Vuçiq: Nuk lejojmë veprime të paligjshme lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë

    Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, priti në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për sanksione, David O’Sullivan, më 12 maj, në Beograd.

    Vuçiq theksoi se “ndonëse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, si partner i besueshëm, nuk do të lërë hapësirë që kjo të përdoret për veprime të paligjshme, të cilat do t’u mundësonin vendeve të treta të shmangin regjimin e masave kufizuese të BE-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të kabinetit të presidentit të Serbisë.

    Ai gjithashtu tha se Serbia është “e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, me respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve që dalin nga MSA-ja dhe Korniza negociuese”.

    Vizita e O’Sullivan vjen pasi Komisioni Evropian, fundjavën e kaluar, u dërgoi vendeve anëtare të BE-së propozimin e tij të fundit për sanksione kundër Rusisë.

    Lajmi kryesor nga kjo pako është se Brukseli propozon masa ndëshkuese ndaj vendeve të treta që anashkalojnë qëllimisht sanksionet e BE-së.

    Ndër të tjera, televizionit shtetëror rus “Russia Today Balkans” (RT Ballkan) do t’i pezullohet licenca për transmetim në BE, pas një sërë kanalesh të tjera të RT-së, të cilat patën fatin e njëjtë.

    Russia Today Balkans filloi transmetimin online në gjuhën serbe, në nëntor të vitit 2022, më shumë se gjysmë viti pas fillimit të luftës në Ukrainë.

    Një ditë më parë, O’Sullivan u takua me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila tha se Serbia nuk është dhe nuk do të jetë platformë për anashkalimin e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë, siç thuhet në njoftimin nga kabineti i saj. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Sa lugë sheqer në ditë dëmtojnë shëndetin e fëmijëve?

    Lajmi i rradhës

    Trajtimet natyrale për problemet me barkun

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë