Wagneri me sy kah Afrika, pas puçit në Niger

    Pasi shtetet e varfra të rajonit Sahel në Afrikë u goditën nga një seri e puçeve në tri vjetët e fundit, duke e rritur praninë ushtarake të Rusisë atje, sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara (SHBA), Antony Blinken, e bëri një vizitë historike në Niger, aleatin kryesor të Uashingtonit në këtë rajon.

    “Nigeri është vërtet një shembull i jashtëzakonshëm në një kohë të sfidave të mëdha – një shembull në qëndrueshmëri, një shembull në demokraci, një shembull në bashkëpunim”, tha në atë kohë Blinken, top diplomati i parë amerikan që e vizitoi Nigerin.

    “Është një [vend] që ne e çmojmë dhe nderojmë thellësisht”.

    Tani, rreth pesë muaj më vonë, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Nigerit janë buzë dështimit, pasi zyrtarët ushtarakë e rrëzuan presidentin e vendit dhe e kapën pushtetin më 26 korrik.

    Puçi – nëse është i suksesshëm – kërcënon, po ashtu, ta thellojë jostabilitetin rajonal, ta dobësojë sigurinë rajonale, dhe mbase ta hapë derën për një ndikim më të madh rus në Sahel dhe përtej, paralajmërojnë ekspertët.

    “Një trend alarmues”

    Para puçit, imazhi i Nigerit në Perëndim po përmirësohej, falë, pjesërisht, kalimit paqësor dhe demokratik të pushteti në vitin 2021, për herë të parë që nga pavarësia e vendit më shumë se shtatë dekada më parë. Vizita e Blinkenit ishte bërë për ta ritheksuar përkrahjen e SHAB-së për Nigerin dhe presidentin e tij, Mohamed Bazoum, i cili ka lidhur prioritete të rëndësishme me Perëndimin.

    Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth 500 milionë dollarë në dekadën e fundit për ta stërvitur dhe pajisur ushtrinë e Nigerit, për t’i luftuar organizatat militante të lidhura me Al-Qaeda-n dhe ISIS-in, të cilat e kanë terrorizuar Sahelin.

    Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë 1.100 trupa në terren, e kanë ndërtuar edhe një bazë të madhe për dronë në veri të vendit, për t’i vëzhguar lëvizjet e grupeve të armatosura matanë kufirit dhe për të mbledhur të dhëna të inteligjencës.

    Por, një valë puçesh nëpër Sahel e kërcënojnë tani minimin e këtij bashkëpunimi dhe përparimi.

    Një grua mban në dorë fotografinë e presidentit të rrëzuar të Nigerit, Mohamed Bazoum, gjatë një proteste pranë Ambasadës së Nigerit në Paris, 5 gusht 2023.
    Një grua mban në dorë fotografinë e presidentit të rrëzuar të Nigerit, Mohamed Bazoum, gjatë një proteste pranë Ambasadës së Nigerit në Paris, 5 gusht 2023.

    Tre fqinj të Nigerit, përfshirë Malin, Burkina Fason dhe Çadin, janë prekur nga puçet që nga viti 2020, siç janë prekur gati edhe Sudani e Guineja. Vendet e tjera në rajon, përfshirë Senegalin, janë përballur me trazira të mëdha politike së fundmi.

    “Ky është një trend alarmues”, tha për Radion Evropa e Lirë Sean McFate, ekspert për Afrikë dhe profesor në Universitetin Syracuse.

    “Sa më shumë grusht shtete të ketë, aq më shumë sukses do të gëzojnë ata dhe aq më shumë tundime do të ketë në të ardhmen për junta përreth Afrikës”, nënvizoi ai.

    McFate shtoi se ky trend ia ka hapur derën rritjes së ndikimit rus.

    Këtë herë, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre, përfshirë Komunitetin Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore me 15 anëtarë (ECOWAS), kanë marrë qëndrim të fuqishëm kundër juntës në Niger, me shpresën se do ta detyrojnë atë ta kthejë në detyrë presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Bazoum.

    Anëtarët e këshillit ushtarak që bënë grusht shtet në Niger, marrin pjesë në një tubim në stadiumin e Niamey, më 6 gusht 2023.
    Anëtarët e këshillit ushtarak që bënë grusht shtet në Niger, marrin pjesë në një tubim në stadiumin e Niamey, më 6 gusht 2023.

    Uashingtoni i ka ndalur disa ndihma për Nigerin, i cili është ndër vendet më të varfra në botë, derisa 11 anëtarët e komunitetit të Afrikës Perëndimore kanë vendosur sanksione të rënda financiare dhe e kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike.

    ECOWAS-i ka kërcënuar edhe me ndërhyrje ushtarake, po ashtu.

    Çfarë ofron Wagner-i

    Në anën tjetër, Yevgeny Prigozhin, sipërmarrësi i lidhur me Kremlinin dhe themeluesi i grupit famëkeq mercenar, Wagner, i cili është aktiv në Afrikë, u ka ofruar përkrahje liderëve të grusht shtetit në Niger, edhe pse ekspertët kanë dyshime nëse grupi i tij mund të bëjë shumë në një kohë afatshkurtër.

    “Junta ka nevojë për përkrahje dhe njohje, nëse nuk do të heqë dorë”, tha Daniel Eizenga, hulumtues në Qendrën Afrikane për Studime Strategjike me bazë në Uashington. “Kjo është ajo që Wagner-i ka mundësi t’iu ofrojë atyre – një koklavitje të madhe për çka do që duket si një ndërhyrje ushtarake [nga ECOWAS] për t’i larguar ata”.

    Wagner-i i ka rreth 1.000 trupa në secilin prej këtyre vendeve, Mali, Libi dhe Sudan, tha Eizenga. Ky grup ka forca edhe në Republikën e Afrikës Qendrore.

    Por, duke qenë se e ardhmja e Wagner-it është e paqartë, pas rebelimit të dështuar në Rusi në qershor dhe përkushtimeve të tanishme të tij në Afrikë, nuk dihet se sa ushtarë mund t’i grumbullojë për t’i përkrahur liderët në Niger, shtoi Eizenga.

    “Pyetja parësore këtu mendoj se është çfarë mund të mobilizojë Wagner-i për një kohë të shkurtër. Por, Wagner-it nuk i nevojiten shumë trupa në terren për ta krijuar një situatë shumë të koklavitur gjeopolitike ndërkombëtare, e cila mund ta parandalojë ndërhyrjen ushtarake të ECOWAS-it”, tha ai.

    Sebastian Elischer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Floridës dhe specialist për Afrikën sub-Sahariane, tha se duket se Wagner-i nuk ka shumë mjete të rënda në Afrikë për ta ndihmuar Nigerin ta konfrontojë ECOWAS-in.

    Ai i përshkroi asetet e Wagner-it në Afrikë si “thjesht kallashnikovë dhe Toyotas” dhe theksoi se trupat e vendosur në Malin fqinj janë kryesisht trajnues ushtarakë, jo luftëtarë.

    Elischer dhe Eizenga kanë dyshime për atë se si Nigeri do ta paguante Wagner-in në një kohë të sanksioneve dhe të ndërprerjes së ndihmave. Nigeri pritej t’i pranonte 2.2 miliardë ndihma nga jashtë, hua, dhe grante gjatë këtij viti, një shumë që është e barabartë me 40 për qind të buxhetit të tij.

    “Nuk mendoj se [përfshirja e Wagner-it] do të ndodhë në Niger në kohë afatshkurtër”, tha Elischer.

    Ai shpjegoi se Rusia nuk ka marrëdhënie historike ekonomike dhe diplomatike me Nigerin, siç ka me Malin dhe vendet e tjera ku Wagner-i është aktiv, për të ndihmuar në lehtësimin e bashkëpunimit.

    Shefat e mbrojtjes nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), duke përjashtuar Malin, Burkina Fason, Çadin, Guinenë dhe Nigerin, pozojnë për një foto grupi gjatë një takimi të jashtëzakonshëm në Abuja më 4 gusht 2023.
    Shefat e mbrojtjes nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), duke përjashtuar Malin, Burkina Fason, Çadin, Guinenë dhe Nigerin, pozojnë për një foto grupi gjatë një takimi të jashtëzakonshëm në Abuja më 4 gusht 2023.

    Ai e quajti reklamimin e Wagner-it si një partner alternativ i Nigerit si “performancë kryesisht për media dhe posaçërisht për audiencën afrikane”.

    Rusia ka tentuar të bëjë invadime në Afrikë që nga viti 2014, kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa filluan ta izolojnë Moskën pasi ajo e kapi me dhunë Gadishullin ukrainas të Krimesë, thonë ekspert.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e mbajti muajin e kaluar një samit me liderët dhe delegacionet afrikane në Shën Petersburg, të dytin që nga viti 2019.

    Interesat e Rusisë në Afrikë përfshijnë shitjen e armëve, votat në OKB, dhe qasje në burime natyrale, tha Elischer.

    Ajo kërkon, po ashtu, ta projektojë veten si një lojtar të vlefshëm në Jugun Global “dhe ta merakosë Perëndimin për këtë”, shtoi ai.

    “Një koktej toksik”

    Saheli, një rajon i madh gjysmë i thatë, i cili shtrihet nga Oqeani Atlantik deri te Deri i Kuq, ndodhet në mes të Shkretëtirës së Saharës kah veriu dhe savanës tropikale kah jugu. Kalon nëpër pjesë të Senegalit, Mauritanisë, Malit, Burkina Fasos, Nigerit, Nigerisë, Çadit dhe Sudanit.

    Ky rajon e ka përjetuar një shpërthim të dhunës militante gjatë dekadës së fundit, midis një “koktej toksik” të varfërisë, qeverive të dobëta me pak ligjshmëri, ndryshimit përçarës klimatik, dhe telasheve të tjera, thonë ekspertët.

    Saheli është tokë e brishtë për përfshirjen ruse, sepse qeveritë janë të brishta dhe populli ndan ndjesi anti-franceze dhe anti-Perëndimore, tha McFate. Franca ka lënë një trashëgimi kolonialiste brutale në Sahel, e cila ndihet sot e asaj dite.

    Në Mali, Wagner-i i zëvendësoi forcat franceze, pasi junta i përzuri ato.

    Tre mercenarë të Wagner-it (në të djathtë) në Malin verior.
    Tre mercenarë të Wagner-it (në të djathtë) në Malin verior.

    “Rusia po i shfrytëzon qëndrimet kundër Francës nëpër Sahel, në mënyrë që t’ia zërë vendin Francës politikisht dhe me mbizotërim nëpër rajon. Rusia dëshiron që të gjithë të shikojnë kah Moska dhe jo kah Uashingtoni apo Parisi”, tha McFate.

    Informacione të inteligjencës së SHBA-së që kanë rrjedhur në prill, sipas The Washington Post, thonë se Uashingtoni posedon të dhëna që lënë të kuptohet se Wagner-i po kërkon ta krijojë një “konfederatë të unifikuar të vendeve afrikane”, e cila do të përfshinte Burkina Fason, Çadin, Eritrean, Gueinan, Malin, Nigerin dhe Sudanin.

    Wagner-i planifikon ta rrëzojë regjimin në Çad si pjesë e tij synimi të madh, sipas të përditshmes amerikane.

    Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk besojnë se Wagner-i qëndron prapa puçit në Niger. Ekspertët thonë se u nxit nga vendimi i Bazoumit për t’i zëvendësuar zyrtarët ushtarakë të emëruar nga paraardhës i tij.

    Thënë këtë, Nigeri ka qenë dy herë cak i fushatave dezinformuese të Rusisë, sipas një raporti të muajit prill 2022 të Qendrës Afrikane për Studime Strategjike.

    Rrjetet e lidhura me Wagner-in kërkuan në vitet e fundit të nxisnin thashetheme për një puç në Niger, sipas kësaj qendre.

    Eizenga tha se gjendja e sigurisë në Niger ka mundësi të përkeqësohet nëse Wagner-i futet brenda shtetit, duke marrë shembull shpërthimin e dhunës në Mali dhe Burkina Faso pas puçeve të tyre dhe largimit të forcave franceze.

    Nënsekretarja e Shtetit e SHBA-së, Victoria Nuland, tha më 7 gusht pas një takimi me anëtarët e juntës se “ata i kuptojnë shumë mirë rreziqet ndaj sovranitetit të tyre kur të ftohet brenda vendit Wagner-i”.

    Eizenga tha se, nëse Shtetet e Bashkuara dhe ECOWAS-i mund ta detyrojnë juntën të heqë dorë nga pushteti, do të mundë të kishte kumbime pozitive në Sahel.

    Liderët e puçit në Mali dhe Burkina Faso i kanë vonuar vazhdimisht premtimet ndaj ECOWAS-it për t’ia kthyer pushtetin kontrollit civil, në përpjekje për forcuar pushtetin e vet, tha ai.

    Nëse ECOWAS-i mund të dëshmojë se nuk është i pafuqishëm, atëherë liderët e Malit dhe Burkina Fasos “mund të mos e tejkalojnë afatin e ardhshëm”, përfundoi ai./REL/

    Lajmi Paraprak

    Biblioteka e Tetovës, ankesa për presione nga Ministria e Kulturës

    Lajmi i rradhës

    Debat acarues për ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë