VLEN dhe BDI, “kokë e këmbë” në zgjedhjet në Kosovë

    Jehona e atmosferës zgjedhore në Kosovë ka elektrizuar edhe atmosferën politike në taborin shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Aktorët politikë të vendit dhe mbështetësit e tyre, krahas tifozërisë, “këmbë e kokë” janë angazhuar për të mbështetur favoritin e tyre politik.

    Thirrjet për të votuar njërin apo tjetrin opsion politik, kanë qenë euforike. Derisa përfaqësues të VLEN-it merrnin pjesë nëpër tubime partiake në Kosovë, hapën dhe shtabin në Shkup. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, nga një tubim në Studeniçan të Shkupit, duke kritikuar Kurtin i porositi kosovarët që të mos e lënë Kosovën në të njëjtën pako me Rusinë dhe Bjellorusinë, si vende nën sanksione ndërkombëtare.

    “Duke e vulosur atë vullnet me votën e tyre që Kosovën, të mos e lënë në pako me Rusinë dhe Bjellorusinë, të cilat shtete janë nën sanksione të Evropës dhe Amerikës. Edhe Rusia edhe Bjellorusia”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, liderët e VLEN-it, i kanë mbushur profilet e tyre në rrjetet sociale me fotografi të Kurtit, duke i uruar fitoren me moton e Vetëvendosjes “Cep më cep”, ndërkaq pavarësisht se Ahmeti nuk ka ende asnjë reagim, kolegët e tij nga Fronti Evropian i janë gëzuar rritjes së partive opozitare PDK dhe LDK, por edhe humbjes së 10 për qind të totalit të votave të Vetëvendosjes, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

    “Të zu mallkimi i gjuhës shqipe të shqiptarëve të Maqedonisë”, shkruan Bekim Tateshi i ASH-së së Ziadin Selës, duke rikujtuar deklaratën e Kurtit se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni.

    “Fitore me zemër cep më cep Kosovës. Urime të përzemërta i dashur vëlla Albin! Fitorja e juaj është një shembull dhe frymëzim për të gjithë ne se e drejta ngadhënjen edhe kur kjo duket e pamundur dhe iluzore”, shkruan zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ndërkaq porosi të njëjta kanë dërguar edhe liderët e tjerë të VLEN-it.

    Përzierja dhe përfshirja e faktorit politik shqiptar të Maqedonisë në zgjedhjet e Kosovës, mbase nuk është diçka e re, duke e pasur parasysh se në zgjedhjet e fundit parlamentare të Maqedonisë së Veriut, kishte intervenime të ngjashme nga Kosova. Përfaqësues të Vetëvendosjes hapur bënin aktivitet politik dhe thirrje për të mbështetur koalicionin VLEN, ndërkaq BDI-ja mbështetej nga analistë dhe gazetarë nga Kosova të cilët ishin kundër Kurtit, rrjedhimisht VLEN-it.

    “Mbështetja e tij për koalicionin tonë në këto zgjedhje ka qenë e parezervë, jo vetëm nga ai, por edhe nga çdo deputet, ministër e deri tek aktivisti i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje”, shkruante Arben Taravari më 21 prill, 3 ditë para zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare.

    Ana tjetër e medaljes është se gjatë periudhës zgjedhore, në hapësirën mediatike të vendit filloi transmetimi i emisioneve të debatit politik kosovar, me tematikë zgjedhjet në Maqedoni.  Gazetarët nga Kosova Ermal Panduri e Leonard Kërquki mbanin tre ditë në javë emisione, ndërkaq në to si analistë e gazetarë, u angazhuan emra të gazetarisë kosovare – kritikues të Kurtit si Lirim Mehmetaj e Astrit Gashi, përballë analistëve vendas.

    Kësaj atmosferë i kishte paraprirë edhe fushata mbështetëse nga gazetarët e Shqipërisë dhe Kosovës për kryeministrin e parë shqiptar, Talat Xhaferi. Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Adriatik Kelmendi e Blendi Fevziu ishin VIP-at e BDI-së, të cilët të privilegjuar ndoqën seancën kuvendore të votimit të qeverisë teknike.

    Gazetarët VIP, madje ishin mbledhur në një prej zyrave kuvendore bashkë me Ali Ahmetin dhe funksionarë tjerë të BDI-së, ku në mënyrë festive dhe të hareshme po bisedonin se si është arritur deri te momenti historik i kryeministrit të parë shqiptar.

    Nuk kishte se si të mos mungonte këndimi i këngës së Keq Hysenit, një prej më të preferuarave të Ali Ahmetit.

    Në këso rrethanash, pati dhe momente reflektimi. Baton Haxhiu, i cili kishte kritikuar ashpër, i kërkon falje Ali Ahmetit.

    Gazetari Adriatik Kelmendi, i cili kishte qasje ekskluzive në raportim në ditën e zgjedhjes së Xhaferit për kryeministër, duke e përcjellë atë prej shtëpisë e deri në Kuvend, si peshqesh kishte marrë nga Xhaferi kravatën që e ka mbajtur në ditën e zgjedhjes si kryeministër teknik dhe këtë me krenari e postoi në Facebook.

    Meqë Xhaferi s’kishte dy kravata, gazetarit Blendi Fevziu nuk i ngeli tjetër pos t’ia kërkojë kravatën kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin kishte një intervistë ekskluzive. Kravata për ironi ishte prodhim serb. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Çmimet janë të mira për ata që kanë para” / Bojkoti nuk arriti efektin e duhur ndaj marketeve

    Lajmi i rradhës

    Interneti: një botë e mundësive, por edhe rreziqeve për të rinjtë në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë