Vuçiq shpall fitore në zgjedhjet parlamentare, vazhdon gara për Beogradin

    Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.6 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.

    Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 ulëse.

    Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, me 6.9 për qind të votave apo 19 ulëse.

    Daçiq ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiqit.

    Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse.

    Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

    Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve, me të drejtë vote, për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse.

    Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.

    Fillimisht numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale.

    Mospajtime për Beogradin

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se partia e tij është rritur për 10 për qind në të gjitha vendvotimet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

    Ai ka pretenduar se partia e tij ka fituar edhe në Beograd.

    Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe, e ka shpallur, po ashtu, fitoren e partisë.

    Bërnabiq i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”.

    Predrag Mitroviq nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, ka thënë se rezultatet janë të mira, duke e pranuar renditjen në vend të dytë.

    “Është e qartë se numri i madh i votuesve prej Republikës Sërpska [të Bosnje-Hercegovinës] që kanë votuar ilegalisht në kryeqytet, sepse nuk kanë pasur adresa banimi aty, ka pasur efekt në rezultatin e përgjithshëm”, ka thënë ai.

    Sipas Mitroviqit, numërimi i votave për zgjedhjet lokale në Beograd sapo ka nisur, por që grupi “ka bazë për besim në rezultate të mira, që do të thotë, fitore në Beograd”.

    “Ne besojmë në fitore në Beograd”, ka thënë mes tjerash ai.

    Mirosllav Alleksiq, nga ky koalicion, ka thënë se nuk vjen në shprehje fitorja e partisë së Vuçiqit në Beograd, ndonëse ka informacione se “40.000 letërnjoftime u janë lëshuar njerëzve që të vijnë të votojnë si qytetarë të Beogradit”.

    “Njerëzit që nuk janë nga Beogradi erdhën për të votuar në Beograd”, ka thënë ai në një konferencë për media.

    Sipas tij, koalicioni “Serbia kundër dhunës” nuk mund ta pranojë këtë fakt dhe do të luftojë kundër “vjedhjes zgjedhore me të gjitha mjetet”.

    “Sot ne dëshmuam dhunë të pashembullt zgjedhore. Ajo që ndodhi sot në të gjithë Serbinë nuk mund të jetë diçka që ne mund ta pranojmë si rezultat i zgjedhjeve demokratike dhe të ndershme”, ka thënë mes tjerash ai.

    “Votat janë ende duke u numëruar në një numër të madh të vendvotimeve, veçanërisht në Beograd”, ka thënë Alleksiq.

    Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.

    Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.

    Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë – gjithsej 8.273.

    Mbarëvajtja e procesit zgjedhor

    Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë.

    Policia e ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime.

    Nedellkov ka shtuar se ka pasur votues që janë bartur me autobusë prej entitetit serb të Bosnje -Hercegovinës, për të votuar në Beograd.

    Misioni Vëzhgues për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira – i themeluar në Beograd më 1997 – ka raportuar se ka parë “mosrespektim të përsëritur” të procedurave zgjedhore në disa qendra të votimit dhe prezencë të “materialit propagandues”.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se i ka vizituar disa qendra zgjedhore në Beograd.

    “Ambasada amerikane i ka 14 ekipe të shpërndara nëpër Serbi dhe Beograd”, ka thënë ai, teksa ka komentuar praninë e vëzhguesve të huaj në këto zgjedhje.

    Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake.

    Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

    Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

    Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

    Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

    Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

    Serbët e Kosovës udhëtuan drejt Serbisë për të votuar

    Banorët serbë të Kosovës janë parë qysh në mëngjesin e së dielës duke u nisur për në Serbi, për të votuar për zgjedhjet atje.

    Banorët serbë janë organizuar për të udhëtuar me autobusë.
    Banorët serbë janë organizuar për të udhëtuar me autobusë.

    Në orë e paradites, në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Merdare, Jarinje dhe Bërnjak – janë krijuar kolona të gjata.

    Serbët e kanë bërë këtë rrugë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk është zhvilluar në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

    Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Komisioni Zgjedhor në Serbi, ka thënë se deri në orën 18:00 kanë votuar rreth 22.000 votues serbë nga Kosova, nga rreth 122.000 sa kanë pasur të drejtë.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

    Thirrje shqiptarëve në Serbi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

    Shqiptarët e Luginës kanë garuar këtë herë me dy lista.

    Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Problemet me frymëmarrjen gjatë dimrit – Çfarë duhet të bëni kujdes

    Lajmi i rradhës

    Si ndikon rrëmuja në shtëpi në psikikën e njeriut? Ja çfarë këshillojnë psikologët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë