Vazhdojnë reagimet për emërimin e Stoillkoviqit

    Emërimi i Ivan Stoillkoviqit në postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale ka nxitur reagime të reja në skenën politike, ndërsa LSDM-ja e akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se me këtë vendim po forcon ndikimin e Beogradit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Në një reagim për media, opozita maqedonase vlerëson se Stoillkoviq nuk sjell ndonjë peshë politike në Qeveri apo në Parlament, por se, sipas saj, roli i tij lidhet me afërsinë politike me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas LSDM-së, vendosja e Stoillkoviqit në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale nuk është rastësi, por një vendim me prapavijë politike, përmes të cilit, siç pretendojnë socialdemokratët, ruhet ndikimi i Beogradit në institucionet shtetërore. Partia opozitare ngre pyetjen pse Stoillkoviq u mbajt në përbërjen e re të Qeverisë, ndonëse ishte një nga ministrat më të kritikuar dhe ndaj tij kishte kërkesa të vazhdueshme për shkarkim. LSDM rikujton edhe incidentet që lidhen me Stoilkoviqin në Parlament, si dhe kontaktet e tij me qarqe politike në Serbi, duke kërkuar nga kryeministri Mickoski të shpjegojë publikisht kriteret mbi të cilat ai vazhdon të mbetet pjesë e kabinetit qeveritar.

    Emërimi i Stoillkoviqit në krye të resorit të Vetëqeverisjes Lokale merr një peshë të veçantë politike edhe për faktin se kjo ministri është përgjegjëse për politikat e decentralizimit dhe bashkëpunimin me njësitë e vetëqeverisjes lokale. Në praktikë, kjo do të thotë se ministri Stoillkoviq do të jetë institucioni përgjegjës edhe për komunikimin dhe koordinimin me komunat që udhëhiqen nga partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës, përfshirë Komunën e Tetovës, të drejtuar nga Bilall Kasami, dhe Komunën e Çairit, të drejtuar nga Izet Mexhiti.

    Ky zhvillim ka hapur debat edhe brenda opinionit politik shqiptar, pasi Izet Mexhiti ka deklaruar vazhdimisht se fuqizimi i decentralizimit është një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe një prioritet politik i bllokut shqiptar në Qeveri. Megjithatë, me ndarjen e resorëve në kabinetin e ri qeveritar, pikërisht Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, institucioni që udhëheq politikat e decentralizimit, i është besuar Ivan Stoilkoviqit, një politikan që shpesh ka qenë subjekt polemikash për qëndrimet e tij politike dhe orientimin e tij të afërt me pushtetin në Beograd.

    Kritikave iu bashkua edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i cili, duke reaguar ndaj një deklarate të një ministreje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën, akuzoi partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut se nuk mund të distancohen nga politikat e Slobodan Millosheviqit, përderisa, sipas tij, mbajnë në Qeveri Ivan Stoilkoviqin.

    “Nuk mund ta dënoni Millosheviqin me një status në Facebook, ndërsa qeverisni me ata që relativizojnë gjenocidin dhe promovojnë të njëjtën ideologji”, deklaroi Osmani.

    Ai rikujtoi se Stoilkoviq në të kaluarën e ka cilësuar gjenocidin e Srebrenicës si “Disneyland nekrofil”, ndërsa e akuzoi se promovon vazhdimisht politikat e Millosheviqit dhe projektin e “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut. Sipas Osmanit, me emërimin e tij ministër është forcuar ndikimi politik i Beogradit në institucionet e vendit.

    Ndërkohë, emërimi i Ivan Stoilkoviqit u shoqërua me tensione edhe gjatë seancës parlamentare të së dielës, kur u votua përbërja e re e Qeverisë. Gjatë debatit në Parlament, Stoilkoviqi pati një përplasje verbale me deputetë të opozitës, duke përdorur gjuhë të ashpër dhe ofenduese. Mes të tjerash, ai ofendoi edhe deputeten e BDI-së, Arbana Pasholli, gjë që shkaktoi reagime në sallën plenare dhe kritika nga opozita. Emërimi i tij pritet të mbetet një nga çështjet që do të shoqërojnë debatin politik në periudhën e ardhshme, veçanërisht për rolin që do të ketë në zbatimin e politikave të decentralizimit dhe marrëdhëniet me komunat në vend, e sidomos me ato komuna ku udhëhiqen nga shqiptarët. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Për shkak të borxheve, MKT pezulloi mbështetjen për përkthimin e autorëve vendas

    Lajmi i rradhës

    Çfarë mund ta ndalë gjuhën e ashpër të Serbisë karshi Kosovës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë