VLEN akuzon Osmanin për lidhje me Gruevskin, ai përgjigjet: shpifje, keni frikë

    Koalicioni opozitar VLEN ka akuzuar kandidatin e BDI-së për Çairin, Bujar Osmani, për përfshirje në skandale dhe raporte revizioni për keqpërdorime, si dhe për takim në Hungari me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, përcjell Nistori.

    Nga VLEN thonë:

    “Ky është i njëjti ministër që lejoi kompanitë serbe e malazeze të marrin licenca për të sunduar me biznesin e kazinove, duke e kthyer shtetin në terren të oligarkëve të huaj.

    Ky është Bujar Osmani, politikan i kapur nga skandalet, që nuk ka guximin të përballet me të kaluarën e vet, por sot guxon të predikojë moral politik.

    Prandaj ne e pyesim publikisht:

    • Pse nuk flet për vettingun e vetvetes?
    • Pse nuk tregon pse shkove në Hungari për ta takuar Gruevskin? Çfarë kërkove prej atij që iku nga drejtësia?
    • Pse gjatë qeverisjes suaj, shqiptarët ishin më të varfër, më të papërfaqësuar dhe më të zhgënjyer se kurrë?

    Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar të vërtetën. BDI nuk është më as “shtëpi politike”, as “mbrojtëse e interesave kombëtare”, por një strukturë që ekziston vetëm për të shpëtuar fytyrën e disa individëve të diskredituar.

    VLEN është përgjigjja. Me ekipin tonë të ri, të pastër dhe të përgatitur, ne nuk i trembemi as reformës e as transparencës sepse nuk kemi çfarë të fshehim. Ndryshimi ka filluar. Mashtrimet e BDI-së nuk funksionojnë më. Më 19 tetor, shqiptarët do ta vulosin të ardhmen: VLEN është reforma! VLEN është bashkimi! VLEN është fitorja!”, thuhet në reagimin e këtij koalicioni.

    Reagimi i Bujar Osmanit:

    Pas këtyre akuzave, Bujar Osmani i ka cilësuar pretendimet e VLEN-it si shpifje.

    “Është një rregull në fushatë. Kur një kamp politikë ka frikë, atëherë fillon shpik”, tha Osmani.

    “Prej kur doli anketa e fundit që tregoi dallimin 10% filloi një fushatë e propagandës dhe shpikjeve. Edhe kjo është e llojit tillë. Nuk ka pasur takim. Ata e kanë kryetar nderi të partnerit tyre të koalicionit, me të cilën janë nënshtruar aq shumë. Mund ta pyesin edhe kryetarin e partisë, i cili është i emëruar prej atij kryetari nderi. Ashtu që, nuk kalon kjo te qytetarët. Unë jam çdo ditë me qytetarët. Qytetarët duan fushatë pozitive. Pa shpikje pa manipulime. Ata duan shpresë. Në Çair po krijohet një lëvizje e re e shpresës, e rezistencës, një lëvizje për Çair të ri. Unë thash edhe dje, njerëzit masovikisht po na bashkëngjiten. Po na bashkëngjiten njerëzit e VLEN-it, të cilët thonë u dëshpëruam – për shkak se shpresuam në ndryshim dhe përfunduam në poshtërim dhe diskriminim. Po na bashkëngjiten qytetarë që nuk janë të asnjë partie politike, për shkak se në kandidaturën time ata nuk po shohin një kandidat për kryetar komune, por një shpresë, një lëvizje për një Çair të ri”, deklaroi Osmani.

    Ky shkëmbim akuzash dhe kundërakuzash vjen në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, ku Çairi shihet si një prej komunave më të rëndësishme në garën mes BDI-së opozitare dhe koalicionit qeveritar VLEN. Retorika e ashpër, me akuza për skandale dhe shpifje, reflekton tensionin e lartë elektoral dhe luftën për të bindur elektoratin shqiptar në Shkup. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    ​“Alarmante”, shuhen rreth 700 biznese në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Era e fortë / Parashutisti i RMV ‘udhëtoi’ papritur në Shqipëri, fatmirësisht pa lëndime (Foto)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë