VENDIMI PËR MODULARIN | Familjarët: Për shkak të gabimit të dikujt, do të jetojmë tërë jetën të pikëlluar

    Foto: Emir H

    Familjarët e viktimave të cilat pësuan në zjarrin e spitalit modular në Tetovë, e kanë kundërshtuar vendimin e djeshëm të Gjykatës Themelore Tetovë ndaj të pandehurve (tashmë të dënuar), pasi Gjykata vendosi ta lirojë nga aktakuza mjekun Boban Vuçevski, ndërsa Florin Besimi dhe Artan Etemi morën dënim me kusht – 18 muaj burg. Që do të thotë se ata mbeten në liri dhe dënimi nuk do të zbatohet përderisa të dënuarit (lexo me kusht) nuk do të kryejnë ndonjë vepër penale brenda tre viteve, shkruan Nistori.

    Sipas Mumin Ismaili, ky nuk ishte vendim i drejtë, përkundrazi ishte tallje me drejtësinë, por ai drejtësinë do të vazhdojë ta kërkojë për nënën e tij.

    “Ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me këtë gjykim. Do të marrim masa me avokatët tonë për dënim të merituar. Nuk janë fajtorë vetëm këta, por është një zinxhirë i madh që duhet të jenë para gjyqit. Ne do t’i bëjmë ankesat tona, shpresoj se do të na pranojnë ankesat ata të Apelit dhe shpresoj se gjykimi do të rikthehet nga fillimi, korrekt dhe siç duhet”, deklaron Mumini, të cilit nëna i vdiq në tragjedinë e 2021.

    Ismaili thotë se ky rast është politik, pasi nuk munden të digjen 14-të persona dhe mos të ketë drejtësi.

    “Akuzohen dy persona. Nuk them se nuk ka pas përgjegjësi dy drejtorët, por duhet të gjykohen një zinxhir më i madh i të akuzuarve. Ku është ministri i shëndetësisë, zv. ministri, kush është ai që e ka sjellur modularin, ai që e ka fituar tenderin. Kam qenë i pranishëm në secilën seancë dhe nga ekspertiza del se personi që e ka instaluar rrymën, kablloja nuk është vendosur nga njerëz adekuat”, shprehet Ismaili për Nistorin, duke shtuar se drejtësia më në fund do t’ia dalë.

    Emshi Ibin, i cili humbi vëllain dhe babain në natën tragjike të spitalit modular thotë se ky vendim është dështim për gjykatën dhe se do të kërkojë që rasti të rishikohet.

    “Vendimi i djeshëm është dështim fatal. Rasti duhet të rishikohet. Unë edhe para një viti kam thënë se, në RMV nuk ka drejtësi. Gjithçka është e politizuar, edhe ky rast u politizua, mirëpo ne nuk do të ndalemi dhe do të bëjë çmos për ta kërkuar drejtësinë për babain dhe vëllain tim, pavarësisht se i forti e ka ligjin në dorë, unë do të kërkoj drejtësi në katër anët e botës. Nuk do ta lë me kaq”, shprehet Ibini për Nistorin.

    “Ishte një vendim shumë i padrejtë. Unë, por edhe shumë familjarë tjerë duhet të jetojmë me pikëllim për shkak të gabimit të dikujt. Është një tragjedi e papërshkruar, sepse e dërgon të afërmin në spital me shpresë se aty është vendi më i qetë dhe më i sigurt, por jo, doli të ishte një makth. Ky vendim i gjykatës është skandaloz”, thotë Ramiu, familjar i viktimës.

    Edhe ai njëjtë si familjarët tjerë, do të kërkojë drejtësi deri në fund, sepse politikanët e kanë korruptuar edhe gjyqin dhe kanë vjedhur drejtësinë nga populli. Ai thotë se është në kontakt me ambasadën amerikane dhe se të gjithë rastin e kemi përcjellur në Gjykatën e Strasburgit.

    Për çka u akuzuan?

    Në zjarrin vdekjeprurës që kaploi spitalin modular për Covid-19 në Tetovë, më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona, tetë gra dhe gjashtë burra të moshës 29 deri 78 vjeç. 2 pacientë të tjerë mrekullisht shpëtuan, bashkë me dy mjekë dhe katër infermiere.

    Pas tragjedisë, dy drejtorët e spitalit në Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi dhanë dorëheqje nga postet e tyre. Të njejtën gjë më pas e bënë edhe ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, dorëheqjet e të cilëve nuk u pranuan nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev.

    Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vuçevski, janë të akuzuar në këtë rast. Gjykatësi i cili udhëheq këtë lëndë është Jordan Velkovski.

    Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Nana e djegur”

    Lajmi i rradhës

    Enjtja e duarve – Shkaqet dhe trajtimet e shpejta në shtëpi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë