Vonohet pagesa për anëtarët e Këshillave Zgjedhor, KShZ: Sipas ligjit, komunat janë të detyruara t’i kryejnë pagesat

    Foto: Nistori

    Jo të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhor të angazhuar në zgjedhjet lokale të katër muajve më parë janë paguar për angazhimin e tyre.

    Për 12 komuna të cilat në momentin e shpalljes së zgjedhjeve lokale kanë pasur xhirollogari të bllokuar, mjetet do t’i sigurojë Ministria e Financave.

    Bëhet fjalë për komunat; të Zërnovcit, Resnjës, Dellçevës, Ohrit, Pehçevës, Tetovës, Strugës, Krivogashtanit, Karposhit, Demir Kapisë, Vasilevës dhe Çeshinovës – Obleshevës. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmojnë se procedura për to është nga fundi.

    “Atje ku janë të bllokuara llogaritë para fillimit të zgjedhjeve dërguam kërkesë dhe listë deri te Ministria e Financave kështu që procedura është nga fundi dhe Ministria e Financave do të dërgojë mjete posaçërisht për këtë qëllim dhe do të paguhen”, Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

    Por edhe rreth 10 komuna të tjera, xhirollogaritë e të cilave nuk kanë qenë të bllokuara në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, nuk e kanë kryer këtë detyrim ndaj anëtarëve të këshillave zgjedhor. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka informacione se cilat janë ata komuna. Alsat dërgoi pyetje të posaçme në Komunën e Qendrës, Komunën e Bogovinës, Komunën e Likovës, Komunën e Gostivarit, Komunën e Shuto Orizares dhe Komunën e Çairit. Asnjëri nga institucionet e lartpërmendur nuk konfirmoi nëse e ka shlyer këtë detyrim, dhe nëse nuk e ka shlyer, cila është arsyeja.

    Ky fenomen ndikon në punën e KSHZ-së e cila para çdo cikli zgjedhor përballet me vështirësi gjatë selektimit të anëtarëve të trupave zgjedhor, meqë shumë prej tyre e refuzojnë këtë detyrë.

    “Puna e jonë është vetëm t’u themi se sipas ligjit ata duhet t’i paguajnë mjetet sepse Kodi zgjedhor thotë se për zgjedhje lokale i paguan pushteti lokal, kurse përgjegjësia më tej është e komunave. Ata sipas ligjit janë të detyruara dhe e kanë patjetër t’i paguajnë”, tha Dashtevski.

    Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes lokale thonë se nuk kanë kompetenca që t’i detyrojnë komunat për çështjet që definohen me ligj. Por thonë se komunat gjenden në një periudhë me plot sfida financiare.

    “Për momentin, pothuajse të gjitha komunat po përballen me sfida të mëdha (veçanërisht komunat më të vogla) të shkaktuara nga kriza energjetike. I marrin faturat e rrymës pesë apo gjashtë herë më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kështu që nga kjo mund të supozojmë se ndoshta këto 20 komuna u kanë dhënë përparësi të gjithë qytetarëve të komunës (të kenë ndriçim rrugor, të ngrohen fëmijët në shkolla, të funksionojnë ndërmarrjet publike, veçanërisht ato të ujësjellësit) kundrejt realizimit të pagesës për anëtarët e angazhuar në organet zgjedhore”, thonë nga BNJVL.

    Në çdo vit zgjedhor të zgjedhjeve lokale, komunat janë të detyruara të parashikojnë mjete për zgjedhjet. Për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, anëtarët e këshillave zgjedhor paguhen nga KSHZ-ja.

    Lajmi Paraprak

    Azem Sadiki, në shënjestër të Antikorrupsionit

    Lajmi i rradhës

    BDI – Kasamit: Realizo premtimet, mos i justifiko dështimet me paaftësi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë