VOTOHET QEVERIA E RE NË RMV | Lloga Drejtësinë, Mexhiti do të udhëheqë Shëndetësinë dhe Aliu ministrinë e Shoqërisë informatike

    Janë zgjedhur ministrat e rinj të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, edhe atë Krenar Lloga për ministër të Drejtësisë, Fatmir Mexhiti do të udhëheqë ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa Azir Aliu për ministër të Shoqërisë Informatike dhe i Administratës Publike dhe Shukova ministrinë e Mjedisit, shkruan Nistori.

    Lloga, Mexhiti dhe Aliu janë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa Shukova është propozuar nga LSDM. Lloga zëvendëson Nikola Tupançevskin, një departament i menaxhuar më parë nga LSDM, Mexhiti zëvendëson Bekim Salin nga Alternativa dhe Aliu zëvendëson Admirim Alitin, po ashtu nga Alternativa. Shukova, nga ana tjetër, do të zëvendësojë Naser Nuredinin nga BDI.

    Kush janë kandidatët e ASh-së për ministra dhe zëvendësministra?

    Marrëveshja e arritur ndërmjet kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari përfshin tre ministri për ASh-në, dy zëvendësministra dhe disa drejtori dhe pozita të zëvendësdrejtorëve në nivel qendror dhe rajonal. Në vijim e keni proflin e secilit kandidat, shkruan Nistori.

    Fatmir Mexhiti, Kandidat për Ministër i Shëndetësisë

    Fatmir Mexhiti është mjek specialist në neurologji, me përvojë menaxheriale në sektorin e shëndetësisë publike, me fokus në sigurimin e cilësisë së shërbimit, si dhe në analizën dhe përpunimin e temave që lidhen me aspektet profesionale të kujdesit shëndetësor terciar.

    Nga viti 2015 është Neurolog pranë ISHP QU për neurologji Shkup, Reparti për sindroma të kokëdhimbjes dhe dhimbjes. Ka qenë Anëtar dhe Kryetar i bordit drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (2017-2018) dhe Këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë (2017). Para kësaj, ka qenë mjek në SHZHQ QShU për Neurologji Shkup (2011 – 2015), në Njësinë e Kujdesit Shëndetësor Primar “Dr Fatmir” (2007-2010) dhe në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad” (2000-2007).

    Fatmir Mexhiti ka specializuar në neurologji pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (2015), është licencuar për praktikë mjekësore pranë Odës së Mjekëve të Maqedonisë së Veriut (2000), ndërsa si Doktor i mjekësisë ka diplomuar pranë Universitetit të Sarajevës (1999).

    Krenar Lloga, Kandidat për Ministër i Drejtësisë
    Krenar Lloga ka mbi 15 vjet përvojë në sektorin publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë pozitat:

    Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë Financiare (2007); Këshilltar Ligjor në Komunën e Tetovës (2010); Shef kabineti dhe këshilltar për çështje juridike në Komunën e Strugës (2013); Sekretar i Përgjithshëm në Komunën e Strugës (2014-2017); Udhëheqës i Sektorit për Çështje Juridike në Komunën e Strugës (2018) dhe Udhëheqës i Sektorit për Burime Njerëzore në Avokaturën e Shtetit (2019). Nga viti 2021 është anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

    Krenar Lloga ka përvojë aktive në jetën politike dhe publike të Maqedonisë së Veriut që nga viti 2005, fillimisht me Partinë Demokratike të Shqiptarëve (PDSh) si bashkëpunëtor i kryetarit të saj, të ndjerit Arbën Xhaferi. Më pas si Kryetar i Forumit Rinor (2009-2012). Në vitin 2014 ishte ndër themeluesit e Lëvizjës për Reforma në PDSh.

    Krenar Lloga ka diplomuar në të Drejtën Kushtetuese dhe Administrative. Ai ka magjistruar në Diplomaci në Universitetin e Evropës Juglindore. Krenar Lloga është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.

    Azir Aliu, Kandidat për Ministër i Shoqërisë Informatike dhe i Administratës Publike

    Azir Aliu aktualisht është i punësuar si profesor universitar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë. Aliu ka qenë drejtori i parë dhe iniciator i parkut të parë teknologjik SEEUTechPark në Tetovë. Në të kaluarën ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bordit në Universitetin e Evropës Juglindore.

    Përveç përvojës akademike, Azir Aliu ka edhe një karrierë të gjatë në sektorin privat si ndërmarrës, mentor dhe konsulent. Poashtu ka qenë këshilltar i Presidentit të Qeverisë për Inovacion, TIK dhe Arsimin e Lartë. Azir Aliu është i vetmi përfaqësues nga Maqedonia e Veriut në Programin “Digital Citizenship Education” në Këshillin e Evropës.

    Shkollimin formal e kreu në Universitetin “Shën Kiril dhe Metodi” në Shkup, ku fitoi titullin Doktor i Shkencave të Informacionit. Ai është autor i disa punimeve kërkimore shkencore dhe menaxher i disa qendrave per inovacion në RMV.

    Vjollcë Berisha, Kandidate për Zëvendës Ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave

    Vjollcë Berisha është ligjëruese universitare me përvojë 17 vjeçare në botën akademike dhe 14 vite angazhim aktiv në politikë.

    Nga 2006 është Pedagoge në Universitetin e Tetovës, në Departamentin e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Mbulon seminaret në lëndët: Histori e letërsisë shqipe – Poezi e sotme shqipe, Prozë e sotme shqipe, si dhe lëndën Teori e letërsisë. Paraprakisht ishte Drejtuese dhe kryeredaktore në Shtëpinë botuese “SYTH”, (2017) dhe Redaktore në shtëpinë botuese “Albas” në Tetovë (2002-2007)

    Vjollcë Berisha ka qenë Sekretare e përgjithsme (2022) dhe Kryetare e Asamblesë së Gruas në Aleancën për Shqiptarët (nga 2021) si dhe Këshilltare komunale në Komunën e Tetovës (2009-2017). Momentalisht është Anëtare e Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët.

    Studimet deridiplomike për letërsi i ka kryer në Universitetin e Tetovës (2006), Magjistraturën në fushën e letërsisë poashtu në Universitetin e Tetovës (2010) dhe Doktoraturën në fushën e letërsisë në Universitetin e Tiranës (2021).

    Tiron Jajaga, Kandidat për Zëvendës Ministër i Mbrojtjes

    Tiron Jajaga ka mbi 10 vite përvojë pune në sektorin publik. Nga 2019 është Jurist për Çështje Ndërkombëtare në Sektorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes. Paraprakisht ishte Këshilltar për Çështje të Mbrojtjes pranë Misionit të Maqedonisë së Veriut në NATO (2015-2019), Jurist për Çështje Ndërkombëtare në Sektorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes (2012-2015) dhe zyrtar në Ministrinë për Sistem Politik (2009-2012). Para kësaj kishte punuar për 10 vite në sektorin privat dhe organizata joqeveritare.

    Tiron Jajaga është Jurist i Diplomuar në Universitetin e Tetovës, Magjistër në drejtimin e së Drejtës Ndërkombëtare me Marrëdhënie Ndërkombëtare (LLM) pranë University of Kent, Brussels School of International Studies (Bruksel). Është njohës i mirë i gjuhës maqedone, angleze, italiane, frënge dhe gjermane.

    Lajmi Paraprak

    IDEJA E ALTERNATIVËS PËR ASOCIACIONIN | Kovaçevski: Ide antieuropiane

    Lajmi i rradhës

    Ushqimet me vitaminë B5, kundër alergjive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë