Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili reagon ndaj akuzave për mungesën e shqiptarëve në Mbrojtje

    Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të ish-funksionarëve politikë, mes tyre Talat Xhaferit, duke i cilësuar si lot krokodili reagimet e tyre për fatin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përcjell Nistori.

    “Shumë prej nesh e kemi dëgjuar shprehjen ‘lotët e krokodilit’, por kur këto lot rrjedhin nga Talat Xhaferi dhe klikës së tij, nuk kemi mënyrë t’i konsiderojmë ndryshe përveç si sjellje hipokrite dhe një pikëllim të pasinqertë,” deklaroi Ismaili.

    Ajo theksoi se kjo nuk është hera e parë që politikanë të tillë përpiqen të shfrytëzojnë emocionet e qytetarëve për përfitime politike.

    “Ata gjithmonë kanë ditur të përdorin emocione të shfrenuara për të fituar mbështetje, por kur kanë pasur mundësinë të veprojnë, janë treguar të paaftë dhe të papërgjegjshëm për të adresuar kërkesat dhe shqetësimet tona,” shtoi ajo.

    Sipas Ismailit, politikanët që sot janë në opozitë pretendojnë të bëhen zëdhënës të shqetësimeve të shqiptarëve, ndërsa kur ishin në pushtet nuk bënë asgjë konkrete për të përmirësuar gjendjen e tyre.

    Problematika e përdorimit të gjuhës shqipe në institucione

    Ismaili gjithashtu vuri theksin te mungesa e zbatimit të gjuhës shqipe në institucione shtetërore, si Ministria e Mbrojtjes. Ajo kujtoi se edhe kur shqiptarët kishin pozita të larta në institucione, nuk u arrit të sigurohej zbatimi efektiv i gjuhës shqipe.

    “Mos ta harrojmë: shqiptarët nuk harrojnë lehtë. Ata nuk harrojnë trajtimin poshtërues që u është bërë nga këta politikanë të deridjeshëm. Ata nuk harrojnë se si këta nuk arritën të ndryshonin gjendjen e atyre pak të punësuarve, të cilët i lanë të paavansuar dhe të etiketuar si ‘pomlad sorabotnika’,” deklaroi ajo.

    Ismaili: VLEN është për veprim konkret dhe seriozitet

    Zëvendësministrja nënvizoi se sot ka individë dhe struktura që veprojnë me seriozitet dhe përkushtim për interesat e shqiptarëve.

    “Ka njerëz që po veprojnë për shqiptarët, jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete. Ata nuk kanë nevojë për spektakël dhe shfaqje, por po angazhohen me seriozitet për ndryshime të vërteta.”

    Ajo pranoi se sfidat dhe pengesat vazhdojnë të ekzistojnë, por theksoi se koalicioni VLEN është i vendosur dhe stoik për të arritur drejt meritokracisë dhe drejtësisë, duke refuzuar korrupsionin dhe keqmenaxhimin.

    Angazhimi në Ministrinë e Mbrojtjes

    Ismaili deklaroi se Ministria e Mbrojtjes vazhdon të jetë një institucion serioz dhe strategjik për sigurinë kombëtare dhe integritetin e vendit në kuadër të NATO-s.

    “Për këtë punë, na duhen njerëz seriozë, me eksperiencë dhe vullnet të plotë për të arritur objektivat tona,” përfundoi ajo.

    Ndryshe, ditë më parë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski ka firmosur vendimet dhe autorizimet e reja për 19 sektorët e kësaj ministrie. Megjithatë, nga 19 sektorë, vend për shqiptarët Misajllovski ka gjetur vetëm për një. Bujar Mustafai është i vetmi shqiptar në mesin e 19 udhëheqësve të Sektorëve, ndërsa i është besuar drejtimi i Sektorit për Revizion të Brendshëm. Edhe Mustafai nuk ka vendim të përhershëm, por i është ndarë autorizim i përkohshëm. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mjekët në Shtip qëruan hesapet me grushte në sallën e operacionit

    Lajmi i rradhës

    Raporti i OJQ-ve: gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë me aktakuza aktive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë