PREJ NGA MË SHUMË TË HOLLA! Disa tatime anulohen, tjerat rivendosen

    Rishikim tatimesh të caktuara në vend të tatimit progresiv, tatimit në kursime etj, do të mbushin arkën e shtetit në vitin e ardhshëm. Pritet të anulohen tatimet për prodhime dhe shërbime të caktuara, që deri tani kanë pasuar trajtim të privilegjuar lidhur me taksat. Reformat tatimore në vitin e ardhshëm parashikojnë edhe zgjerimin e bazës tatimore dhe synojnë një pjesë të përjashtimeve dhe lehtësimeve tatimore në sistemin ekzistues. Ndër të tjerash do të tatohen të ardhurat e lojërave të fatit me 15 për qind. Ngjashëm me përvojat kroate apo hungareze, mendohet të vendoset edhe tatimi për profitin ekstra apo tejet të madhe, por me karakter të përkohshëm.

    EKONOMIA GRI DHE RISHIKIMI I LIRIMEVE TATIMORE

    Pra, reforma tatimore i referohet zgjerimit të bazës tatimore e cila bazohet në uljen e ekonomisë gri dhe rishikimin e lirimeve tatimore. Parashikohet edhe një mënyrë të re të donacioneve për sportin, si dhe rishikim i listës së produkteve që janë luksoze dhe që do të tatohen me normën e dytë preferenciale. Ligji i TVSH-së ruan normën bazë prej 18 për qind, që është më e ulëta në rajon. Ndër të tjerash, prioritet është edhe tatimi ekologjik (“e gjelbër”), që nënkupton stimuli i tatimpaguesve për të reduktuar sjelljen dhe aktivitetet e tyre që kontribuojnë në ndotjen, përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, mbrojtjen e burimeve natyrore. Nga viti i ardhshëm planifikohet të paguhen tatime edhe nga sigurimet jetësore, sigurimet vullnetar shëndetësore, që deri tani ishin të liruara nga tatimet. Taksat do të paguhen nga viti 2023, edhe për sigurimin vullnetar të pensionit si dhe për sigurimin vullnetar, si dhe për fitimet kapitale, apo do të tatohen të hollat e fituara nga pjesëmarrja në fonde nëse ato posedohen mbi dy vite. Deri tani këto tatime në rast të posedimit të aksioneve apo fondeve pas dhjetë vitesh.

    EKSTRA TATIMI NË FITIM

    Në ndërkohë, në takimin e ministrit Fatmir Besimi me përfaqësues nga odat më të mëdha ekonomike dhe përfaqësuesit e bankave u shqyrtua edhe nisma për vendosjen e tatimit mbi fitimin ekstra. Ajo përfshin edhe politikat që kohën e fundit po ndërmerren në nivel të BE-së dhe të cilat synojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë zbutjen e efekteve ekonomike mbi buxhetet publike, konsumatorët final dhe bizneset në vendet anëtare të Unionit, për shkak të rritjes së papritur të çmimeve të energjisë. Në aspekt të transparencës dhe inkluzivitetit, riaktualizojmë sërish këtë nismë, me qëllim që ta rishqyrtojmë me palët e involvuara për ta përzgjedhur modelin më të pranueshëm për të gjithë, shtoi ai. Ministri Besimi theksoi se në Ministrinë e Financave po bëhet analizë më e detajuar rreth efekteve fiskale lidhur me vendosjen e tatimit të tillë dhe janë duke u analizuar përvojat e vendeve të tjera që kanë vendosur një masë të tillë. Me fjalë të tjera, bazat e reformës tatimore janë vendosur me Strategjinë e reformës tatimore 2021-2025, të cilën Qeveria e miratoi në fund të vitit 2020, si pjesë e programit të Qeverisë.

    Në kuadër të kësaj strategjie janë përcaktuar pesë prioritete si drejtësia më e madhe në tatimim, i cili duhet të sigurojë të gjithë ta paguajnë pjesëmarrjen e tyre të drejtë të tatimit. Prioriteti i dytë është arritja e efikasitetit dhe efektivitetit më të madh në arkëtimin e të hyrave. Gjithashtu, si prioritet përcaktohet edhe rritja e transparencës tatimore. Prioriteti i katërt është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, apo thjeshtësimi dhe përshpejtimi i procedurave dhe ulja e barrës administrative. Prioriteti i pestë është tatimimi ekologjik i “gjelbër”.

    TË HYRA MË TË LARTA TATIMORE PËR SHËRBIME PUBLIKE MË CILËSORE

    Sipas ministrit të financave Fatmir Besimi, të dhënat tregojnë se arkëtimi i tatimeve si përqindje e PBB-së në vendin tonë është nën përqindjen e vendeve të rajonit, si dhe është shumë më poshtë se mesatarja e vendeve të BE-27 dhe vendeve të zhvilluara. Nëse shqyrtohen të dhënat historike për treguesit sasiorë të efikasitetit të sistemit tatimor, nevoja për ndryshime është evidente. Hendeku ndërmjet pjesëmarrjes së të hyrave tatimore dhe kontributeve në PBB në BE-27 dhe në Maqedoninë e Veriut është domethënës, apo në vitin 2008 të hyrat tatimore të përgjithshme dhe kontributet sociale në BE-27 mesatarisht përbëjnë 38.4 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa në vendin tonë 27.7 për qind ose për 10.7 pikë përqindje më pak. Hendeku thellohet gjatë periudhës së analizuar nga viti 2008 deri në vitin 2020, respektivisht në vitin 2020 hendeku arrin 13.9 për qind. Në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i analizuar vetëm të hyrat tatimore pa kontributet sociale kemi në mënyrë bindëse pjesëmarrje më të ulët të të hyrave tatimore në PBB, ku në vitin 2020 ishte 16.1 për qind, ndërsa Mali i Zi 23 për qind, Kosova 22.3 për qind, Serbia 20.1 për qind dhe Shqipëria 17.3%. Nëse analizohet në periudhë më të gjatë, shihet se vazhdimisht kemi dallim negativ në raport me rajonin. Ky është rezultat i disa faktorëve, normave më të ulëta tatimore, lirimeve më të mëdha tatimore, si dhe ekonomisë gri dhe efikasitetit të arkëtimit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Strehimorja për qentë endacakë nuk dihet kur do të ndërtohet në Vrapçisht

    Lajmi i rradhës

    “Vettingu”, kafshatë që s’kapërdihet për Maqedoninë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë