Zelensky dëshiron takim ballë për ballë me Putinin në Turqi, por pjesëmarrja e liderit rus mbetet e pasigurt

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se do të jetë në kryeqytetin turk, Ankara, më 15 maj për të zhvilluar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, por theksoi se do të takohet vetëm ballë për ballë me homologun e tij rus – pjesëmarrja e të cilit është ende e pasigurt – dhe jo me zyrtarë të tjerë rusë.

    Duke folur para gazetarëve në Kiev më 13 maj, Zelensky tha se ka ftuar presidentin amerikan, Donald Trump, i cili ndodhet në një vizitë në Lindjen e Mesme, që t’i bashkohet bisedimeve, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë dhe aleatët evropianë të Ukrainës po përpiqen që t’i japin fund luftës – konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Trump, duke folur nga Riadi pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve “historike” me Qeverinë saudite, tha se bisedimet e mundshme këtë javë mes Ukrainës dhe Rusisë në Turqi “mund të prodhojnë rezultate mjaft të mira”.

    Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të jetë në mesin e zyrtarëve më të lartë amerikanë që do të udhëtojnë drejt Turqisë për bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

    Megjithatë, Zelensky e bëri të qartë se Putini duhet të jetë i pranishëm në këto takime që të ketë përparim.

    “Me [Putinin] duhet të negocioj për armëpushimin, sepse vetëm ai mund të marrë një vendim për këtë”, tha Zelensky, duke shtuar se nëse Putin vendos të udhëtojë në Stamboll – ku fillimisht pritej të mbahej takimi – atëherë ai do ta takonte atje.

    “Nëse ai [Putini] bën hapin për të deklaruar se është i gatshëm për armëpushim, atëherë hapet rruga për të diskutuar të gjitha elementet për përfundimin e luftës”, shtoi ai.

    Gjatë fundjavës, Putin propozoi që bisedimet të mbaheshin më 15 maj në Stamboll, gjë me të cilën Zelensky u pajtua. Megjithatë, Kremlini ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e presidentit rus.
    “Sa të vendosë presidenti që është e nevojshme, do ta bëjmë një njoftim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në Moskë, duke shtuar se Rusia vazhdon “të përgatitet për bisedimet”.

    Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha më 13 maj se Putini nuk do të “guxojë” të paraqitet në takim, sepse “Rusia po luan lojëra dhe po përpiqet të fitojë kohë”.

    “Nuk besoj se ata [Rusia] janë të interesuar për paqe. Ata ende po bombardojnë Ukrainën. Nëse do të ishin të interesuar për paqe, do ta ndalonin menjëherë”, tha Kallas në një samit për demokracinë në Kopenhagë.

    Burime për mediat amerikane thanë se të dërguarit e lartë të Trump, Steve Witkoff dhe Keith Kellogg, do të udhëtojnë për në Stamboll për këto bisedime, ndërsa sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të marrë pjesë gjithashtu në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Turqi.

    Në të kaluarën, Putin ka vënë në dyshim legjitimitetin e Zelenskyt.

    “Nëse Putini paraqitet në Stamboll, kjo do të ishte një disfatë. Vetë fakti që do të futej në bisedime me Zelenskyn do të sinjalizonte një humbje për të – veçanërisht nëse do të vinte nën presion, në një samit që qartazi nuk kishte ndërmend ta merrte pjesë”, tha për Current Time më 13 maj Alexander Friedman, analist dhe historian rus.

    “Me shumë gjasa, Rusia nuk do të mund të ofrojë asgjë që do të kënaqte amerikanët, ukrainasit apo evropianët. Kjo mund të shënojë fundin e bisedimeve krejtësisht”.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, zhvilloi më 12 maj një takim me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, për të diskutuar mbi bisedimet e drejtpërdrejta mes Moskës dhe Kievit – një propozim që erdhi nga Putini gjatë fundjavës, sipas Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

    Ende mbetet e paqartë se kush nga pala ruse do të marrë pjesë në këto bisedime të drejtpërdrejta – të parat që nga marsi i vitit 2022, në ditët e para të luftës në shkallë të plotë të nisur nga Rusia në fund të shkurtit të atij viti.

    Oleh Saakian, analist politik që foli për Current Time, tha se si Ukraina, ashtu edhe Evropa, e dinë që nuk mund t’i besojnë Putinit dhe se ai ndoshta ka filluar përgatitjet për një fazë të re të luftës, duke forcuar pozitat e tij përmes bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së fundit në Moskë.

    “I gjithë ky spektakël rreth armëpushimit dhe bisedimeve është ndërtuar për një spektator – Trumpin – me qëllim që të ekspozohet Putini si një figurë me të cilën nuk mund të bësh marrëveshje”, tha Saakian, duke shprehur dyshime për mundësinë që Putini të udhëtojë në Stamboll, apo që të ketë ndonjë marrëveshje të mundshme atje.

    “Fokusi tani me shumë gjasë do të zhvendoset drejt boshtit transatlantik dhe gatishmërisë së Perëndimit për të vendosur së bashku sanksione të forta ndaj Rusisë”, shtoi ai. “Kjo është çështja kyç dhe do të formësojë ndjeshëm të ardhmen e bisedimeve”.

    Konstantin Kosachev, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, i tha gazetës Izvestia se bisedimet mes Moskës dhe Kievit mund të shkojnë më tej se sa ato të vitit 2022.

    “Nëse delegacioni ukrainas vjen në këto bisedime me një mandat për të hequr dorë nga ultimatume dhe për të kërkuar pika të përbashkëta, jam i bindur se mund të arrijmë më shumë se sa atëherë”, citohet të ketë thënë Kosachev./REL/

    Lajmi Paraprak

    Korridori 8 rrezikon të zvarritet deri në vitin 2036?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë