Zaimi: roli i deputetëve deri më tani ka qenë gati se i pavërejtshëm

    Afati për dorëzimin e kandidatëve për listën e deputetëve ka skaduar. Partitë politike kanë dorëzuar listën e kandidatëve të tyre. Por me një vështrim të lehtë ndaj figurave kryesore që do të garojnë për deputet nuk shihet të ketë ndonjë risi apo ndryshim të madh. Janë figura të tej konsumuara sidomos ato të BDI-së por edhe kandidatët e koalicionit opozitar – VLEN, janë kandidatë të cilët kanë qenë në poste publike me disa përjashtime të vogla. Zgjedhje të reja me fytyra të vjetra, që formojnë koalicione dhe parti  të reja. Kjo metamorfozë politike është shprehja më banale e vullnetit për pushtet.

    Zgjedhjet në RMV padyshim që do të jenë të ashpra. Brenda këtyre përplasjeve qëndron raporti tradhti/braktisje dhe ribashkim. Ku sipas Ziadin Selës, kryetari i shkarkuar i ASH-së Arben Taravari e tradhtoi atë. Zejd Rexhepi, e braktisi Alternativën dhe bllokun opozitar, kurse Alternativa në njëfarë mënyre u bashkua me Lëvizjen Besa. Kurse Arijanit Hoxha që e braktisi Lëvizjen Besa, me partinë e tij iu bashkëngjit Frontit Evropian. Izet Mexhiti e braktisi BDI-në për shkak të konflikteve në lidhje me Artan Grubin dhe ju bashkua opozitës. Këto kërcime nga njëri bllok në tjetrin, apo nga njëra parti në tjetrën, ose me krijimin e partive të reja është veçse një formë e zakonshme në politikën shqiptare të RMV-së, që paraqet formën më banale të vullnetit për pushtet e që mbërthehet në zhanrin e tragjedisë.

    Poitologu Meriton Tusha, për gazetën Koha, ka deklaruar se njëherë, për një periudhë, u ndërtua narrativi mbi ish-kryetarin e ASH-së si figurë kryesore opozitare kundër liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, për ta përfunduar regjimin 20 vjeçar të tyre.

    “Ku edhe thelbi i identitetit të kësaj partie bazohej në opozitarizmin kundër BDI-së. Me moton që me çdo kusht BDI duhet të shkojë në opozitë – njëherë edhe me uljen në një tavolinë me Apasievin – e që përfunduan në ‘pozitë’ bashkë me BDI-në. Kurse tani në zgjedhjet e reja, Ziadin Sela dhe Ali Ahmeti, bashkë me Blerim Bexhetin janë pjesë e listës për deputetë. Këtu bën pjesë edhe ish-anëtari i Lëvizjes BESA dhe Alternativës, Skender Rexhepi – Zejd që formoi partinë e tij Lëvizja Populli. Në këtë përbërje të re, që prapë për ironi, në të kaluarën e kishte në thelb formën populiste të nacionalizmit, deri në atë pikë ku u etnizua tërësisht demokracia në RMV, iu shtuan dy parti turke dhe një rome, duke pësuar shkarje në këtë tip të diskursit. Kjo veç më e thellon inkonsistencën në qëndrimet politike”, u shpreh Tusha.

    Ai shtoi pjesë e VLEN-it është edhe Bekim Qoku, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, që ka një ndërtim politik më ndryshe se të tjerët, me bindje ideologjike të majtë. Gjë, siç tha ai, mungon në politikën shqiptare në RMV. “Ky ndoshta do të jetë edhe një fillim i një diskursi të majtë në parlament nga ana shqiptare. Në përmbledhje, deputetët shqiptarë nuk është se shquhen si aktorë politikë që ndjekin linja ideologjike, e as si intelektualë që prodhojnë mendim politik. Kjo varfëri e madhe në politikën shqiptare të RMV-së duket që reflekton aq shumë saqë përgatit hapësirë për metamorfoza dhe paradokse”, nënvizoi në fund Tusha.

    Nga ana tjetër, gazetari Bardhyl Zaimi, për gazetën Koha, ka deklaruar se tashmë kemi krejtësisht një situatë tjetër konfigurimesh politike, formatimesh politike, të ndarë në dy blloqe politike. Pra, siç tha ai, në skenën politike shqiptare kemi rirreshtime që në një farë mënyre e përcakton edhe përbërjen e deputetëve.

    “Është një lloj hetorogjeniteti politik në formësim e sipër, që kërkon ekuilibra politik dhe sigurisht edhe përfaqësim në bazë të matematikave elektorale. Nuk mund të jemi të sigurt se çfarë deputetësh do të prodhojë, por së paku deri më tani roli i deputetëve ka qenë gati se i pavërejtshëm. Të shpresojmë që ky rol në parlamentin e ardhshëm të jetë më aktiv dhe në sinkron me interesat e zgjedhësve, elektoratit që përfaqësojnë. Edhe transferimet nga një parti në tjetrën i shoh në kuadër të këtij rikonfigurimi politik, në kuadër të pozicionimeve në dy blloqet politike, që tashmë në këto zgjedhje janë kristalizuar politikisht”, deklaroi Zaimi, gazetar.

    Lajmi Paraprak

    Shërbimet e Ministrisë së Kulturës kundër Ministrisë së Kulturës

    Lajmi i rradhës

    Dibër, pemët që i rezistojnë kohës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë