Kufoma për incineratorë

    EDMOND TUPJA

    Një ndër termat më të për dorur aktualisht nga mediat tona është fjala e fundit e titullit të këtij shkrimi. Kjo fjalë, deri diku e frikshme si kuptim natyrisht –, ka ardhur në gjuhën tonë amtare nga italishtja, ku ajo ekziston në tri trajta: inceneratore, inceneritore dhe incineratore, fjalë këto me prejardhje nga latinishtja “cinis”, që do të thotë “hi”. Fjalori italisht-shqip i Ferdinand Lekës dhe i Zef Simonit (Tiranë, 2010) na mëson se inceneratore do të thotë “furrë, (sobë) për djegie (letrash etj.), inceneritore do të thotë “impiant për djegien e mbeturinave (plehrave)” dhe incineratore do të thotë “furrë, (sobë) për djegie hedhurinash”.

    Po, kjo fjalë është objektivisht e frikshme, siç sapo e përmenda, sepse është përdorur, përdoret dhe, me shumë gjasë, do të përdoret edhe për… për… për djegien e kufomave. Po shpjegohem: Objekt të djegies në fjalë, qysh në kohët më të lashta, kanë qenë kufomat e viktimave të epidemive, kufomat e luftëtarëve të vrarë gjatë betejave, ndërsa në kohën e Inkuizicionit kanë qenë edhe heretikët që i digjnin të gjallë në turrën e druve, madje, në këtë rast, organizohej edhe një ceremoni me emrin “autodafé”, gjatë së cilës heretikët në fjalë ftoheshin paraprakisht të premtonin se besonin në Zot, çka do t’u jepte atyre mundësi, pas vdekjes, të shpëtonin shpirtin në botën tjetër! Përveç kësaj, sa për dijeni, autodafé do të thotë edhe “djegie librash”, si në rastin e Gjermanisë hitleriane, ndoshta edhe të Shqipërisë enveriane.

    Nga ana tjetër, disa vite pas shembjes së diktaturës hoxhiste te ne, në Kuvend u ngrit çështja e djegies së kufomave të personave që do të dëshironin t’u digjej trupi pas vdekjes, por baballarët e atëhershëm të kombit gjykuan se kjo nuk bënte pjesë në traditat shekullore të popullit tonë, prandaj sot e kësaj dite kjo lloj përcjelljeje në botën tjetër nuk është praktikuar ndonjëherë.

    Le të kthehemi tani tek incineratorët tanë dhe te korrupsioni i llahtarshëm që i shoqëron pashmangësish ata. Më në fund, SPAK-u u zgjua, u shtriq, freskoi sytë e buhavitur dhe nisi të veprojë pas 12 padive, të shoqëruara me 112 fakte apo rrethana rënduese ose komprometuese, të cilat i përmendi qartas deputetja Jorida Tabaku të enjten e kaluar në seancën plenare të Kuvendit. Disa medie vlerësuan se, megjithatë, masat e SPAK-ut kundër të arrestuarve me këtë rast janë ende disi të ndrojtura, pra, jo në lartësinë e duhur, çka do të thotë se ky fillim nuk po duket fort i mbarë, kështu që mund të thuhet me plot gojën se proverbi “fillimi i mbarë, gjysma e punës” ende nuk po vërtetohet, sepse ka të ngjarë që SPAK-u të ketë probleme serioze me vetveten. Në qoftë kështu, e vetmja zgjidhje që SPAK-u të fitojë besimin e opinionit publik është të guxojë të vetëpastrohet për të vepruar më energjikisht në luftën kundër korrupsionit, kësaj kuçedre me shtatë koka, së cilës këto i duhen prerë sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse SPAK-u nuk e fiton këtë betejë, atëherë nga incineratorët mund të presim gjithçka.

    Me siguri, në këtë pikë të arsyetimit tim, dikush nga lexueset apo lexuesit e sotëm të këtyre rreshtave mund të pyesë se çfarë kuptoj unë me fjalën “gjithçka”. Përgjigjja ime mund të ishte fort e gjatë, por unë do t’i bije shkurt duke bërë publike atë që druaj më shumë deri në rrëqethje të trupit e të trurit:

    Duke qenë se edhe në gjuhën shqipe ekziston e përdoret prej dekadash të tëra shprehja “mish për top”, shumica thuajse dërrmuese e shqiptareve dhe e shqiptarëve, në një të afërme aspak të largët, do të shndërrohen nga mish për top, që janë aktualisht, në kufoma për incineratorë, sidomos pasi të jetë legalizuar triumfalisht nga Kuvendi ynë djegia e kufomave. Që nga ai moment histerikisht historik, krejt aparati ynë shtetëror do të ristrukturohet për t’u kthyer në superadministratë të një megaindustrie të kobshme të frymëzuar kryesisht nga kampet hitleriane të shfarosjes së miliona njerëzve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përveç kësaj, kupola shtetërore, që fshihet pas bosave të incineratorëve tanë, do t’i nxisë këta të importojnë kërma shpendësh e bagëtie të imët e të trashë, si edhe, veçanërisht, kufoma të të gjitha kombësive, shteteve e racave nga tërë vendet e botës së globalizuar, për të mbajtur në punë të pandërprerë incineratorët e tyre të përbindshëm. Nga ana tjetër, duke konstatuar me admirim dhe, natyrisht, me zili konstruktive, suksesin e paparë të incineratorëve në Republikën kufoma-e-kërmadjegëse të Shqipërisë, drejt kësaj do të vërshojnë për t’u specializuar me mijëra kufoma-e-kërmadjegës të huaj, çka do t’i sjellë fitime të papërfytyrueshme kastës së pushtetarëve tanë nekrofilë e ndoshta nekrofagë deri në çmenduri! Së fundi, nuk duhet të befasohemi nëse, mbas disa dekadash, incineratori i parë i ndërtuar në hënë do të jetë vepër e specialistëve shqiptarë të këtij profesioni aq fitimprurës, saqë këta do të uronin që gjithë kufomat e kërmat e Universit të digjeshin përjetësisht në incineratorët e lavdishëm “Made in Albania”! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    E majta luksoze shqiptare, si shprehje e hipokrizisë sociale

    Lajmi i rradhës

    Vazhdojnë bisedimet mes SASHK-ut dhe Qeverisë për rritjen e pagave në arsim

    Lajme tjera

    Letër publike

    ARTAN FUGA I gjithë komuniteti shkencor dhe universitar i vendit e di mirë që kërkimi shkencor cilësor dhe…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë