Zanatet drejt zhdukjes, shqiptari tregon pse e la profesionin

    Zona e Skraparit njihet për prodhimin e rakisë dhe verës cilësore. Për t’i mbajtur në kushte optimale nevojiten voza druri, të cilat krijohen nga artizanë, që kohë më parë gjendeshin me shumicë në këtë qytet.

    Por tanimë prodhimi i tyre ka rënë si pasojë e braktisjes së këtij zanati, duke humbur në këtë mënyrë edhe traditën që është ruajtur dhe trashëguar në brezat e mëparshëm.

    Një që ka mbetur në një fshat të Skraparit tregon historinë se si e nisi këtë zanat.

    “Unë që në moshën 12 vjeç kam pasur pasion drurin, gurin edhe hekurin, edhe i punoj të tria. Më shumë me ka nxitur babai, ka qenë shumë punëtor ishte pasionant edhe për këto punimet e drurit, bënte vegla, enë druri, tundësa për të tundur bulmetin”, tregon ai.

    Pas ardhjes së demokracisë, lindi nevoja për prodhimin e vozave, të cilat Haxhi Liçollari mësoi t’i bënte.

    “Pas prishjes së sistemit kërkuan voza, por unë nuk kisha bërë voza sepse voza ka teknologji për të kthyer, bëra pajisjen vetë me kavo për t’i kthyer, vihet në një krah pastaj ne krahun tjetër, do ta mbledhësh me forcë shumë të madhe”, thotë artizani.

    Përpunuesi i drurit tregon se ulja e kërkesës ka bërë që edhe ai ta braktisë dalëngadalë këtë zanat, duke vënë theksin edhe tek mungesa e lëndës së parë, siç është druri i lisit.

    Tanimë, jo vetëm në Skrapar, por edhe në qytete të tjera është e vështirë të gjesh zanatçinj, pasi evoluimi i teknologjisë ka bërë që punët e dorës të zhduken me kalimin e kohës. /EuronewsAlbania/

    Lajmi Paraprak

    Si shkruajnë gazetarët dhe shkrimtarët?

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: në Samitin e dhjetorit nuk do të ketë vendim pozitiv për RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë