Vërtetimet shëndetësore për vozitës, Dibra “zhvishet” nga kompetencat!

    Viteve të fundit dukshëm është rritur numri i institucioneve që kanë funksionuar në Dibër e që tani qendrat të institucioneve kanë në Strugë, Ohër, Tetovë apo Shkup. Është një dukuri e cila i shqetëson dibranët meqë ata besojnë se janë vendime me tendencë që komunës Dibër t’i merren këta kompetenca dhe Dibra të mos ketë mundësi më të mëdha financiare ashtu siç i takojnë, ose duan apo nuk duan dibranët, të enden për shërbime të ndryshme drejt qyteteve të tjerë.

    Pas kalimit të hidrocentralit “Spile” i cili ishte si subjekt juridik i veçantë në Dibër dhe futjen e tij në Sistemin “Hidrocentralet e Drinit të Zi”, me çka selia tani nuk është në Dibër por në Strugë, pastaj mbylljes së zyrave oficiale të EVN- së në Dibër dhe transferimin në Strugë, marrjen e kompetencave të Drejtorisë për të hyra publike – DAP nga Dibra në Tetovë, marrjen e shumë kompetencave të Gjykatës Themelore nga Dibra në Kërçovë e tjerë, dhe tani uljen e numrit të të punësuarve në Njësinë të Entit për Shëndet Publik të Ohrit, është vlerësimi objektiv për “zhveshjen” e Dibrës nga shumë kompetenca që ka patur e tani nuk i ka.

    Biseduam me të punësuarit në Njësinë e Entit publik të Ohrit në Dibër dhe këtu me të drejtë potencojnë se ka ulje të numrit të të punësuarve viteve të fundit. Kjo njësi kishte epidemiolog dhe infektolog dhe sot ata nuk i ka. Nga katër të punësuar dy janë në sektorin teknik. Edhe ata që janë pensionuar nuk janë zëvendësuar, prandaj edhe pa “aminin” e Ohrit kjo njësi nuk mund të vendos për asgjë. Përgjegjësja për Mikrobiologji pranë kësaj njësie në Dibër dr. Spec. Violeta Shehu për gazetën Koha thotë se është fakt se ka ulje të numrit të të punësuarve.

    “Ne si njësi aktualisht realizojmë aktivitete që kanë të bëjnë me sferën e mikrobiologjisë. Dhe kryejmë vaksinimet kundër gripit sezonal. Aktivitetet e tjera siç janë kontrollet e ujit etj, i kryejnë kolegët nga Ohri”, thotë dr. Spec. Shehu e cila shton se ata që kanë dalur në pension nuk janë zëvendësuar. “Besoj dhe jam e bindur shumë se kjo njësi duhet të vazhdojë të funksionojë në Dibër. Është një rajon i gjerë me që mbulojmë përveç Dibrën edhe komunën Qendër Zhupë. Në interes të shëndetit publik kjo njësi nuk duhet të mbyllet meqë punohet për interes shëndetësor të gjerë”, thotë dr. Violeta Shehu, një eksperte e njohur në sferën e saj.

    Kontrolli i ujërave të cilët janë të shumtë në Dibër dhe rajon, tërësisht bëhen nga ekspertët e Ohrit dhe sipas kërkesave të qendrës në Ohër, ndihmojmë gjatë marrjes së ujit për analizat. Besoj se Dibra duhet ta ketë këtë njësi”, thotë Shehu me që është një njësi shumë domethënëse për shëndetin publik. Në bisedë me epidemiologun e njohur dibran dr. Mentor Mela i cili tani është në pension dhe është epidemiologu që zbuloi rastet e para të Kovid 19 në vend, të dy personave që kishin ardhur nga Italia u informuam se ai disa herë për shkak të mungesës së kuadrit të vazhdojë me punë por Ministria nuk ka rënë dakord, edhe pse e ka ditur se rajoni më perëndimor i Maqedonisë së Veriut mbetet pa epidemiolog.

    Irritimi më i fundit i dibraneve është me ndërprerjen e komisionit shëndetësor për marrjen e vërtetimeve shëndetësore për vozitës. Komisioni ka funksionuar pranë Spitalit të Përgjithshëm në Dibër. Tani edhe pse kryetari dhe disa anëtarë të tjerë të mjekëve janë nga Dibra, komisioni funksionon në Strugë.

    Lajmi Paraprak

    Pse VMRO ndryshoi qëndrim për Korridorin 8?

    Lajmi i rradhës

    Si të përshtateni me orët e zgjatura pa dritë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë