“Vdekja e foshnjës”, Taravari konsideron se nuk duhet të dënohen mjekët apo të largohen nga puna

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari nuk mendon se mjekët që kanë bërë lëshime mjekësore në rastin e vdekjes së foshnjës 14 mujore, duhet të dënohen apo të largohen nga vendet e tyre të punës. Sipas tij, Odës së Mjekëve i është propozuar marrja e përkohshme e licencave të punës.

    “Çdo mjek mund të bëjë lëshim profesional dhe këtu është bërë anashkalim profesional. Për këtë është e nevojshme të merren masa konkrete, unë nuk jam për dënimin dhe për largimin nga puna, megjithatë masa konkrete patjetër duhet të ndërmerren”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

    Ndërkohë Oda e Mjekëve thotë se ka pranuar udhëzimet për veprim pas raportit të komisionit për mbikëqyrje profesionale lidhur me trajtimin e foshnjës 14 muajshe.

    “Oda e Mjekëve mori udhëzime nga Ministria e Shëndetësisë për veprim lidhur me raportin nga mbikëqyrja në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve- Shkup dhe Klinikën Universitare për Sëmundjet Respiratore të Fëmijëve- Kozle. Është e nevojshme që udhëzimet të shqyrtohen nga organet kompetente dhe trupat e Odës, pas çka do të vendoset se çfarë do të ndërmerret”, thonë nga Oda e Mjekëve.

    Një javë më parë drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi pezulloi nga puna dy mjeket specialiste deri në një vendim përfundimtar nga komisioni disiplinor. Mjeket kanë qenë kujdestare dhe e kanë kontrolluar fëmijën më 3 tetor, të cilat përskaj gjendjes së rënduar shëndetësore të foshnjës, nuk e kanë shtruar në spital, por e kanë lëshuar për kurim shtëpiak. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    U fal nga Siljanovska anëtari i grupit “Baron”, por arrestohet për një vepër tjetër

    Lajmi i rradhës

    KShPK hap lëndë për Kocevskin dhe Ademin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë