Vuçiq: Propozimi franko-gjerman, i vështirë për Serbinë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk i refuzon bisedimet me Kosovën, por se ajo që ka parë nga propozimi franko-gjerman, është “shumë e vështirë për Serbinë”.

    “Nëse do të duhej të merrja vendim në këtë moment… ata nuk na dhanë shans. Shpresoj që në dokumentin e ardhshëm, të paktën të na japin një shans”, tha Vuçiq për televizionin serb, TV Prva.

    Ai nuk sqaroi se çfarë dokumenti pritet.

    Rreth një muaj më parë, në opinion u shfaq informacioni se Franca dhe Gjermania u kanë ofruar udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd një propozim se si t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

    Megjithatë, propozimi nuk u bë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht.

    Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistencën e ndonjë dokumenti të tillë.

    “Kur më erdhën për herë të parë përfaqësuesit e [kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe [presidentit francez Emmanuel] Macron, nuk pranova ta marr letrën, sikur ta dija… sepse supozova se do ta publikonin shqiptarët. Më thanë se letra ishte sekret. Të gjithë e kanë të qartë se kush e shkeli marrëveshjen”, tha Vuçiq.

    Presidenti i Serbisë tha se shpreson se versioni që do të marrë nga përfaqësuesit e vendeve të Quint-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia – të jetë ndryshe nga ai i publikuar në mediat shqiptare, por nuk specifikoi më shumë.

    Në mediat në Kosovë qarkulluan disa shkrime, sipas të cilave, propozimi franko-gjerman nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

    Vuçiq tha më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Evropian.

    Vuçiq tha se kjo është e papranueshme për Serbinë, por shtoi se “është e papërgjegjshme dhe joserioze që propozimi franko-gjerman të hidhet nga dritarja”.

    Duke folur të enjetn për TV Prva, ai përsëriti se “ka detaje të ndryshme që përmenden në oferta”.

    “…na ofrojnë qasje të hapur në BE, por të mos kundërshtojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha, mes tjerash, ai.

    Duke komentuar deklaratën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rrugën përpara është çështje javësh e jo vitesh, Vuçiq tha se këtë e ka dëgjuar në shumë biseda, por se nuk mendon se është reale, sepse, sipas tij, Prishtina duhet ta përmbushë atë që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit: ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të vitit 2015, ka konstatuar se disa konkluzione në të, janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen përmes një statuti.

    Udhëheqësit e tanishëm në Kosovë insistojnë se asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte i dëmshëm për vendin.

    Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

    Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës ka ngecur.

    Në Kosovë thonë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të duhet të përfshijë njohjen reciproke, por në Serbi, tash për tash, e kundërshtojnë një gjë të tillë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kritika ndaj Scholz për mbështetjen e projektit kinez

    Lajmi i rradhës

    Kandidatët e mundshëm për postin e kryeministrit në Britaninë e Madhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë