Vazhdon të rritet numri i personave në listën e zezë të ShBA-së

    Shtohet lista e zezë amerikane por jo dhe pasojat ndaj personave që janë në listë.

    Ligji për masat restriktive, që supozohej të ndëshkonte personat e futur në listën e zezë nga SHBA-ja dhe BE-ja, nuk është miratuar akoma, edhe pse ishte ndër premtimet e BDI-së dhe i iniciuar nga ministri i Jashtëm.

    “Po, është në Kuvend. Ligji është në Kuvend. Ligji është në Kuvend dhe sigurisht që në të ardhmen do të kalojë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Ndërkohë, në lidhje me këtë, Ramiz Merko është në listën e zezë dhe vazhdon të jetë aktiv në aktivitete partiake. Përse?

    “Ne nuk i kontestojmë vendimet e Departamentet të Shtetit, absolutisht. Dhe do të pranojmë çdo vlerësim që bën departamenti i shtetit”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Merko, në listën e zezë amerikane prej muajsh, por vazhdon të jetë aktiv në aktivitetet partiake. Veturat e tij luksoze madje u përdorën nga institucionet për organizimin e konferencës së OSBE-së.

    E ndërkohë, LSDM-ja akuzon VMRO-DPMNE-në që ligji për masat restriktive nuk është miratuar.

    “I bëjmë thirrje deputetit Antonio Milloshoski dhe partinë e tij politike VMRO-DPMNE të mos e bllokojnë ligjin dhe ta dorëzojnë në procedurë sepse është e qartë se ai për ndonjë arsye e bllokon atë ligj që të mos vendoset në debat dhe të mos miratohet. Nëse nuk planifikojnë ta bëjnë këtë, atëherë duhet të tregojnë se për çfarë arsye është kjo?”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

    Kreu i Komisionit parlamentar për politikë të jashtme Antonio Milloshoski thotë se Maqedonia ka miratuar Ligj për bashkëpunim ndërkombëtar në materien penale me të cilin i jepet mundësia Ministrisë së Drejtësisë ose Prokurorisë Publike të iniciojë bashkëpunim me organet e huaja për informacionet, shkresat dhe dëshmitë materiale për hetim. Milloshoski përgjigjen ndaj akuzave e bëri në rrjetet sociale.

    “Qeveria, Ministri i Drejtësisë dhe Prokuroria Publike, nëse kanë vullnet politik për një luftë serioze kundër korrupsionit, kanë një bazë ligjore të vlefshme, pa vonesë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, për t’i dërguar menjëherë një fletëthirrje organeve kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dorëzimin e të gjitha dokumenteve, shënimeve, dëshmive dhe informacioneve për Ramiz Merkon, Katica Janevën, Stevço Jakimovskin dhe personat e tjerë në “listën e zezë”. Prokurori publik i shtetit mund të formojë menjëherë një ekip të përbashkët hetimor maqedonas-amerikan dhe të udhëheqë një procedurë hetimore të pavarur ose të përbashkët dhe të formojë/procedojë lëndë penale para institucioneve kompetente në Maqedoni”, theksoi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

    Opozita shqiptare VLEN paralajmëron përgjegjësi politike për këto persona, kur ajo të vijë në pushtet.

    “Të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut presin që administrata amerikane të hetojë rolin specifik të prokurorëve, gjyqtarëve, ekspertëve, hetuesve dhe udhëheqësve institucionalë shtetërorë, të gjithë të zgjedhur apo të emëruar me ndikim politik të BDI-së, në parandalimin e akuzave, gjykimeve, parandalimin e dënimeve si dhe mbrojtjen nga konfiskimet, në të gjitha rastet të partnerit të tyre kriminel – Sasho Mijalkov. Ndryshimi po vjen. Për lirimin e Mijallkovit do të ketë përgjegjësi politike. Drejtësia do të kthehet në vendin e saj… Amendamenti kushtetues për të parandaluar vjetërsimin veprave penale të kryera me korrupsion politik është një hap në këtë drejtim”, thonë nga VLEN.

    Departamenti amerikan i shtetit një ditë më parë njoftoi zgjerimin e listës amerikane me dy emra të tjerë, ish prokurorja Katica Janeva dhe kreu i Komunës së Karposhit si dhe kandidat për President Stevçe Jakimovski. Ndërkohë më herët në listë u futën Ramiz Merko, ish zv.kryeministri Koço Angjushev, biznemeni Orce Kamçev, etj. / Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Që nga pandemia, produktet ushqimore janë shtrenjtuar nga 35-70 për qind

    Lajmi i rradhës

    Navalnaya i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë