ZGJEDHJA E PROKURORIT PUBLIK | Kontroll apo reforma në gjyqësor!?

    Fotografia: Intelegjenca Artificiale

    Zgjedhja e Anita Topolova-Isajllovskës si ushtruese detyre e prokurores publike shtetërore ka nxitur reagime të forta politike nga dy partitë më të mëdha në vend. Partia opozitare LSDM akuzon pushtetin se po tenton të vendosë kontroll të plotë mbi prokurorinë dhe gjyqësorin, ndërsa VMRO-DPMNE paralajmëron fillimin e një faze reformash dhe vendosjen e drejtësisë joselektive. Përndryshe vendimi për të zgjedhur Anita Topallova Isajllovskën për ushtruese detyre të kryeprokurorit publik u mor nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, pas dorëheqjes së parevokueshme të prokurorit të deritanishëm, Lupço Kocevski.

    LSDM: PUSHTETI PO E POLITIZON DREJTËSINË

    Nga LSDM vlerësojnë se ky emërim është dëshmi e përpjekjes së qeverisë për ta varrosur sistemin e drejtësisë dhe për t’u mbrojtur nga përgjegjësia për, siç thonë, tenderë kriminalë. Sipas opozitës, Topolova-Isajllovska njihet për kërkesën e saj që të shfuqizohet lënda “Talir”, e cila lidhet me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së dhe ku i akuzuar ishte ish-kryeministri Nikola Gruevski.

    Qëllimi është kontrolli i plotë mbi prokurorinë dhe varrosja e drejtësisë, për t’i shpëtuar përgjegjësisë për tenderët kriminalë që zhvillohen pas shpinës së qytetarëve. Zgjedhja e ushtrueses së re të detyrës së prokurores publike shtetërore është edhe një dëshmi tjetër për këtë. Anita Topalova Isajllovska njihet si prokurore që kërkoi të shfuqizohej lënda “Talir”, në të cilën ishte i akuzuar edhe Nikola Gruevski dhe që kishte të bënte me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së”, theksojnë nga LSDM.

    LSDM gjithashtu thekson lidhjet familjare të saj, duke kujtuar se ajo është bashkëshortja e ish-zëvendësministrit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Isajllovski. “Ajo është bashkëshortja e Ilija Isajllovskit, ish-zëvendësministër nga VMRO-DPMNE. A është tani e qartë për të gjithë se çfarë po ndodh? Njësoj si në kohën e Gruevskit. Nuk do t’ju kalojë! Të gjithë do të mbani përgjegjësi! Puna nuk ka mbaruar!”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

    VMRO: FILLON EPOKA E REFORMAVE

    Në anën tjetër, VMRO-DPMNE, përmes deputetit Brane Petrushevski, deklaron se Maqedonia e Veriut po hyn në një periudhë të reformimit të thellë të drejtësisë. Ai paralajmëroi miratimin e 12 ligjeve reformuese, përfshirë edhe një Kod të ri Penal, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2026, si pjesë e Planit të Rritjes të Komisionit Evropian. Mbi njëqind kallëzime penale janë dorëzuar nga institucionet përgjegjëse për ndjekjen penale, prej të cilave mbi 40 kanë të bëjnë me korrupsion të lartë dhe me persona të profilit të lartë. Ne i dhamë shans këtij prokurori publik që u zgjodh nga LSDM-ja dhe BDI-ja; për 16 muaj kishim një prokuror publik që nuk ishte zgjedhur nga shumica qeverisëse dhe i dhamë mundësi të punojë. Nuk ka asnjë qytetar që do t’ju thotë se prokuroria publike po punon mirë. Ata kanë mandate të përjetshme, gëzojnë imunitet, shteti ua ka siguruar gjithçka që u nevojitet; ajo që kërkohet prej tyre është të ofrojnë drejtësi jo selektive”, tha Brane Petrushevski, deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

    Sipas Petrushevskit, këto ndryshime do të sjellin drejtësi jodiskriminuese dhe do të pastrojnë, siç u shpreh ai, “mbetjet” në sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorit.

    “Shenjë dalluese e vitit 2026 do të jetë fillimi i vendosjes së drejtësisë në Republikën e Maqedonisë, sepse vetë ligjet janë të hartuara në atë mënyrë që gradualisht ta pastrojnë atë sediment në prokurorinë publike dhe në gjyqësor, dhe do të vijnë njerëz në pozita të duhura, njerëz që mbi të gjitha janë kompetentë dhe që mund t’u përgjigjen funksioneve në sistemin e drejtësisë. Do të kemi një periudhë të mirë në vitin 2026 për drejtësinë në Republikën e Maqedonisë; këtë e kërkojnë qytetarët, ndërsa ne gradualisht po i reformojmë edhe këto segmente më të prapambetura të shoqërisë sonë” ka theksuar deputeti I VMRO-DPMNE-së Brane Petrushevski.

    MANDAT I PËRKOHSHËM, POR POLEMIKA TË MËDHA

    Topolova-Isajllovska në një seancë të Këshillit të Prokurorëve Publikë, si kandidatja e vetme për këtë funksion. Ligji për Prokurorinë Publike parasheh që ushtruesi i detyrës ta kryejë funksionin deri në zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror, por jo më gjatë se gjashtë muaj. Emri i saj u përmend edhe vitin e kaluar, kur kërkoi shfuqizimin e aktakuzës në rastin “Talir”. Ajo argumentoi se bisedat e përgjuara nuk duhet të përdoren si prova, pasi ligji parashikon që ato të shërbejnë vetëm si indikacione për lëndë të ngritura pas 30 qershorit 2017.

    SILJANOVSKA-DAVKOVA: GJYQËSORI NË PROVË, NDALNI PËRPLASJET POLITIKE

    Ndërkohë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në fjalimin e saj të fundvitit në Parlament u bëri thirrje partive politike dhe politikanëve që t’i ndërpresin përplasjet e përditshme në kurriz të procesit gjyqësor për Koçanin. Me këtë proces gjyqësor, siç tha ajo, do të shihet nëse gjyqësori do ta fitojë apo do ta humbasë përfundimisht besimin e qytetarëve. Jo rastësisht, shtoi ajo, negociatat me BE-në fillojnë dhe përfundojnë me drejtësinë.

    Presidentja Siljanovska-Davkova tha se shpreson që Parlamenti së shpejti ta miratojë ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor dhe se më pas ajo do të nominojë dy përfaqësues. Në fjalimin e saj ajo foli edhe për politikën e jashtme, për përfaqësimin e drejtë, për femicidet, për mjedisin jetësor e kështu me radhë. Në fjalën e saj, ajo theksoi se si presidente, e cila paraqitet edhe si qytetare, ka pasur komunikim me shumë qytetarë, nga të cilët ka dëgjuar nevojat e tyre, me njerëzit tanë të suksesshëm, por edhe me personat me aftësi të kufizuara. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qyra paralajmëron zgjedhje të reja për Këshillin Komunal në Strugë

    Lajmi i rradhës

    Çfarë dihet deri tani për aferat e korrupsionit milionësh në Maqedoninë e Veriut?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë