“Vettingu”, kafshatë që s’kapërdihet për Maqedoninë

    Në Maqedoninë e Veriut sipas sondazhit të fundit nga IRI vetëm katër për qind e popullatës kanë besim në gjyqësorin e vendit. Ambasadorët dhe faktori ndërkombëtar vazhdimisht kërkojnë reforma dhe vetting në gjyqësorin e vendit. Njëherit edhe partia në pushtet BDI, gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet parlamentare premtoi se në gjashtë muajt e parë të pushtetit do të fillojnë me vettingun. Por edhe pse kaluan më shumë se dy vite gati nuk ka lëvizur asnjë gur për reformat në gjyqësor dhe vetting. Sipas përkufizimit, vettingu është një kontroll i një zyrtari të caktuar përpara se të marrë një pozicion të ri. Por për të zbatuar sistemin e vettingut dhe për të pastruar të gjitha institucionet duhen standarde dhe kushte që duhet ta mundësojnë institucionet shtetërore.

    Profesori universitar Gordan Kalaxhiev, për gazetën KOHA, ka deklaruar se mënyra se si po zhvillohet debati ndaj vettingut dhe kritikat ndaj gjyqësorit janë të papërshtatshme. Ai shtoi se mënyra se si po kritikohen gjyqtarët në rastin konkret të rastit Target-Fortesa, për aktgjykimin të cilin ende askush nuk e ka parë. “Puna e gjyqësorit është shumë komplekse edhe çështja është edhe më komplekse. Vlerësimet e nxituara janë të papërgjegjshme, politikanët që japin vlerësime të tilla shkaktojnë probleme si dhe rrisin presion mbi pavarësinë e gjyqësorit. Pra mendoj se politikanët për vendimet gjyqësore nuk guxojnë të mbajnë apo të japin qëndrime. E gjithë kjo klimë linçimi ndaj gjyqtarëve është e paprecedentë. Përndryshe problemi në gjyqësor është më kompleks. Përgjegjësia më e madhe është në politik sesa në gjyqësor”, deklaroi ai.

    Duke pasur parasysh shembullin e Shqipërisë, që pas fillimit të vettingut disa gjykatës dhanë dorëheqje dhe kjo shkaktoi një mungesë të madhe të stafit gjyqësorë. Kështu që lëndë të shumta mbetën me vite në sirtar të gjykatave të pa shqyrtuara. Ndërkohë derisa Maqedonia e Veriut, po përballet me mungesë të kuadrit gjyqësor dhe fillimi i një vettingut mund të rëndoj edhe më shumë gjendjen në sektorin e gjyqësorit. Kallajxhiev, duke komentuar këtë fenomen deklaroi se nuk është rastësi që në Maqedoni nuk u pranua menjëherë vettingu. Sipas tij, për faktin se vettingu përveç përparësive ka edhe dobësitë e tij. “Pyetja që parashtrohet më së shumti është që në bazë të cilave kritere do të drejtohet vettingu. Asaj profesionale apo në shqyrtimin e prejardhjes së pronës? Gjithashtu nuk kemi një mekanizëm që të garantojë që vettingu të jetë i suksesshëm dhe pyetja tjetër është se kush do ta bëjë vettingun? Problemi i dytë është se praktikisht ne kemi dobësi sistematike në gjyqësor që vettingu vështirë se mund t’i zgjidhë. Vettingu mund të vendosë të largoj ata gjyqtarët që quhen si ‘molla të kalbura’, por jo të rregulloj gjyqësorin edhe sistematikisht. Problemi në gjyqësinë dhe drejtësinë tonë nuk janë individët por ne kemi dobësi kolektive”, deklaron Kallajxhiev për gazetën KOHA. Ai në fund tha se përveç që nuk kemi mekanizëm për kryerjen e vettingut, nuk kemi as garanci që gjyqtarët e rinj do të jenë me integritet më të mirë, pra nuk kemi një ekip të dytë.

    Derisa raporti i progresit nga Komisioni Evropian (KE), thotë se Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel përgatitjeje dhe është mesatarisht e përgatitur për të zbatuar dhe harmonizuar ligjet dhe standardet e BE-së në fushën e drejtësisë. Sipas raportit të progresit, Maqedonia e Veriut ka bërë disa përparime, duke përfshirë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Por raporti i KE-së, ka nënvizuar se korrupsioni ende mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese në Maqedoninë e Veriut. “Funksionimi i sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka arritur një nivel mesatar të përgatitjes. Është arritur njëfarë progresi në fushën e gjyqësorit, nëpërmjet zbatimit të qëndrueshëm të strategjisë së reformës në drejtësi, duke adresuar më tej rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venedikut dhe Grupi i Ekspertëve të Lartë për çështjet sistematike të sundimit të ligjit”, thuhet në raportin e progresit. Aty gjithashtu shtohet se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë proaktive. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PREJ NGA MË SHUMË TË HOLLA! Disa tatime anulohen, tjerat rivendosen

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët në RMV nuk i përdorin shumë qeset plastike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë