Vuçiq konfirmon bisedimet për t’ia shitur NIS-in një kompanie hungareze

    Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, është në bisedime me kompaninë hungareze, MOL, për një shitje të mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinë e vetme të naftës në Serbi, tha të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të gjera që synonin sektorin e naftës të Rusisë në janar, për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë, por për NIS-in zbatimi i tyre u shty disa herë përpara se të hynte përfundimisht në fuqi më 8 tetor.

    “Ne kemi informacione se përfaqësuesit e Gazpromit po bisedojnë, mes të tjerash, me kompaninë hungareze MOL, dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj. Hungarezët janë miqtë tanë”, u tha Vuçiq gazetarëve të martën.

    “Ne duhet ta përfundojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, deri më 15 janar”, shtoi ai.

    Bankat kanë ndalur përpunimin e pagesave të NIS-it për shkak të sanksioneve. Ndërkohë, tubacioni kroat, JANAF, ka ndaluar furnizimin e rafinerisë me naftë bruto.

    Gazprom zotëron 11.3 për qind të aksioneve në NIS, ndërsa dega e tij e sanksionuar, Gazprom Neft, ka 44.9 për qind. Qeveria e Serbisë zotëron 29.9 për qind, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve.

    Vuçiq tha gjithashtu se marrëveshja e furnizimit me gaz të Serbisë me Rusinë do të zgjatet edhe për tre muaj të tjerë.

    Ky shtet ballkanik mbetet një nga blerësit e paktë të mbetur në Evropë të gazit natyror rus.

    Qeveria serbe, e cila synon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, është përballur me presion nga vendet perëndimore për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por ende nuk ka ndërmarrë veprime në këtë drejtim. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Serbët e Kosovës përballë zgjedhjeve: Asociacioni, siguria, mbijetesa…

    Lajmi i rradhës

    Mali i Zi rivendos regjimin pa viza për shtetasit e Turqisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë