se greva është e drejtë legjitime e çdo punëtori dhe se shpreson se do të ketë marrëveshja por sipas saj çerdhet do të punojnë ndërsa drejtoret dhe komuna janë të obliguara që të gjejnë zëvendësim për punonjëset që do të jenë në grevë.
“Shpresoj se do të ketë marrëveshje më 11 prill, megjithatë në përputhje me ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, kopshtet duhet të kujdesen për fëmijët që shkojnë atje. Drejtorët e kopshteve duhet ti drejtohen komunave, që të gjithë ata që bëjnë grevë të zëvendësohen me kuadër në mënyrë që kopshtet të mund të punojnë. Është e drejtë legjitime që punëtorët të bëjnë grevë por në bazë të ligjit dhe Kushtetutës edhe fëmijët kanë të drejtën e kujdesit”, deklaroi Jovana Trençevska, Ministre Punës dhe Politikës Sociale. /Alsat/