Von Der Leyen: Blloku europian përfiton nga procesi i zgjerimit

    Të mërkurën, më 6 tetor, zhvillohet samiti mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë.

    Në këtë samit, Maqedonia do të përfaqësohet nga kryeministri Zoran Zaev, kurse Kosova nga kryeministri, Albin Kurti.

    Në prag të nisjes së samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se e konsideron të rëndësishme që BE-ja ta qartësojë për vendet e Ballkanit Perëndimor se sa shumë kujdeset për to dhe se blloku evropian është partneri i tyre i preferuar.

    Ajo ka thënë se përgjatë viteve është parë se sa kanë përfituar vendet që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se të njëjtën gjë e dëshiron edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Mendoj se Bashkimi Evropian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”, ka deklaruar mes tjerash ajo.

    Sipas deklaratave që qarkullojnë ne media, e cila pritet të miratohet sot, Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e saj për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian, por nuk ka asnjë afat kohorë për përfundimin e këtij procesi.

    Por, sipas deklaratës, procesi i zgjerimit do të bazohet në reformat “kredibile nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe bazuar në parimet e meritave individuale”.

    “Ne gjithashtu riktheksojmë rëndësinë që BE-ja të mbajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke u siguruar për kapacitetin e saj që të integrojë anëtarë të rinj”, përmendet mes tjerash në deklaratë.

    Nga shtetet e Ballkanit, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën drejt BE-së, ndërkaq, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë hapur negociatat për anëtarësim, pasi Bullgaria ka vendosur veto, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.

    Kosova dhe Bosnje e Hercegovina mbeten të fundit, ku ende nuk kanë bërë hapa drejt hapjes së negociatave për anëtarësim. Në rastin e Kosovës, janë edhe pesë shtete të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania), që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe BE-ja mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

    Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.

    Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes./REL/

    Lajmi Paraprak

    Djali i Musa Xhaferit sulmon fizikisht kreun e KRRE-së, Marko Bislimovski (Video)

    Lajmi i rradhës

    Masa për t’u mbrojtur nga rritja e çmimeve në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë