Deri në fund të qershorit do të ketë aktgjykim për rastin në të cilin akuzohet kryetari i Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e kontestuar të automjetit luksoz Audi A6 me vlerë prej 67 mijë euro dhe tre vetura të tjera me vlerë totale prej 114 mijë euro në kohën kur Komuna e Strugës kishte llogari bankare të bllokuara, njoftoi sot gjykatësi Jordan Jovanov.
Gjykimi vazhdoi sot në Gjykatën Themelore në Strugë, me dëshmitë e dëshmitarëve, ndër të cilët edhe Erhana Bauta, mbesa e Ramiz Merkos, e punësuar në Komunën e Strugës dhe e cila në kohën e blerjes së automjeteve ka qenë nënkryetare e Komisionit të Prokurimit Publik në komunë. Ajo tha se duke qenë se komuna ka mbetur pa vetura, është bërë prokurimi publik i veturave të reja, për të cilin është marrë vendim edhe nga Këshilli i Komunës së Strugës dhe se e gjithë procedura ka qenë transparente dhe konform ligjit. Gjykatësi Jovanov tha se provat e paraqitura deri më tani janë të mjaftueshme dhe se propozimet e mbetura do të refuzohen. Ndaj Merkos janë aktualisht 9 lëndë gjyqësore aktive dhe i është marrë dokumenti i udhëtimit si masë kujdesi për shkak të rrezikut të arratisjes.
“Në seancën e sotme i shteruam provat verbale që Gjykata i pranoi. U prezantuan edhe provat materiale dhe tani mbetet të shikohet i gjithë dokumentacioni dhe t’i jepet mundësia mbrojtjes dhe prokurorisë që të përgatisin fjalën përfundimtare dhe ta përmbyllin në seancën e ardhshme. Kjo do të thotë në qershor dhe ramë dakord që atëherë i pandehuri të paraqesë mbrojtjen e tij dhe nëse u duhet afat i shkurtër për fjalën përfundimtare, ndoshta një javë, do të shpresoja, por do të ketë përmbyllje gjatë muajit qershor”, deklaroi Jordan Jovanov, gjykatës. /Alsat/