Zëri i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë

    “Fitimi i një ulëseje në Kuvendin e Serbisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për palën shqiptare, veçanërisht për ato parti që mbrojnë idenë e parlamentarizmit dhe e konsiderojnë atë vendimtare në përpjekjet e shqiptarëve për të drejtat e tyre”.

    Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shaip Kamberi, përfaqësues i “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës”, listë që fitoi një mandat në Kuvendin serb pasi disa herë u përsëritën zgjedhjet në Tërnocin e Madh, në jug të Serbinë.

    Komisioni Republikan i Zgjedhjeve më 5 korrik konfirmoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare serbe që janë mbajtur më 3 prill dhe po ashtu konfirmoi se kjo listë e shqiptarëve ka fituar një mandat në Kuvend.

    Me këtë, Kuvendi i Serbisë fitoi edhe një votë opozitare, e vetmja që mund të flasë drejtpërdrejt në emër të pakicës kombëtare shqiptare.

    Por, u deshën tre muaj që shqiptarët të fitonin një mandat. Zgjedhjet në Tërnocin e Madh, fshat në Komunën e Bujanocit, u përsëritën katër herë dhe vetëm në herën e pestë, më 30 qershor, votimi përfundoi pa asnjë ankesë.

    Epilogu në fund ishte 698 vota për listën e Kamberit nga 725 votues. Lista e Kamberit fitoi mandatin në vend të Partisë Socialiste të Serbisë, partnere shumëvjeçare e Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet. Për shkak të këtij mandati të vetëm, votimi u përsërit disa herë.

    Prioritet, zhvillimi ekonomik

    Kamberi, i cili ka qenë deputet edhe në legjislaturën e kaluar parlamentare, tha se gjatë mandatit të kaluar, pozita e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë nuk është përmirësuar dukshëm, prandaj nuk do të ndryshojë prioritetet e aktivitetit të tij në Kuvend.

    Sipas tij, prioritetet e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë janë të përcaktuara në “Planin Shtatëpikësh”, dokument të cilin përfaqësuesit e shqiptarëve ia kanë dërguar Qeverisë serbe gati një dekadë më parë.

    “Para së gjithash është integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike. Këto janë problemet dhe çështjet që ekzistojnë në arsim, sidomos çështja e njohjes së diplomave dhe, sigurisht, zhvillimi ekonomik i këtij rajoni”, tha Kamberi.

    Ndër prioritetet tjera Kamberi përmendi zhvillimin ekonomik në jug të Serbisë.
    Vlerësohet se afër 60,000 shqiptarë jetojnë në Serbi kryesisht në tri komunat në jug të shtetit: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    Këto tri komuna janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave të papunë, por kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, deklaroi për BIRN në maj të vitit 2021 se papunësia në komunën e saj ishte rreth 70 për qind.

    “Për shkak të mungesës së vendeve të punës, nga këtu po ikin shumë të rinj, shqiptarë dhe romë, prandaj zhvillimi ekonomik i kësaj pjese do të jetë një nga prioritetet tona dhe duhet të jetë edhe prioritet i Qeverisë së re”, tha Kamberi.

    Faktori korrigjues

    Naim Leo Beshiri nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë dinamikë të ndryshme në punën e Kuvendit pas marrjes së mandatit të deputetit nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”.

    “Përfaqësuesi i shqiptarëve ka qenë në opozitë edhe në legjislaturën e kaluar dhe kështu pritet të jetë edhe në këtë legjislaturë”, tha Beshiri.

    Në legjislaturën e kaluar, Shaip Kamberi ishte kryetar i Grupit Parlamentar të Luginës së Bashkuar – SDA Sanxhak.

    Gjatë një viti e gjysmë, sa kishte mandat ajo legjislaturë, Kamberi ishte një nga zërat e paktë kritikë në Kuvend, pasi pjesa më e madhe e opozitës bojkotoi zgjedhjet që u mbajtën në qershor të vitit 2020.

    Kamberi akuzoi Qeverinë e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe për autokraci dhe totalitarizëm dhe tha se në Serbi “ksenofobia po lulëzon” dhe se po bëhen kërcënime ndaj komuniteteve joshumicë.

    Kuvendi është vendi ku është mirë të dëgjohet zëri i komuniteteve joshumicë, tha Beshiri, por theksoi se përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin serb do të përballet me kufizime.

    “Deri më tani është dëshmuar si një faktor i mirë korrigjues. Fjalimet e Kamberit në Kuvend janë vënë re disa herë, por nëse ai vepron si deputet i pavarur, sipas rregullores së Kuvendit, ai do të ketë shumë pak kohë për t’i paraqitur argumentet e tij”, tha Beshiri.

    Urimet nga rajoni

    Që nga 30 qershori, Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” kanë marrë urime të shumta nga vendi dhe rajoni. Ndër personat që kanë uruar Kamberin ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete shqiptare në Kuvendin e Kroacisë.

    “Në Kuvendin e Serbisë kemi të vetmin deputet shqiptar i cili do të jetë zëri i shqiptarëve. Edhe pse e dimë që aty është e vështirë të realizohen të drejtat e shqiptarëve prapëseprapë zëri i Shaipit do të jetë një dritare për BE-në, që do të tregojë se Serbia shkel të drejtat elementare të shqiptarëve”, ka shkruar ajo në Facebook. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Hill: ShBA-së nuk i takon që t’i tregojë BE-së së kush duhet të jetë anëtar i saj

    Lajmi i rradhës

    Sa gjuhë mund të flasë një fëmijë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë